Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Hasan Ferracakun dhe Elmidin Dylin, dy personat e plagosur në masakrën e Velipojës, të cilët u arrestuan si të përfshirë në ngjarjen ku u vranë 4 persona.

 

 

Seanca është mbajtur në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së vështirë shëndetësore të të plagosurve.

 

DESHMIA E HASAN FERRACAKUT

Hasan Ferracaku konfirmon se konflikti nisi për çështjen e shezlongëve dhe se ky sqarim degjeneroi me përdorimin e armëve të zjarrit. Ai thotë se vëllezërit Gocaj, të cilët mbetën të vrarë nga ngjarja, pretendonin se shteti duhet të ndante në terren hapësirën në plazhe, ndërsa Agjencia e Bregdetit, në varësi të Ministrisë së Turizmit, i kishte dhënë familjes Ferracaku të drejtën e shfrytëzimit.

Ashtu si babai i dy prej të vrarëve konfirmoi të dielën, edhe Hasan Ferracaku thotë se vitin e shkuar hapësira ishte përdorur nga vëllezërit Gocaj dhe se këtë vit do të administrohej prej tyre.

“Fillimisht kemi zhvilluar një debat te shezlongët në plazh, sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë te hoteli ‘Gocaj’ për t’u sqaruar. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje pasi ata i kishin vendosur më përpara shezlongët, ndërkohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në bazë të aplikimeve. Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre”, sqaron 54-vjeçari.

Sipas dëshmisë së dhënë prej, pas këtij momenti situata ka dalë jashtë kontrolli, duke pretenduar se nuk mban mend më asgjë. Ai shfajëson veten dhe familjarët e tij për ngjarjen, duke pretenduar se kanë qëlluar për vetëmbrojtje. I pari që dyshohet të jetë vrarë është 38-vjeçari Edmond Gocaj dhe më pas ka qëlluar me armë zjarri vëllai i tij, Xhovan Gocaj, gjithashtu i vrarë nga përplasja me armë. Në dëshmi, ai thotë se nuk kishin pasur qëllim për t’i vrarë vëllezërit Gocaj, pasi me ta njiheshin prej kohësh, një deklaratë e bërë edhe nga babai i tyre.

“Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezlongët, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve, nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli”, shton Hasan Ferracaku.

NGJARJA 

Katër persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur pas përplasjes me armë zjarri që u regjistrua rreth orës 00:30 të 27 qershorit në plazhin e Velipojës. Viktimat janë shtetasit: Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit Edmond dhe Xhovan Gocaj, si dhe shtetasi Musaen Zeneli, 20 vjeç, i sapopunësuar në biznesin e dy vëllezërve. Të plagosur mbetën Hasan Ferracaku, vëllai i viktimës Kujtim Ferracaku dhe nipi i këtij të fundit, Elmilind Dyli, 17 vjeç.

Në këtë ngjarje dyshohet se janë përdorur minimalisht katër armë zjarri, dy pistoleta nga ana e familjes Ferracaku dhe një pistoletë dhe një automatik nga familja Gocaj, ndërsa në vendngjarje Policia ka sekuestruar gëzhoja plumbash të qëlluara me më shumë se një armë. Sipas Policisë së Shkodrës, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta; njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj

Read Previous

Turqia lë zyrtarisht traktatin ndërkombëtar për të parandaluar dhunën ndaj grave

Read Next

Arrestohet oficeri i policisë, u kap në makinë me kokainë