Hillary Clinton i jep Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama çmimin e Pionerit Global

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka nderuar në New York Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me çmimin e Pionerit Global në emër të “Vital Voices Global”, shkruan Panorama.

Clinton në fjalën e saj ka vënë theksin tek përshtypja që i ka bërë gatishmëria e kryeministrit shqiptar për të thënë “po” dhe për t’i hapur dyert në mënyrë të sigurt shtatasve afganë në vendin tonë.

“Kryeministri Rama kuptoi thuajse instinktivisht sa e rëndësishme ishte të shtrinte dorën, të thoshte “po”. Kështu, së bashku me Vital Voices, Institutin e Xhorxhtaunit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Gratë për Gratë dhe Nina’s List dhe shumë të tjerë, Kryeministri Rama u hapi dyert e Shqipërisë njerëzve nga Afganistani e, kryesisht, grave në nevojë dhe, falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë sesa 1 000 të evakuuar afganë janë të sigurt në Shqipëri.

Kur e mora në telefon kryeministrin për ta falënderuar për këtë angazhim të jashtëzakonshëm, ai u përgjigj shumë natyrshëm “po çfarë tjetër duhet të kishim bërë”. Do doja të kishte më shumë udhëheqës me këtë lloj qasjeje”, u shpreh ajo.

Sipas gazetës Panorama, Clinton veçoi gjithashtu rolin e qeverisë Rama në prioritetet dhe mundësitë për gjininë femërore.

“Në një kohë kur në mbarë globin tonë të drejtat dhe siguria e grave janë në momente të vështira, angazhimi i Kryeministrit Rama për të çuar përpara mirëqenien, mundësitë në Shqipëri dhe për afganët e të tjerët duhet të na frymëzojë të gjithëve për të vepruar”, tha Clinton.

©Kumtari.al

Read Previous

Aksident në aksin Elbasan-Librazhd / Makina del nga rruga dhe përmbyset/ Humbet jetën drejtuesi

Read Next

Presidenca për vendimin e Gjykatës Kushtetuese : “Gjykata Kushtetuese me vendimmarrjen e saj, e ka lënë çështjen pa zgjidhje përfundimtare”