Familjet e vajzave të trafikuara në Shtetin Islamik në Siri : Policia na trajtoi si kriminelë

Detajet se si policia u përpoq të kriminalizonte familjet britanike, fëmijët e të cilëve u trafikuan në Shtetin Islamik (IS) në Siri, zbulohen në një seri dëshmish që tregojnë se si prindërit e pikëlluar u trajtuan fillimisht si të dyshuar dhe më pas u braktisën nga autoritetet.

Njëri përshkroi se ishte “trajtuar si kriminel” dhe më vonë kuptoi se policia ishte e interesuar vetëm për të marrë informacione mbi IS, në vend që të përpiqej të ndihmonte në gjetjen e të dashurit të tyre.

Një tjetër tregoi se si shtëpia e tyre ishte bastisur, pasi ata iu drejtuan policisë për ndihmë për të gjetur një të afërm të zhdukur.

Eksperiencat e tyre u zbuluan në një seancë parlamentare javën e kaluar, e cila u mbyll për mediat me kërkesë të familjeve, për shkak të shqetësimit se do të keqinterpretoheshin. Megjithatë, katër nga familjet që dhanë dëshmi kanë rënë dakord të ndajnë përvojat e tyre me Observer në mënyrë anonime, për të hedhur dritë mbi trajtimin e tyre nga autoritetet dhe sesi vajzat e tyre kanë mbetur të bllokuara në kampet e refugjatëve sirianë.

Një grua tregoi se si kishte bashkëpunuar me policinë kur motra e saj u zhduk, më vonë mësoi se oficerët nuk kishin ndërmend ta gjurmonin. “Ne menduam se policia ishte aty për të na ndihmuar. Me kalimin e kohës, ne kuptuam se policia dhe autoritetet nuk po flisnin me ne për të na ndihmuar, por vetëm për të marrë informacion. Pasi morën informacionin e tyre, ata lanë duart me ne.”

Ajo shtoi: “Asnjëherë nuk na është ofruar ndonjë mbështetje. Ndjeva se duhej të provoja se isha anti-ekstremiste ndaj tyre; Ndjeva se isha gjithmonë nën dyshime.”

Një anëtar i një familjeje tjetër tha: “Më morën në pyetje sikur të isha i dyshuar dhe pasi kishin vendosur që nuk isha, nuk donin të bënin asgjë me mua. U bë vërtet e vështirë të kontaktoje me ta.”

Dëshmitë e tyre pasojnë një raport nga organizata bamirëse ligjore Reprieve që zbuloi se dy të tretat e grave britanike të ndaluara në Sirinë veri-lindore ishin detyruar ose trafikuar në rajon, shpesh të joshura në faqet e takimeve, përpara se të shfrytëzoheshin seksualisht.

Raporti zbuloi se shumë vajza ishin nën 18 vjeç kur udhëtuan në territorin e IS dhe që atëherë kanë vuajtur nga shfrytëzimi, martesa e detyruar, përdhunimi dhe robëria shtëpiake. Ato përfshijnë një vajzë britanike e cila u trafikua në Siri në moshën 12-vjeçare, më pas u përdhunua dhe u la shtatzënë nga një luftëtar i IS.

Një nga rastet më të bujshme britanike, të fëmijëve që i bashkohen IS-it përfshin tre nxënëse londineze, Kadiza Sultana, 16 vjeç, dhe Amira Abase dhe Shamima Begum, të dyja 15 vjeç. Avokati i kësaj të fundit thotë se ka “prova dërrmuese” se Begum ishte trafikuar. Dëshmia e familjes iu dha grupit parlamentar gjithëpartiak, për britanikët e trafikuar në Siri, i cili do të publikojë një raport në vitin e ri.

Vetëm rreth 20 familje britanike janë aktualisht të bllokuara në Sirinë verilindore, megjithatë Ministria e Brendshme refuzon të marrë në konsideratë riatdhesimin e grave dhe fëmijëve. Madje shumicës prej tyre, përfshirë Begum-in, i ka hequr shtetësinë./The Guardian

Përgatiti në shqip Kumtari.al

Read Previous

Zbulimi amerikan: Rusia po planifikon pushtimin e Ukrainës

Read Next

Armando Broja shënon golin e 3 në Premier League