Finlanda anëtarja më e re e NATO-s

Finlanda u bë sot zyrtarisht vend anëtar i NATO-s, në pothuajse më pak se një vit pas kërkesës për anëtarësim, e nxitur nga sulmi rus ndaj Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se zgjerimi i aleancës tregon se Presidenti rus po përballet me dështim të synimeve të tij në sulmin ndaj Kievit.

Finlanda u bë sot zyrtarisht anëtare e NATO-s, duke i dhënë një goditje të fortë Presidentit rus Vladimir Putin, përmes riformatimit të strukturës së sigurisë të Evropës së pas Luftës së Ftohtë, të nxitur nga agresioni rus kundër Ukrainës.

Me hyrjen në NATO të vendit nordik, kufiri i Rusisë me aleancën më të madhe ushtarake në botë, u dyfishua. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Finlanda kishte ruajtur neutralitetin, por ndryshoi qëndrim pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Duke përshëndetur Finlandën, Presidenti Biden theksoi se anëtarësimi ndodh pikërisht në ditën e 74 vjetorit të themelimit të NATO-s, më 4 prill 1949.

“Kur Putini filloi agresionin mizor kundër Ukrainës, ai mendoi se do ta përçante Evropën. Ai u gabua”, tha Presidenti Biden.

Duke folur sot në ceremoninë e pranimit në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dita e sotme është një ditë historike.

“Ishte sulmi ndaj Ukrainës që nxiti vendimin e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Kur Presidenti Putin nisi sulmin, deklaroi objektivat e tij. Ai nuk donte zgjerim të NATO-s dhe të Europës. Por po përballet me krejtësisht të kundërtën. Po përballet me një prani më të lartë ushtarake në ajër, tokë dhe det, në krahun lindor të Aleancës. Po përballet me zgjerim të aleancës. Sot valëvitet flamuri i Finlandës, por shumë shpejt edhe Suedia do të bëhet anëtare e NATO-s”, tha zoti Stoltenberg.

Ministri i Mbrojtes i Finlandës, Antti Kaikkonen tha se dita e sotme ishte një ditë e madhe për vendin e tij.

“Është një ditë e madhe për Finlandën. Ditë fitoreje për të gjithë. Anëtarësimi ynë i shërben edhe NATO-s”, tha ai.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se zgjerimi i NATO-s ishte përgjigja ndaj synimeve të Moskës.

“Kjo është një ditë historike. Mirëpresim Filandën në NATO. Ndoshta kjo është arsyeja e vetmje për të cilën duhet falenderuar Vladimir Putini, sepse me politikat e tij ai përshpejtoi, atë që kishte synuar të pengonte me sulmin ndaj Ukrainës, dhe i detyroi vendet të fillojnë të mendojnë për mbrojtjen e tyre, për të parandaluar një agresion tjetër rus në të ardhmen”, tha Sekretari Blinken.

Rusia paralajmëroi të hënën se do të përforconte forcat pranë Finlandës, nëse NATO dërgonte trupa, ose pajisje shtesë në këtë vend.

NATO ka thënë se nuk ka qëllim të menjëhershëm për të rritur praninë e saj në Finlandë. Disa vende anëtare kanë dislokuar trupa atje për stërvitje luftarake gjatë vitit të kaluar.

Pas agresionit rus në Ukrainë, Finlanda dhe Suedia braktisën politikën e tyre të neutralitetit dhe kërkuan në maj të vitit të shkuar anëtarësimin në NATO.
Kërkesa e Suedisë për t’u bashkuar me aleancën, ka mbetur pezull, pasi Turqia dhe Hungaria po zvarrisin miratimin, pavarësisht se shprehin mbështetje për zgjerimin e NATO-s.

Për anëtarësimin e një vendi në NATO, kërkohet miratim nga të gjitha vendet anëtare.

Read Previous

Rexhep Selimi në Hagë: Nëse flasim për krime, ju tregoj masakrat e serbëve

Read Next

Autoriteti i Dosjeve jep lajmin: Brenda vitit parashikohet hapim aq dokumente sa në pesë vitet e shkuara