Greta Thunberg kritikon edhe bankat

Aktivistja Greta Thunberg, u ka bërë thirrje bankave që “të ndalojnë së financuari shkatërrimin tonë”, pak para samitit ndërkombëtar për klimën COP26 të OKB-së.

BBC raporton se adoleshentja suedeze ka shkuar në Londër për të marrë pjesë në protestën me të cilën do t’i bëhet thirrje sistemit financiar që ta ndërpresë financimin e projekteve të lëndëve fosile.

Thunberg i tha Andrew Marr të BBC-së se “ndryshimi është i mundur” në samit, nëse presioni mbi politikanët vazhdon. Por ajo shtoi se nuk është ftuar “zyrtarisht” për të folur në samitin që mbahet në Glasgoë. Demonstratat kundër investimeve në projektet e karburanteve fosile vijnë në një kohë kur liderët botërorë po mblidhen në qytetin skocez përpara hapjes së samitit të dielën.

Protesta në Londër është pjesë e një vargu protestash që do të mbahen të premten në qendra të ndryshme financiare në botë, përfshirë Nju Jorkun, San Franciskon dhe Nairobin. Thunberg tha se aktivistët duan që t’u bëjnë trysni bankave, sepse ato ende janë duke financuar nxjerrjen e lëndëve fosile.

Në samitin COP26 për klimën, më shumë se 200 shteteve pritet t’u kërkohet që të hartojnë planet e veta për pakësimin e çlirimit të gazrave serë deri në vitin 2030./hashtag/

Read Previous

Foto/ Samiti i Liderëve të Grupit 20 në Romë / Liderët që do të jenë të pranishëm dhe ata që do të mungojnë

Read Next

Presidenti amerikan Joe Biden u takua me Papa Françeskun në Vatikan

Leave a Reply

Your email address will not be published.