Fabrika e asfaltit elektoral në Krrabë, PD kallëzon Erion Veliajn në SPAK

Shndërrimi i Tiranës në një kantier ndërtimi me asfalt elektoral, me tendera miliona euro të dhëna pa garë në kulmin e fushatës për zgjedhjet lokale të 14 Majit, do t’i kushtojë shtrenjtë kryebashkiakut Erion Veliajt.

Kjo pasi Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK një tjetër kallëzim për Veliajn, sa i përket fabrikës së asfaltit elektoral në Krrabë, e cila u denoncua nga emisioni investigativ Piranjat dhe kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.

Kallëzimi i dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Flamur Noka dhe përveç Veliajt, të kallëzuar janë edhe Drejtori i Drejtorisë Nr. 2 të Punëtorëve të Qytetit Herion Rrapaj, si dhe ish-Drejtori i Drejtorisë së Mirëmbajtjes Elton Kacidhja.

Nisur nga denoncimet publike për të cilat kemi rënë në dijeni javët e fundit lidhur me fenomenin e ashtuquajtur ‘asfalt elektoral’, nga mediat investigative u evidentua në mes të ditës një fabrikë ilegale e prodhimit të asfaltit që i përket Bashkisë Tiranë. Nisur nga këto elementë, po ju paraqesim këtë kallzim për veprat penale të sipërcituara, bazuar në nenet 280 dhe 283 të K.PR.Penale, duke parashtruar rrethanat e fakteve konkrete ku bazohet kallëzimi, dispozitat ligjore penale të caktuara, si dhe analizën juridike dhe indiciet e faktet me anë të të cilave vërtetohet konsumi i veprës penale”, thuhet në kallëzimin e PD.

Ndërkohë, kujtojmë se në investigimin e “Piranjave” për rrugicat që ngrysen me gropa dhe zgjohen me asfaltin e hedhur me urgjencë brenda natës, u konstatua se me javë të tëra pranë fabrikës në Krrabë, ngjitur me tunelin, punonin punëtorë dhe makineri me logon “Bashkia Tiranë”.

Prej më shumë se një muaji, kamionet ngarkoheshin në këtë fabrikë dhe më pas shpërndaheshin në të gjitha akset e kryeqytetit. “Jemi punonjës të Bashkisë, jemi në juridiksion të bashkisë së Tiranës”, deklaruan ata për gazetarët e Tiranës, ndërsa më pas të tjere tentuan të pengojnë filmimet.

Edhe përgjegjësi i kompanisë po ashtu deklaroi se fabrika ushtronte veprimtarinë me lejen e bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj.

“Në varësi të Bashkisë është. Jam përgjegjës për çfarë ndodh nga dera dhe brenda godinës. Nuk e di pse nuk vendosen tabela kur ndiqen punimet. Ne kemi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Jam i sëmurë, por po ju informoj në lidhje me asfaltin. I kam të gjitha informatat për leje ndërtimi”, u shpreh ai para kamerave.

Read Previous

Këlliçi thirrje qytetarëve: Dilni votoni masivisht në 14 maj

Read Next

Takimi Balla-Basha, Manjani: Vota, zgjidhja magjike e të gjitha dashuriçkave politike