‘Fëmijët do të vdesin’, paralajmëron agjencia e OKB-së, ndërsa Afganistani është në prag të kolapsit

Miliona afganë, përfshirë fëmijë, mund të vdesin nga uria nëse nuk ndërmerren veprime urgjente për ta tërhequr Afganistanin nga pragu i kolapsit, paralajmëroi një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara, duke bërë thirrje që fondet e ngrira të lirohen për përpjekjet humanitare.
 
Drejtori Ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit (WFP) David Beasley i tha Reuters se 22.8 milionë njerëz – më shumë se gjysma e popullsisë 39 milionëshe të Afganistanit – po përballeshin me pasiguri akute ushqimore dhe “duke shkuar drejt vdekjes nga uria” krahasuar me 14 milionë vetëm dy muaj më parë.
 
Afganistani u fut në krizë në gusht pasi luftëtarët talebanë dëbuan një qeveri të mbështetur nga Perëndimi, duke bërë që donatorët të ngrijnë miliarda dollarë ndihmë për ekonominë e varur nga ndihma.
 
Kriza e ushqimit, e përkeqësuar nga ndryshimet klimatike, ishte e tmerrshme në Afganistan edhe përpara marrjes së pushtetit nga talebanët, administrata e re e të cilëve është bllokuar nga aksesisimi i aseteve jashtë shtetit, ndërsa kombet luftojnë se si të merren me islamistët e linjës së ashpër.
 
“Ajo që ne po parashikojmë po realizohet shumë më shpejt nga sa prisnim. Kabuli ra më shpejt nga sa pritej nga kushdo dhe ekonomia po bie më shpejt se kaq,” tha Beasley.
 
Ai tha se dollarët e destinuar për ndihmën e zhvillimit duhet të ripërdoren për ndihmën humanitare, të cilën disa vende e kanë bërë tashmë, ose fondet e ngrira të kanalizohen përmes agjencisë.
 
“Duhet t’i shkrini këto fonde në mënyrë që njerëzit të mbijetojnë.”
Agjencia e ushqimit e OKB-së ka nevojë për rreth 220 milionë dollarë në muaj për të ushqyer pjesërisht afro 23 milionë njerëz vulnerabël me afrimin e dimrit.
 
Shumë afganë po shesin pasuri për të blerë ushqime, me talebanët të paaftë për të paguar pagat për nëpunësit civilë dhe komunitetet urbane që përballen me pasiguri ushqimore në nivele të ngjashme me zonat rurale për herë të parë.
 
WFP shfrytëzoi burimet e veta për ndihma ushqimore deri në dhjetor, pasi disa donatorë dështuan në përmbushjen e premtimeve, tha Beasley, duke shtuar se fondet mund të duhet të ridrejtohen nga përpjekjet për ndihmë drejt vendeve të tjera.
 
Grupet e ndihmës po u bëjnë thirrje shteteve, të shqetësuara për të drejtat e njeriut nën regjimin taleban, të angazhohen me sundimtarët e rinj për të parandaluar një kolaps që thonë se mund të shkaktojë një krizë migracioni të ngjashme me eksodin e vitit 2015 nga Siria, që tronditi Evropën.
 
“Unë nuk mendoj se liderët në botë e kuptojnë se çfarë pritet të vijë,” tha ai, duke renditur disa kriza humanitare në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Amerikën Qendrore./Reuters
kumtari.al

Read Previous

‘Der Spiegel’: Ballkani kërcënohet nga një konflikt i ri! BE nuk ofron asnjë perspektivë, po u lë hapësirë Rusisë dhe Kinës

Read Next

KLSH nis hetimet për shembjen e Cirkut Kombëtar