‘Homazhe për Mihail Sergejeviç Gorbaçov. Kurajo e shekullit të tij!’

Nga Sali Berisha

Të dashur miq, Mihail Gorbaçov, ish-presidenti i fundit i Bashkimit Sovjetik në vitet 1985-1991, njëri nga personalitetet më të shquara të shekullit të XX-të, mbylli sytë përgjithmonë.

Mihail Gorbaçov ishte një gjeni i kurajos njerëzore, i cili me reformat që ndërmori, qëndrimet që mbajti dhe vendimet historike që firmosi, luajti ndër rolet më kryesore në shembjen e sistemit komunist në Europë. Ai me reformat Glaznostin (hapjen, transparencën) e famshme dhe Perestrojkën (ristrukturimin) tronditi në themele sistemin totalitar komunist në Bashkimin Sovjetik dhe vendet komuniste të bllokut sovjetik dhe inkurajoi lëvizjet disidente dhe opozitare në këto vende.

Gorbaçov, me vendimin e tij për t’i dhënë fund doktrinës së sovranitetit të kufizuar të diktatorit sovjetik, Leonid Brezhnjev për vendet ish-komuniste të bllokut sovjetik, dha kontribut thelbësor në suksesin paqësor të revolucionit demokratik të vitit 1989 në vendet ish-komuniste të Europës lindore, rënien e Murit të Berlinit dhe rrëzimin njëra pas tjetrës të klikave komuniste në këto vende. Ai me reformat dhe politikën që ndoqi, luajti rol historik në përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjen paqësore të Bashkimit Sovjetik, të cilësuar nga Presidenti i SHBA-ve Regan si perandori e të keqes.

Gorbaçov ishte gjithnjë një zë i arsyeshëm dhe forcë për paqen, për çka mori edhe Çmimin Nobel. Vitet e fundit të jetës së tij, diktatori Putin e vendosi në një survejim konstant që ia nxiu jetën. Sot ky diktator barbar me luftën e tij në Ukrainë për krijimin e perandorisë së dikurshme sovjetike, po zhbën trashëgiminë e Gorbaçovit. Por Mihal Gorbaçov do nderohet gjithmonë si gjeni i kurajos njerëzore, që me vendimet dhe reformat e tij luajti një rol të pazëvendësueshëm në lirinë e popujve të shtypur nga klikat komuniste dhe paqen në Europë dhe në botë.

Në vitin 2011, Gorbaçov vizitoi Shqipërinë dhe pata rastin që ta pres dhe t’i shpreh mirënjohjen time të thellë dhe nderimin e madhe për rolin parësor në lirinë e popujve që vuanin nga diktaturat komuniste në Europë, përfshirë dhe shqiptarët.

Duke i përcjellë ngushëllimet më të ndjera familjes së tij, shpreh bindjen se Mihail Gorbaçov do jetojë gjithnji në veprat e pavdekshme të kohës që jetoi.

Read Previous

Rama: Vendimi për mbylljen e basteve ishte absolutisht i drejtë

Read Next

Mjeku i njohur kardiokirurg Edvin Prifti rikthehet të ushtrojë profesionin e tij 1 vit e 3 muaj pas pezullimit.