Eurovision 2022: Ukraina shikohet si favorit pas kualifikimit në finale

Orkestra Kalush e Ukrainës ka kaluar në finalen e Eurovision Song Contest, duke forcuar pozicionin e saj si favorit për të fituar konkursin.

Grupi folk-rap u ngrit në këmbë, duke valëvitur flamurin e Ukrainës teksa u njoftua se ishin kualifikuar nga gjysmëfinalja e parë në Torino.

Më herët ata kanë dhënë një performancë energjike të këngës së tyre Stefania.

“Faleminderit për mbështetjen për Ukrainën,” tha anëtari themelues Oleh Psiuk ndërsa ata përfunduan performancën e tyre.

Publiku në Pala Alpitour u përgjigj me një përzierje gëzimi dhe emocioni. Duartrokitjet u shoqëruan me lot të sinqertë.
Mbështetja për grupin është rritur që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt.

Duke folur për BBC para gjysmëfinales, Psiuk tha se një fitore do të dërgonte një mesazh mbështetjeje për qytetarët e rrethuar të vendit dhe rreth 12 milionë njerëz që kanë ikur nga vendi.

“Për vendin tonë është kaq e rëndësishme të kemi fitore në të gjitha mënyrat”, tha ai. “Pra, nëse fitojmë, do të jetë një mundësi tjetër për t’i treguar Ukrainën botës, për t’i kujtuar njerëzve Ukrainën dhe për të rritur moralin në të gjithë vendin.”

Por grupi u mundua të tregonte se suksesi i tyre nuk është vetëm një shprehje solidariteti.

“Edhe para luftës, ne ishim në pozitën e pestë sipas basteshkruesve,” thanë ata në një konferencë shtypi javën e kaluar, “që do të thotë se kjo këngë ukrainase tashmë po shijohet nga evropianët.”

Kënga e tyre, Stefania, u shkrua për nder të nënës së Psiukut, por teksti emocionues si “Unë gjithmonë do të eci drejt teje nëpër rrugë të prishura” janë riinterpretuar si një thirrje tubuese.

Duke folur pas gjysmëfinales, Psiuk falenderoi të gjithë ata që votuan dhe tha se Orkestra Lakush ishte “plotësisht e fokusuar” në finale, “sepse ne jemi këtu për të treguar se kultura ukrainase është e gjallë”.

Rusia, ndërkohë, është ndaluar të konkurrojë në konkursin e këtij viti.

©kumtari.al

Read Previous

Situata financiare e familjeve, më e keqja që nga periudha e pandemisë

Read Next

“Nderim për luftëtarët e Genghis Khān-it”/ Ja si e përshkruan Corriere Della Sera paraqitjen e Ronela Hajatit në Eurovision