Erdogan shpall ‘non grata’ ambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës…

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka urdhëruar ministrin e Jashtëm të shpallte 10 ambasadorë, përfshirë të dërguarin e Uashingtonit, ‘persona non grata’ mbi një deklaratë të rrallë të përbashkët që kërkonte lirimin e një figure opozitare të burgosur. Lëvizja u njoftua nga presidenti i Turqisë gjatë një fjalimi publik ditën e sotme

“I dhashë udhëzimet e nevojshme ministrit tonë të Jashtëm për të shpallur ‘non grata’ 10 ambasadorët e huaj sa më shpejt të jetë e mundur.” – tha Erdogan.

Tërbimi i presidentit turk u nxit nga një deklaratë e përbashkët, e lëshuar nga 10 të dërguarit në fillim të kësaj jave. Ambasadorët kërkuan një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë për rastin e Osman Kavala – një biznesmen dhe filantrop turk i mbajtur në burg ende pa një dënim që nga fundi i vitit 2017.

Kavala mbahet në paraburgim prej 4 vitesh, me një numër të madh akuzash, por që nuk ka akoma një vendim përfundimtar të gjykatës për këtë çështje.  Akuzohet për financimin e protestave anti-Erdogan dhe pjesëmarrjen në Grushtin e Shtetit në korrik të vitit 2016.

Të martën, të dërguarit e Gjermanisë, Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Holandës, Zelandës së Re, Norvegjisë, Suedisë dhe SHBA-së u thirrën në Ministrinë e Jashtme turke për deklaratën e tyre ‘të papërgjegjshme’ dhe ‘politizimin e çështjes Kavala’.

Deklarata e përbashkët u botua për të shënuar përvjetorin e katërt të arrestimit të parë të Kavalës. Biznesmeni tashmë është gjykuar dhe liruar dy herë për akuzat që lidhen me trazirat e parkut Gezi në vitin 2013 dhe Grushtin e Shtetit të dështuar të vitit 2016.

Mbështetësit e Kavalas besojnë se ai është një i burgosur politik, i shënjestruar për punën e tij për të drejtat e njeriut në Turqinë ‘gjithnjë e më tepër autoritare’ të Erdoganit.

Read Previous

A e ‘trimëron’ Lulin, Kryesia 38 anëtarëshe?

Read Next

Arrestohet pedagogu pasi shkakton aksident në gjendje të dehur