Hapet ankandi për eurobondin 700 milionë euro

Mesditën e të mërkurës ka nisur në bursën e Londrës ankandi për emetimin e eurobondit shqiptar. Përmes këtij operacioni qeveria shqiptare synon të marrë 700 milionë euro borxh me afat maturimi 10 vjeçar nga investitorët e huaj.

Burime nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë thanë për MCN se atmosfera duket pozitive. Sipas tyre interesi i investitorëve për të kredituar qeverinë shqiptare duket i lartë, por rezultatet e plota të ankandit pritet të dalin gjatë dy ditëve në vijim.

Kjo është hera e pestë që Shqipëria del në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh. Hera e fundit që qeveria shqiptare emetoi një Eurobond ishte në qershor të vitit të kaluar, ku Shqipëria mori 650 milionë euro hua me normë interesi 3.62 për qind dhe afat 7 vjet. Por këtë herë qeveria synon të marrë më shumë hua dhe me një afat me të gjatë maturimi, ndërkohë që mbetet për t’u parë se si do të rezultojë interesi.

Sipas qeverisë, financimi i siguruar nga Eurobond-i do përdoret për financimin e defiçitit buxhetor të këtij viti, ndërsa një pjesë e borxhit do të ruhet në thesar për të financuar nevojat buxhetore të vitit 2022.

Dy vitet e kaluara qeveria shqiptare ka ndjekur një politikë agresive huamarrjeje, e cila do të vijojë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Për shkak të deficiteve të larta, borxhi publik i vendit është rritur në rreth 80 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruton ga 65 për qind që ishte në fund të vitit 2019.

Nga ana tjetër, orientimi i huamarrjes në tregjet ndërkombëtare ka rritur peshën e borxhit të jashtëm.  Pas emetimit të këtij Eurobond-i, niveli i borxhit në valutë pritet të shkojë rreth 50 % e stokut total të borxhit public, çka përbën një rekord historik.

Pas krizës financiare të vitit 2008, huamarrja publike ka përfituar nga normat e ulëta të interesit. Por vala e fundit e inflacionit në tregjet europiane dhe në tregun e brendshëm ka shtuar shqetësimet për rritjen e normave të interesit gjatë muajve në vijim./MCN/

Read Previous

Një sqarim për opinionin dhe një këshille profesionale për gazetarët e Fix-it

Read Next

“1 Parti, 1 Kuvend”/ Basha del me moton e 18 dhjetorit, thërret në selinë blu krerët e degëve të PD