“Epo Shqipëri hesapi, kështu është këtu”

Nga Endri Tafani

Janë të neveritshëm ata që kur do të argumentosh diçka e tu thuash shiko si funksion kjo gjë jashtë, në vend që të bëjnë krahasimin, në vend që të kuptojnë çfarë nuk funksionon këtu dhe të përpiqen ta përmirësojnë, të thonë: “Epo Shqipëri hesapi, kështu është këtu”

Pa e ditur ata janë fajtorë të kalbezimit të Shqipërisë, pjesë e makinerisë propagandistike te pushtetit që nuk i pëlqen krahasimi me jashtë, se përndryshe duhet të japë llogari pse gjërat janë keq në Shqipëri.

Një nga thëniet me të bukura të George Orwell në romanin e famshëm “1984” është : “Turmat asnjëherë nuk revoltohen me kokën e tyre e nuk revoltohen vetvetiu sepse janë të shtypura. Në fakt, për sa kohë ato nuk lejohen të kenë standarte krahasimi, ato as nuk e kuptojnë që realisht janë të shtypura”.

Kjo ishte dhe një nga arsyet kryesore pse Shqipëria dhe vendet ish-komuniste izoloheshin nga bota perëndimore. Ku lajmet që vinin nga bota e huaj kishin të bënin vetëm me vuajtjen e “klasës punëtore”, urinë, grevat, demonstratat. Ku vendoseshin zhurmues për televizionet e huaja që të mos shiheshin, ku në doganë sekuestrohej revista, manjetofoni e deri dhe cumcakizi. E gjitha kjo që të mos kishte asnjë mundësi krahasimi midis jetesës jashtë dhe Shqipërisë.

Që pushtetarëve shqiptarë të mos u kërkohej llogari pse jemi më keq se ata jashtë, pse jemi të varfër, pse jemi të shtypur.

Tashmë hapja e botës dhe interneti e bëjnë të pamundur këtë lloj sjellje nga pushteti, por mos mendoni që parimi nuk është harruar.

Tashmë është propaganda. “Mos na përmend botën kot, kështu është Shqipëria” që troç do të thotë “Mos na kërkoni llogari”. E pjesë kryesore e këtij mekanizmi prppagande është çdo person që përdor këtë logjikë sa herë nisesh të bësh një diskutim serioz. E më të neveritshëm akoma janë ata që kur vjen puna për detyrimet e individit ndaj shtetit të përmendin Europen dhe kur të vjen puna për detyrimet e Shtetit ndaj individit të përmendin Shqipërine.

Psh ti ankohesh per taksat e larta, koncesionet parkimet me pagesë, pra gjithë detyrimet që ka individi ndaj shtetit e të thonë kështu e ka dhe Europa, kur vjen puna tek detyrimet e shtetit ndaj individit, mjekësia cope cope, arsimi, pensionet, pagat, drejtësia, të thonë “çfarë kërkon kot, kështu e ka Shqipëria”.

Këta janë me te neveritshëm sesa ata që nuk merren fare ei bien shkurt duke thënë “Shqipëri hesapi”.Gjithsesi të gjithë këta individë i shërbejnë pushtetit shtypës dhe propagandës, mbase pa e ditur as ata vetë që janë të shtypur dhe që praktikisht ia fshehin këtë shtypje dhe bashkëbiseduesit. Që turma të mos ketë krahasim. Që turma të mos revoltohet.

Mbase është harruar, por në 1990-91 parrulla më è famshme e atyre që kërkonin demokraci “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” është prova më e qartë që krahasimi ishte bërë dhe u kërkua llogari dhe ndryshim sistemi.
Mbase është koha përsëri të dilet me të njëjtin slogan. Boll na thatë kështu e ka Shqipëria. Nuk ka më asnjë justifikim për ju. 30 vjet gënjeshtra, propagandë e shtypje. Boll.
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Read Previous

Ideja mediokre e vetingut të politikanëve

Read Next

Covid: Virusi mund të ketë vrarë 80 mijë deri në 180 mijë punonjës të kujdesit shëndetësorë, thotë OBSH