Fushata e sharlatanit politik

Nga Meri Lika

Politikani varet nga fjala!

Në fushatë, në televizion, në Parlament, apo në takime publike, në deklaratat që jep dhe kur i korrigjon ato, në raportet që krijon, në qëndrimin që mban kur e akuzojnë e deri kur i jep lamtumirën politikës, pra është fjala ajo që e shpëton apo e dënon atë.

Kur fjalët nuk përputhen me veprimet atëherë kthehet në sharlatanizëm dhe kur nuk përputhet me realitetin kthehet në gënjeshtër.

Ndodh shpesh me politikanët tanë që, duke bërë premtime të tepruara të cilat nuk mund t’i realizojnë ose duke dashur të paraqesin një drejtim të suksesshëm që nuk ekziston, ndryshojnë atë që kanë thënë.

Politikani nuk thotë atë që ndjen dhe as nuk bënë atë që thotë. Koha nuk është se ka vepruar duke ndikuar në përmirësimin e politikanit, përkundrazi. Politikanët janë përkeqësuar si individë me moral dhe kanë zhvilluar teknikën e manipulimit të turmave duke arritur deri sot kur kryeministri i cili deri dje në opozitë kërkonte përgjegjësi kolektive, sot i rrethuar vetëm me skandale, predikon përgjegjësinë individuale.

Tek ne është krijuar një lloj i ri lideri, i cili e merr pushtetin nëpërmjet manipulimit ndërkohë që ka krijuar një qeverisje të mjerueshme.

Ky lloj sharlatani e përdor fjalën si instrument politik duke u bërë llafazan, provokues, bullizues, ofendues i kundërshtarëve dhe i kujtdo që nuk bie dakord me të, madje arrin deri aty sa të “mahnisë” njerëzit me gënjeshtrat dhe manipulimet e tij.

Ky sharlatanizëm edhe pse nuk është mik i shtypit mbush faqen e parë të mediave, përvetëson shumë mirë sloganin dhe reklamën, blen mediat dhe i keqpërdor ato, e kur nuk mundet t’i blej atëherë iu bën presion.
Këtij lloji i pëlqen të flasë por jo të dialogojë, ai nuk toleron pyetje që nuk i pëlqejnë dhe përgjigjet për pyetje që nuk ia ka bërë askush.

Sharlatanizimi i reklamimit qeveritar po na jep shembujt e të bërit goxha karriere me fjalime të ushqyera nga padija, paaftësia dhe servilizmi.

Ai ka bërë normë thënien e gënjeshtrave dhe përdorimin e çdo mjeti për t’u dukur se është i duhuri për të ngjallur shpresë.

Më duket se gjendja jonë është njësoj si tek historia e trenit që nuk i punojnë frenat e është duke ikur rrokopujë për t’u përplasur me një mal.

Profesionistët që dinë ta ndalojnë trenin nuk i dëgjon askush, sepse sharlatani politikë dhe ata që e rrethojnë, zhurmojnë duke bërtitur se vetëm ai mund ta shpëtojnë trenin që shkatërroi po ai vetë, duke sjellë një avion që ta ngrejë trenin në ajër. Pas fjalëve të tij bombastike pasagjerët e trembur të trenit duartrokasin!

Ai lufton që t’iu mbush mendjen pasagjerëve se nuk është e nevojshme dhe nuk duhet të punohet për të ndaluar trenin ndërkohë që avioni po vjen.

Aq e zhurmshme është propaganda e sharlatanit sa askush nuk arrin të mendojë e të pyes se si do të arrijë ta kap avioni trenin, kur të dy janë në ecje, sepse ajo që e josh masën është fjalimi i sharlatanit që premton “eliksirin” e jetës, por injoron ligjet e fizikës.

Dhe në fund treni përplaset e fajin e kanë profesionistët që nuk bënë asgjë për ta ndaluar.

Jemi në fushatë elektorale dhe pikërisht kjo është koha kur sharlatani politik bëhet më evident dhe nuk njeh kufijë.

Puthjet e duarve të njerëzve të thjeshtë nga qeveritarët, përqafimet me njerëzit hallexhinjë, hedhja e dorës mbi supe të njerëzve që kanë nevojë për mbështetje, qarja pa lotë për hallet e hallexhinjve, etj., janë veprimet që do mbushin ekranet tona deri në 14 maj.

Problemi është se sharlatani po përfiton nga naiviteti ynë për të reaguar dhe për ta injoruar./Dosja.al

Read Previous

Akademiku Artan Fuga shpall kandidaturën për Kryetar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Read Next

Afera Rama-McGonigall/ Rama është i zënë në çark, Kongresi amerikan nuk heq dorë nga hetimi në themel i çështjes