Gara për t’u zmadhuar, pesë pretendentë duan Alpha Bank

Shitja e Alpha Bank pritet të sjellë përqendrim të mëtejshëm të sektorit bankar në Shqipëri. Të pesta pretendentet për ta blerë janë banka të pranishme në treg dhe përfundimi i procesit të shitjes do të bëjë që numri i përgjithshëm i bankave të ulet në 11

 

Ersuin Shehu

Mesi i muajit tetor ishte afati i fundit i paraqitjes së ofertave për blerjen e Alpha Bank Albania. Faza e dytë dhe më e rëndësishme e procesit, due diligence, është mbyllur dhe subjektet e interesuara kanë paraqitur tashmë ofertat përfundimtare për grupin bankar grek.

Sipas burimeve nga tregu, janë pesë konkurrentë që morën pjesë në fazën e dytë, që besohet se kanë paraqitur ofertat e tyre. Të pestë konkurrentët e mbetur janë banka tregtare të pranishme në tregun shqiptar. Kjo nënkupton se, në rast të mbylljes me sukses të procesit të shitjes së Alpha Bank Albania, sektori bankar do të konsolidohet më tej dhe numri i bankave do të ulet në 11.

Burimet bëjnë të ditur se bankat që kanë kryer due diligence, me qëllim blerjen e Alpha Bank janë OTP Bank, Fibank, ABI Bank, Tirana Bank dhe Union Bank. E vetmja “mungesë”, deri diku e papritur në proces, ishte ajo e bankës sllovene Nova Ljubjanska Banka (NLB Banka).

NLB kishte qenë pjesë e fazës së parë të shprehjes së interesit dhe që më herët ka shfaqur zyrtarisht qëllimin për të hyrë në tregun shqiptar. NLB mund të mos jetë ftuar në fazën e dytë, për shkak se oferta indikative e paraqitur në fazën e parë është gjykuar shumë e ulët nga grupi bankar grek.

Megjithatë, ekspertë të sektorit përjashtojnë që sllovenët të jenë duke studiuar tregun për të bërë një blerje më të rëndësishme, të orientuar ndoshta te një bankë më e madhe se Alpha Bank. Në treg ishte përfolur edhe një interes i mundshëm nga grupi shqiptar i biznesit, Kastrati, por këto zëra nuk kanë gjetur konfirmim dhe as ky subjekt nuk është pjesë e garës.

“Alpha do të shitet me një çmim më të lartë nga sa vlen”

Burimet bëjnë të ditur se shitja e Alpha Bank është ndër proceset më kompetitive në procesin e shitblerjeve të bankave që nisi në vitin 2015. Një nga arsyet është fakti që Alpha perceptohet si një bankë më cilësore krahasuar me ato që janë shitur në gjashtë vitet e fundit me procedura konkurruese.

Sipas informacioneve nga tregu, Alpha Bank Albania ka bërë një pastrim të kredive me probleme dhe aktualisht ka një raport të kredive të këqija pranë nivelit të 3%. Kjo, në teori, tregon një cilësi të mirë të aktiveve, por sidoqoftë çdo pretendent që e merr bankën në analizë financiare bën vlerësimet e tij për cilësinë reale të portofolit të kredisë.

Zakonisht, në këto procese, vlerësimet e blerësve potencialë rezultojnë më konservatore krahasuar me ato të shitësit. Duhet thënë se, gjithsesi, në vitet e fundit performanca financiare e Alpha Bank ka qenë e luhatshme dhe jo shumë e kënaqshme, duke i shtyrë aksionerët ta nxirrnin në shitje edhe bankën e fundit me kapital grek në Shqipëri.

Një faktor që shton konkurrencën për Alpha Bank është ambicia e subjekteve ekzistuese, që në vitet e fundit kanë përfituar nga hapësirat që krijoi kriza për të hyrë, ose për t’u zgjeruar në treg. Për shkak të konkurrencës së lartë, gjasat janë që Alpha Bank të shitet me çmim më të lartë kundrejt kapitalit aksioner (price to book value) krahasuar me të gjitha bankat e tjera që janë shitur pas vitit 2015. Madje, burime nga njëra prej bankave pretendente shprehen se “Alpha Bank ndoshta do të shitet me një çmim më të lartë nga sa vlen”.

Megjithëse afati i fundit për dorëzimin e ofertave është mbyllur, shpallja zyrtarisht e fituesit të garës dhe nënshkrimi i kontratës së shitblerjes mund të kërkojë minimalisht disa javë, por ndoshta edhe muaj. Nuk përjashtohet që pas paraqitjes së ofertave, grupi grek të tentojë të hyjë në negociata shtesë me ofertuesit më të lartë për t’u përpjekur të marrë një çmim edhe më të mirë.

Një praktikë e tillë u ndoq edhe në procesin e shitjes së NBG Bank Albania, kur u deshën afërsisht tre muaj nga paraqitja e ofertave deri në lidhjen e marrëveshjes me blerësin. Bankat pretendente gjithashtu kanë shfaqur rezerva për rregullat e garës të përcaktuara nga grupi grek.

Në teori, grupi grek mund të mos pranojë asnjërën prej ofertave dhe mund të negociojë për një çmim më të lartë edhe me palë të tjera që nuk kanë qenë pjesë e procesit të due diligence. Për këtë arsye, procesi mund të shfaqë të papritura edhe në momentin e fundit.

Megjithatë, duke përjashtuar një skenar të tillë, shitja e Alpha Bank do të ketë rëndësi të konsiderueshme për sektorin bankar, edhe për një arsye tjetër. Meqenëse pretendentet janë të gjitha banka të pranishme në tregun shqiptar, blerësi i Alpha Bank pas bashkimit, me shumë të ngjarë, do të zmadhohet në përmasa të tilla për t’u klasifikuar bankë me rëndësi sistemike (me përjashtim të OTP, që është edhe sot bankë me rëndësi sistemike).

Të qenët bankë me rëndësi sistemike sjell një ngarkesë rregullatore shtesë, në termat e nivelit të kapitalizimit, kërkesave minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimeve të pranuara, ciklit më të shkurtër të mbikëqyrjes, etj.

Alpha Bank do të shesë bankën shqiptare për t’u zgjeruar në Rumani

Në mesin e këtij viti, Alpha Bank – Shqipëri zotëronte 4.8% të tregut bankar shqiptar, me një total aktivesh prej rreth 80 miliardë lekësh. Ndryshe nga bankat e tjera në proces shitje, Alpha në vitet e fundit ka ruajtur një tendencë të ngadaltë të rritjes së madhësisë së saj.

Që nga fundi i vitit 2015, totali i aktiveve të Alpha Bank është rritur me rreth 15%. Kjo rrjedhë pak a shumë normale e biznesit lidhet me faktin që aksionerët nuk kishin projektuar një dalje nga tregu shqiptar, të paktën jo në fazën kur një hap të tillë e ndërmorën dy bankat e tjera greke, NBG Bank dhe Tirana Bank.

Vendimi për ta shitur filialin shqiptar, i cili u bë publik në maj të këtij viti, ishte relativisht i papritur dhe shkaktoi një lloj pakënaqësie mes sipërmarrjeve greke të pranishme në Shqipëri, por edhe në qarqe politike në Greqi. Mediat greke, në muajin maj, cituan burime nga Ministria e Jashtme greke dhe kabineti i Kryeministrit të vendit, që janë shprehur të shqetësuar se dalja e bankës së fundit greke nga Shqipëria do të sillte dobësim të mëtejshëm të pranisë strategjike greke në tregun shqiptar.

Pavarësisht reagimeve, grupi bankar grek i qëndroi vendimit të vet, duke vijuar me procedurat e zakonshme të garës që hapet në këto raste. Strategjia e Alpha Bank përfshin shitjen e filialit në Shqipëri dhe të atij në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa parashikohet që grupi bankar grek të vazhdojë të mbajë bankat e veta në Rumani dhe Qipro. Vendimi është marrë mbështetur në përfitueshmërinë e aktivitetit të secilës bankë. Me sa duket, për Shqipërinë, kjo përfitueshmëri është cilësuar e pamjaftueshme.

Vitin e kaluar, Alpha Bank e mbylli me rezultat financiar pozitiv, që sipas standardit ligjor IFRS ishte 111 milionë lekë, ndërsa sipas standardit lokal të Bankës së Shqipërisë ishte rreth 320 milionë lekë. Për 6-mujorin 2021, rezultati financiar sipas IFRS është me humbje neto në vlerën e 155 milionë lekëve, ndërsa sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, rezultati ishte pozitiv në vlerën e 56 milionë lekëve.

Në terma të kthimit nga kapitali, Alpha Bank Albania vitin e kaluar siguroi një kthim modest prej 2.4%, ndërsa në vitin 2019, kthimi kishte qenë vetëm 2.3%. Me sa duket, këto kthime janë vlerësuar të pakënaqshme nga aksionerët, duke i shtyrë drejt vendimit për ta nxjerrë bankën në shitje.

Nga ana tjetër, grupi grek ka konstatuar ecuri pozitive të aktivitetit në Rumani, me rritje domethënëse të aktivitetit dhe përfitueshmërisë. Sipas burimeve nga tregu, grupi grek synon që paratë nga shitja e Alpha Bank Shqipëri t’i përdorë për të realizuar një blerje që do të rrisë pjesën e saj në tregun bankar rumun.

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

 

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

 

Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë se ka një prirje rajonale dhe më gjerë drejt konsolidimit të industrisë bankare dhe përqendrimit më të mirë të kapitalit nga vetë aksionerët.

“Pas krizës së 2008 – 2010 janë bërë shumë ndryshime në kërkesat rregullative dhe në standardet ndërkombëtare, që kanë sjellë për pasojë rishikim të politikave investuese të aksionerëve, duke lidhur më mirë angazhimin e kapitaleve me kthimet e tyre. Kjo ka çuar në largime nga tregje të caktuara dhe përqendrim në më pak tregje, por më eficient si grup” – thotë ai.

Elvin Meka, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës, mendon se tendenca e largimit të grupeve të mëdha europiane nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me tregun shqiptar në vetvete, por është një lëvizje, deri diku, rajonale dhe europiane.

“Kjo është e nxitur nga një sërë faktorësh, që lidhen me demografinë, ripozicionimin strategjik në treg, sfidat e dixhitalizimit dhe patjetër, me sfidën e miradministrimit të rreziqeve dhe sigurimit të kthimeve të shpresuara dhe të synuara. Gjithsesi, në këtë këndvështrim, dhe përtej strategjive makro, tregje si Shqipëria mund të konsiderohen si jashtë kufijve të rinj të pranuar të rrezikut, disi të vegjël për të siguruar ekonomi shkalle (scale) dhe produkti

(scope), e rrjedhimisht përfundojnë në vlerësime si investime të shtrenjta dhe të kushtueshme për t’u mbajtur në portofol. Nga ana tjetër, kjo lidhet edhe me klientët apo investuesit e vendit të origjinës së bankës, të cilët mund të kenë ripozicionuar vetveten në tregun shqiptar dhe nuk gjenerojnë nivelin e pritshëm të biznesit për bankat” – thotë z. Meka.

 

OTP, oreks për t’u zgjeruar në Shqipëri dhe rajon

Ndër konkurrentët për të blerë Alpha Bank, subjekti më i madh është banka hungareze OTP. Prej vitit 2019, ajo ka hyrë në tregun shqiptar, nëpërmjet blerjes së filialit të grupit francez Societe Generale. Mes ekspertëve të sektorit, OTP perceptohet ndoshta si favoritja, për disa arsye.

Së pari, OTP është subjekti më i madh mes bankave në garë, me fuqi ekonomike më të lartë. Së dyti, në vitet e fundit, OTP është grupi bankar me ekspansionin më të shpejtë në tregjet e Europës Juglindore. Hapi më i rëndësishëm ishte marrëveshja për blerjen e gjithë rrjetit të filialeve të Societe Generale në rajon, ku u përfshi edhe ai shqiptar. Që në momentin e hyrjes në Shqipëri, drejtues të OTP, madje e kanë bërë të qartë, se janë të interesuar ta vijojnë më tej zgjerimin, duke realizuar një blerje tjetër në afatin e mesëm. Paralelisht, OTP po vazhdon zgjerimin edhe në tregje të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në mesin e këtij viti, grupi bankar hungarez arriti një marrëveshje për blerjen e bankës së dytë më të madhe tregtare sllovene, Nova Kreditna Banka Maribor. OTP hyri në tregun slloven në vitin 2019, kur bleu filialin slloven të Societe Generale, SKB Banka, në kuadrin e marrëveshjes së blerjes së të gjithë rrjetit rajonal të grupit francez. Pas blerjes së Nova Kreditna Banka Maribor, OTP do të zotërojë rreth 30% të tregut bankar në Slloveni, duke kaluar grupin vendas NLB dhe duke u bërë grupi më i madh në tregun slloven.

Në mesin e vitit 2021, OTP Banka Albania ishte banka e pestë më e madhe në Shqipëri, me një total aktivesh prej 101.4 miliardë lekësh ose sa 6.1% e aktiveve totale të tregut. Njëkohësisht, OTP është huadhënësi i katërt më i madh, me 10.3% të portofolit total të kredisë. Blerja e Alpha Bank do ta çonte pjesën e tregut të OTP në afërsisht 10.9%, duke iu afruar shumë bankës së katërt më të madhe, Intesa Sanpaolo.

Për 6-mujorin 2021, OTP raportonte fitime neto në vlerën e 875 milionë lekëve dhe një kthim nga kapitali, të mesatarizuar me bazë vjetore, në nivelin 17.6%. Mbështetur në të dhënat e Shoqatës së Bankave, OTP është një ndër bankat me kthimet më të larta nga kapitali në tre vitet e fundit. Performanca e mirë financiare e filialit shqiptar mund të jetë një faktor shtesë që ka nxitur projektet e zgjerimit të grupit hungarez në këtë treg.

 

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

 

ABI Bank, fituesi më i madh (deri tani) i fazës së shitblerjeve

Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) është subjekti më i madh që ka dalë nga procesi i shitblerjes së bankave tregtare në Shqipëri. Në vitin 2015, fondi amerikan NCH Capital, hyri në tregun bankar shqiptar duke blerë bankën Credit Agricole Albania, nëpërmjet institucionit financiar Tranzit.

Ndërkohë, gradualisht struktura aksionere e Tranzit dhe, në mënyrë të tërthortë, e ABI Bank ka ndryshuar: tashmë 80% e aksioneve zotërohen nga drejtori i përgjithshëm i bankës, Andi Ballta, megjithatë statuti parashikon se kontrolli në shoqëri do të ushtrohet nga të gjithë ortakët dhe asnjë prej vendimeve nuk do të bëhet efektiv pa votën pro të të gjitha palëve.

Në mesin e këtij viti, ABI Bank zotëronte aktive totale në vlerën e 91.5 miliardë lekëve, që i jepnin afërsisht 5.5% të tregut bankar në Shqipëri. ABI është banka me shkallën më të lartë të rritjes në vitet e fundit: që nga fundi i vitit 2015, kur hyri në tregun shqiptar, ABI Bank ka rritur madhësinë e saj me rreth 246%. Ndikimin kryesor në këtë rritje e dha blerja e NBG Bank në vitin 2018.

Përmes kësaj blerje, ABI Bank pothuajse e dyfishoi madhësinë e saj. Nëse arrin të blejë Alpha Bank, ABI do të bëhet banka e pestë më e madhe në vend, me 10.3% të tregut bankar shqiptar. Në dy vitet e fundit, ABI Bank po shfaq një performancë financiare në përmirësim, me kthime nga kapitali në nivele dyshifrore. Sipas të dhënave të paaudituara të 6-mujorit 2021, ABI Bank realizoi një fitim neto në vlerën e 803 milionë lekëve dhe një kthim nga kapitali, në masën 15.53%.

 

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

 

Tirana Bank i është kthyer rritjes nën ombrellën e Balfin

Që prej vitit 2019, Tirana Bank është në pronësinë e grupit shqiptar të biznesit Balfin, që e bleu nga Grupi Bankar i Pireut për 57.3 milionë euro, fillimisht në një joint venture me grupin bankar maqedonas Komercijalna Banka. Në fund të vitit të kaluar, Balfin bleu edhe aksionet e ortakëve maqedonas, duke u bërë aksioner i vetëm i Tirana Bank. Pas Tirana Bank, grupi Balfin synon blerje të tjera në tregun bankar.

Në fillim të këtij viti, Tirana Bank zhvilloi negociata për blerjen e institucionit financiar jo bankë NOA, por palët nuk gjetën marrëveshje për çmimin dhe, të paktën për momentin, kjo mundësi është lënë mënjanë. Pas nxjerrjes në shitje të Alpha Bank, grupi Balfin e ka zhvendosur vëmendjen pikërisht te banka greke, që do të ishte një blerje e përmasave shumë më të mëdha.

Në mesin e këtij viti, Tirana Bank raportonte aktive totale në vlerën e 92 miliardë lekëve, duke mbajtur edhe ajo rreth 5.5% të tregut bankar shqiptar. Rezultati financiar neto për 6-mujorin ishte pozitiv në vlerën e 252 milionë lekëve dhe kthimi nga kapitali 9.09%. Tirana Bank ishte një nga bankat që e vuajtën më shumë krizën financiare, e shprehur në nivele të larta të kredive me probleme dhe tkurrje graduale të madhësisë së bankës.

Vetëm pas shitjes nga Grupi Bankar i Pireut te grupi Balfin, Tirana Bank iu kthye sërish rritjes. Nga fundi i vitit 2019 deri në mesin e këtij viti, totali i aktiveve të bankës është rritur me pothuajse 21%. Me blerjen e Alpha Bank, Tirana Bank do të arrinte në 10.3% të aktiveve të tregut bankar, që do ta poziciononte në vendin e katërt.

 

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

 

Union Bank tenton një blerje të dytë

Union Bank ka ndjekur një cikël të qëndrueshëm të rritjes në vitet e fundit. Në mesin e këtij viti, ajo raportonte një total aktivesh në vlerën e 75.7 miliardë lekëve dhe zotëronte 4.6% të tregut bankar vendas. Rezultati financiar neto ishte pozitiv, në vlerën e 357 milionë lekëve, ndërsa kthimi nga kapitali ishte më i larti për sektorin bankar në këtë periudhë, me 21.65%.

Që nga fundi i vitit 2015 deri në mesin e këtij viti, totali i aktiveve të Union Bank është dyfishuar. Ajo ka ndjekur një cikël të rritjes së vazhdueshme organike të biznesit, të gërshetuar edhe me blerjen e Bankës Ndërkombëtare Tregtare në vitin 2019. Në momentin e blerjes nga Union Bank, Banka Ndërkombëtare Tregtare zotëronte një total aktivesh prej rreth 10.2 miliardë lekësh, ose 0.7% të tregut bankar shqiptar. Me një blerje eventuale të Alpha Bank, Union Bank do të arrinte afërsisht në 9.4% të tregut.

Një madhësi e tillë do ta poziciononte edhe Union Bank si bankën e katërt më të madhe në vend. Për Union Bank, ashtu edhe për Fibank, blerja e Alpha Bank do të ndihmonte në kalimin e kufirit të 5% të aktiveve totale të tregut, që pranohet përgjithësisht si “masa kritike” për një aktivitet bankar eficient dhe të leverdishëm në afatin e gjatë. Union Bank është bankë me kapital mbizotërues shqiptar dhe aksioneri kryesor është institucioni financiar vendas Union Financiar Tiranë, me afërsisht 95% të aksioneve.

 

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

 

Fibank, banka me rritjen më të lartë organike

Banka bullgare, First Investment Bank, është e pranishme në Shqipëri që prej vitit 1999, duke operuar fillimisht me statusin e degës së bankës mëmë dhe pa një rol shumë aktiv në tregun bankar. Vetëm pas vitit 2007, bullgarët vendosën ta transformonin degën në filial të mirëfilltë, me synim rritjen graduale të pranisë së saj në treg. Pas krizës së vitit 2008, Fibank ishte një nga bankat që shfrytëzuan mirë hapësirat e krijuara në treg nga tërheqja e shumicës së bankave që u takonin grupeve të Eurozonës.

Në vitet e fundit, ajo ka qenë një nga bankat me rritjen më të shpejtë në sektorin bankar shqiptar dhe ka qenë gjithmonë e interesuar për t’u rritur më tej, nëpërmjet blerjes së bankave të tjera. Fibank ka qenë pjesë e garave për blerjen e Credit-Agricole Shqipëri, NBG Bank dhe Tirana Bank, por pa sukses.

Vitin e kaluar, banka mëmë në Bullgari realizoi një rritje të kapitalit, të kërkuar nga Banka Qendrore Europiane pas revizionimit të cilësisë së aseteve. Me forcimin e kapitalizimit, banka bullgare tashmë duket më e sigurt në tentativat për të realizuar një blerje të rëndësishme në tregun shqiptar.

Mes pretendentëve për blerjen e Alpha Bank, Fibank është më e vogla, me 2.4% të tregut, por blerja e Alpha Bank synohet të realizohet nga banka mëmë në Bullgari. Megjithëse është banka më e vogël, vlen të thuhet se Fibank është banka me shkallën më të lartë të rritjes organike, pa kontributin e blerjes së bankave të tjera. Që nga viti 2015 deri në mesin e këtij viti, totali i aktiveve të Fibank është rritur me 133%.

Nëse do të realizonte me sukses blerjen e Alpha Bank, pjesa e tregut të Fibank do të arrinte në 7.2%. Edhe kjo do të ishte madhësia e katërt në renditjen e sektorit bankar shqiptar. Fibank është bankë me kapital 100% bullgar dhe me aksioner të vetëm First Investment Bank AD.

 

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

 

Bankat shqiptare po faktorizohen dukshëm, përqendrimi i tregut nuk është rritur

Falë rritjes së qëndrueshme organike në vitet e fundit, por edhe për shkak të procesit të shitblerjeve dhe bashkimeve, bankat me kapital shqiptar po fitojnë më shumë pjesë në tregun bankar.

Statistikat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, bankat me kapital vendas zotëronin 32% të aktiveve totale të sektorit bankar në vend (duke llogaritur edhe pjesën e UBA, ku Eurosig u bë aksioner kryesor në muajin gusht). Krahasuar me një vit më parë, pesha e bankave vendase në treg është rritur me 1.5 pikë përqindje, ndërsa në harkun e pesë viteve të fundit, pjesa e tregut e bankave me kapital shqiptar është rritur me 16.5 pikë përqindje, ose më shumë se dy herë.

Aktualisht, sistemi bankar ka pesë banka me kapital mbizotërues shqiptar, Credins Bank, ABI Bank, Tirana Bank, Union Bank dhe UBA. Të gjitha e kanë rritur pjesën e tyre të tregut në 12 muajt e fundit të mbuluara nga statistikat. Pavarësisht se numri i bankave në treg është ulur në vitet e fundit, shkalla e përqendrimit të tregut nuk ka pësuar ndryshime të mëdha krahasuar me pesë vite më parë.

Në teori, ulja e numrit të bankave mund të ndikojë në pakësimin e konkurrencës në treg. Praktikisht, kjo nuk ndodh gjithmonë, sepse shpesh bankat që dalin nga tregu nuk janë shumë konkurruese, ndërsa bankat më të mëdha që krijohen mund të jenë më solide, më të gatshme për të marrë përsipër rrezik, duke i dhënë më shumë shtysë konkurrencës.

Mbështetur në analizat e Bankës së Shqipërisë, Indeksi Herfindahl-Hirschmann (HHI), i matur për totalin e aktiveve, në fund të vitit 2020 ishte 1500, po aq sa në vitin 2015. Ky indeks ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Edhe për depozitat, indeksi HHI është në nivelin 1500, pa luhatje të mëdha që nga viti 2015.

Për sa i takon kredisë, shkalla e përqendrimit është edhe më e ulët, në nivelin 1200, që nënkupton se për këtë produkt tregu paraqitet edhe më konkurrues. Pas një rritje të lehtë në periudhën 2016-2018, edhe ky tregues është kthyer sërish në nivelet e vitit 2015. Sipas teorisë, pragu i indeksit HHI poshtë të cilit një treg përgjithësisht pranohet si konkurrues është 1500.

 

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave/monitor/

Read Previous

SHBA, BE dhe zjarrvënësit në Bosnje

Read Next

Grenell: Berisha është mik i amerikanëve