Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë minatorit për zgjedhjet e 25 prillit

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Kodin Zgjedhor duke shfuqizuar pragun 1% për kandidatët e pavarur, duke pranuar pjesërisht kërkesën e kandidatit të pavarur Elton Debreshi.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, fjalia e dytë e pikës1, neni 132 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike ose koalicion partish, është e papajtueshme me Kushtetutën.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 28.09.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues: Elton Debreshi, subjekt zgjedhor kandidat i propozuar nga zgjedhësit, me objekt: – Shfuqizimi i pikës 1 të nenit 162 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike.

Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Read Previous

“Lufta” e rrejteve sociale, rënia e Facebook, qari i Twitter

Read Next

Fidel Kastro në rolin e fotografit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *