Erion Veliaj, mashtrues me touchscreen

Nga Arlind Qorri

Erion Veliaj ka muaj që mburret se Bashkia e Tiranës ka ndërtuar 40 shkolla të reja. Mbrëmë në TvKlan nxori fotot e 40 objekteve. Nga analiza e të dhënave që gjenden lehtësisht, por edhe prej fotove dhe maketeve të paraqitura dje, mund të konstatohen thjeshtësisht dhjetë fakte:

1. Në rastin më të mirë, në Tiranën e këtyre 8 viteve janë ndërtuar vetëm 15 shkolla të reja, një prej të cilave është dhuratë e qeverisë së Çekisë. Kam dyshimet e mia për dy shkolla fshatrash, po për momentin po ia quaj bashkisë.

2. Me fondet e qeverisë për rindërtimin, në Tiranë janë rindërtuar dhe po rindërtohen 17 shkolla. Pra kanë qenë më parë shkolla, por, të shembura nga tërmeti, janë meremetuar ose ribërë.

3. Nga këto 40 shkolla, me fondet e donatorëve – Bashkimit Evropian, Çekisë, Sllovakisë dhe Katarit – në Tiranë janë ndërtuar, rindërtuar dhe po rindërtohen 9 shkolla.

4. Nga 40 shkollat e përmendura, 8 prej tyre janë ende në rindërtim e sipër, pra jofunksionale.

5. Bashkia e Tiranës ka “meritën” e ndërtimit të 14 shkollave për 8 vjet, ose mesatarisht 1.75 shkolla në vit.

6. Për të ndërtuar këto 14 shkolla, Bashkia i ka ngarkuar qytetarët dhe sipërmarrjet me një taksë për infrastrukturën arsimore, e cila në më pak se 6 vite ka mbledhur 41 milionë euro. Pra kostoja mesatare e një shkolle të re ka qenë 2.928.571 euro.

7. Për krahasim, shkollat që ndërtohen me fondet e Bashkimit Evropian kanë një kosto mesatare prej 1,190,476 eurosh. (eu4schoolsportal.al)

8. Shkollat që ndërtohen ose rindërtohen nga Bashkia e Tiranës kanë një kosto për metër katror mjaft më të lartë se shkollat e ndërtuara nga Bashkimi Evropian. Për shembull, shkolla Sami Frashëri, e rindërtuar nga Bashkia e Tiranës, ka pasur një kosto prej 942.19 euro për metër katror. Kurse një shkollë e ngjashme në sipërfaqe dhe kapacitet, si Emin Duraku, që po rindërtohet me fondet e Bashkimit Evropian, ka një kosto prej 447 euro për metër katror. Pra kushton më pak se gjysma e fondeve që ka harxhuar Bashkia e Tiranës nga taksat e qytetarëve.
Kjo dhe pika e mësipërme na nxjerr në përfundimin se Bashkia vjedh dhe shpërdoron fondet e ndërtimit/rindërtimit të shkollave.

9. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, sot në Tiranë bëhet mësim me turne në 40 shkolla. Kur të përfundojnë 8 shkollat që janë ende në rindërtim, Tiranës do t’i mungojnë 32 shkolla.

10. Sikur popullsia e Tiranës të mos rritej fare në vitet e ardhshme, me ritmin prej breshke hajdute të Erion Veliajt, Tiranës do t’i duheshin mbi 18 vjet që nxënësit të mos bënin mësim me turne.

Tirana sot dhe Shqipëria nesër meritojnë qeverisje të ndershme dhe kompetente. Hajdutët e sotëm e të djeshëm nuk mund të jenë alternativë për asgjë. Ndaj, dora në zemër, qytetarët e Tiranës kanë vetëm një zgjedhje reale: Lëvizja BASHKË.

Read Previous

BIRN: Kompromisi i paligjshëm Balla-Alibeaj paralizon punimet e Kuvendit

Read Next

Luhatjet e motit shtojnë virozat/ Mjekët: Probleme edhe me alergjitë, kujdes me antibiotikët