Emil Krebs – gjeniu poliglot që dinte shqipen

Nga Ramize Ferati

Emil Krebs ishte sinolog, përkthyes dhe diplomat që ka shërbyer në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë për plot 37 vjet. Ai në mënyrë të dëshmuar ka komunikuar në 68 gjuhë të ndryshme, ka përkthyer zyrtarisht nga dhe/ose në 45 gjuhë dhe gjatë angazhimit të tij ka punuar me më shumë se 100 gjuhë, dialekte dhe varietete gjuhësore. Duke e lënë pas kardinalin italian Giuseppe Mezzofanti (1774-1849), i cili për shkak të zotërimit të rreth 57 gjuhëve dhe themeluesin e shkollës së gjuhëve, amerikanin, Maximilian Delphinus Berlitz (1852- 1921) për shkak të komunikimit të tij në rreth 58 gjuhë, të cilët deri tani janë konsideruar si poliglotët më të njohur të të gjitha kohërave, në bazë të hulumtimeve të deritanishme supozohet se Emil Krebs është gjeniu më i madh gjuhësor në historinë e njerëzimit.

Deri para rreth dy dekadash, Emil Krebs ka qenë tejet pak i njohur për publikun e gjerë. Përjashto disa shkrime të shkurtra në gazeta, të cilat ishin publikuar kryesisht me rastin e vdekjes së tij, Krebs çuditërisht fare pak është përmendur në literaturën shkencore gjuhësore. Këtë fakt, pa mëdyshje, por jo pa qëllim, e ka ndryshuar me angazhimin e tij intensiv, stërnipi i tij, Eckhart Hoffmann, që kur rastësisht i ra në duar një artikull gazete e më pastaj në një libër rreth varrezave të qytetit Stahnsdorf zbuloi emrin e stërxhaxhait të tij në listën e 30 njerëzve të famshëm, të varrosur në varrezat e këtij qyteti. Që nga ai moment Hoffmann pareshtur dhe me një zell të paparë ka gjurmuar dhe mbledhur artikuj, fotografi e shkrime, ka gërmuar në arkiva institutesh e bibliotekash, ka bashkorganizuar ekspozita, e ka zhvilluar intervista me ata pak njerëz, të cilët qoftë edhe në mënyrë të tërthortë kanë poseduar njohuri dhe informacione rreth jetës dhe veprës së Emil Krebsit, duke ofruar kështu një burim të pashtershëm të materialeve e literaturës tejet të çmueshme që shërben për hulumtim.

Një ekspozitë e organizuar nga Ministria e Jashme Federale me iniciativë të Hoffmann-it e shfaqur po aty në mars të vitit 2020 do të ndryshojë përfundimisht perceptimin rreth figurës dhe do t’i japë kahe tjetër rezonancës për veprën e hiperpoliglotit Krebs.

Emil Krebs u lind më 15 nëntor të vitit 1867 në Freiburg dhe ishte njëri nga nëntë fëmijët e çiftit Gottlob und Pauline Krebs. Mësimet e para të fillores i ndoqi në Esdorf, në atë kohë territor i Perandorisë Prusiane, ose Opoczka meqenëse sot i takon Polonisë. “Monsiör, sche edutieh franzeiz. Wollez parler awek moi?“ („Zotëri, unë po mësoj frëngjisht. A dëshironi të flisni me mua?”). Me këto fjalë i qe drejtuar mësuesit të tij Emili nëntëvjeçar, i cili me një fjalorth gjermanisht-frëngjisht që kishte gjetur, kishte nisur të mësonte vetë gjuhën frënge. Në atë kohë, as nxënësi e as mësuesi i tij nuk do të kishin imagjinuar se tri dekada më vonë, Emil Krebs do të konsiderohej fenomen në vetvete e do të admirohej për aftësitë e tij të jashtëzakonshme gjuhësore, për të cilat do të dekorohej madje edhe nga princi prusian e perandori kinez. Deri në përfundim të gjimnazit në vitin 1887 Emili do të zotëronte katër gjuhët që i kishte mësuar në shkollë: gjuhën latine, greke, frënge, hebraike; dhe tetë gjuhë të tjera që i kishte mësuar në mënyrë autodidakte: greqishten e re, anglishten, italishten, spanjishten, rusishten, polonishten, arabishten dhe turqishten.

Gjatë studimeve në Universitetin Friedrich Wilhelm në Breslau, Krebs megjithatë do të merret me shkencat e drejtësisë dhe teologjisë. Detyra si jurist i ri dhe më vonë si gjykatës në Gjykatën Mbretërore në Berlin nuk e përmbushnin dot Emil Krebsin, mbase sepse ajo fushë nuk e ushqente pasionin e tij për gjuhët dhe për shkak se për synim kishte angazhimin e tij në shërbimin diplomatik. Në Seminarin e Gjuhëve Orientale, në Universitetin Friedrich Wilhelm në Berlin që ishte themeluar me qëllim për t’iu ofruar nëpunësve të Ministrisë së Jashtme, por edhe përfaqësuesve të posaçëm tregtarë njohuri të gjuhës, kulturës dhe qytetërimit të Kinës së atëhershme, Krebs u mor me sinologji dhe i thelloi studimet e tij në turqisht.

Pas përfundimit të provimeve, në vitin 1893 Krebs angazhohet në Ministrinë e Jashtme Perandorake në Berlin dhe dërgohet si përkthyes në Dërgatën e Perandorisë së Prusisë në Peking, Kinë ku do të shërbejë për rreth 25 vjet. Për aftësitë e tij të rralla gjuhësore, njohuritë në shkencë, politikë, histori, kulturë dhe ekonomi të Kinës dhe jo vetëm, Krebs gëzonte besim dhe autoritet të shquar nga të gjithë njerëzit që kishin fatin ta njihnin, përfshirë këtu edhe personalitete të shquara qeveritare e oborrtare. Për angazhimin e tij shembullor gjatë bisedimeve paqësore në mes të fuqive të huaja dhe qeverisë kineze nga fundi i vitit 1900 deri në vjeshtën e vitit 1901, Emil Krebs ishte dekoruar nga perandori kinez me Urdhërin e “Dragoit të dyfishtë”.

Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Kinë Krebs tashmë kishte arritur të vetëmësonte edhe një sërë gjuhësh të tjera, disa nga to jo fort të njohura, si gjuha burjate që i përket familjes së gjuhëve mongole dhe është e ngjashme me disa dialekte në Mançuri, gjuhën aravake që i takon familjes së gjuhëve indiane dhe është më së shumti e përhapur në Amerikën Latine, gjuhën gurajate, gjithashtu pjesë e familjes së gjuhëve indiane që përpos në Indi, flitet edhe në Pakistan, Bangladesh, Singapor dhe disa shtete afrikane, gjuhën tokare që flitet në rajonin e Uigurisë në Kinën perëndimore, apo gjuhën e rrallë vede që i takon grupit të familjes së gjuhëve indo-evropiane dhe është paraardhëse e sanskritishtes. Mbresëlënëse dhe mister në të njejtën kohë ishte edhe koha tejet e shkurtër, e cila i nevojitej Emil Krebsit për të mësuar një gjuhë. Holandishten, p.sh. Krebs e kishte mësuar brenda vetëm 14 ditësh, ndërsa gjuhën armene brenda katër javëve.

Krahas detyrës së Përkthyesit të parë, në Peking dhe Shanghai Krebs ishte shquar edhe për aftësitë e tij diplomatike dhe kishte shërbyer edhe si diplomat në koloninë prusiane në Kiatschu. Megjithëkëtë ai me vetëdije e kishte refuzuar ngritjen në shërbimin diplomatik, gjegjësisht gradimin në konsull për t’iu përkushtuar me vendosmëri, edhe pas caktimit të tij këshilltar legate nga Perandori gjerman dhe Mbreti i Prusisë Vilhelm II, studimit të gjuhëve. Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike midis Perandorisë së Prusisë dhe Kinës, Krebs kthehet në Berlin.

Studimeve të gjuhës dhe kulturës shqiptare Emil Krebs besohet t’iu ketë përkushtuar para vitit 1917. Sikurse kishte vepruar gjatë mësimit të gjuhëve të tjera, në saje të regjistrit të literaturës së bibliotekës së tij, Krebs për të mësuar gjuhën shqipe, si bazë ka përdorur Dhjatën e Re të përkthyer nga Konstandin Kristoforidhi në dialektin gegë dhe botuar në Konstandinopojë në vitin 1872, sikurse edhe përkthimin e së njëjtës në dialektin toskë, të botuar nga Shtëpia Botuese Bashkimi i Kombit, në Manastir në vitin 1910. Më pastaj, përpos kombinimit gjermanisht-shqip do të shërbehej me fjalorë dhe gramatika edhe nga gjuhë të tjera, si greqisht, italisht e latinisht me autorë si Konstandin Kristoforidhi, Angelo Leotti, Gustav Weigand, Gustav Meyer, Hil Mosi, Aleksander Xhuvani, Max Lambertz e shumë të tjerë.

Po sipas regjistrit të lartpërmendur, literatura e përzgjedhur nga Krebs lë të supozohet se ai edhe gjuhën shqipe e kishte mësuar për qëllime dhe deri në nivel të përkthimit në fushën e diplomacisë. Krahas literaturës për mësimin e gjuhës, Krebs nga aspekti historik, politik e kulturor është ballafaquar gjatë leximit dhe analizës së veprave të shquara, si “Historia e Skënderbeut” të Fan Nolit, “Historia e Shqipërisë” dhe “Bagëti e Bujqësi” të Naim Frashërit, “Pushka e tradhtarit” nga Zef Harapi, “Këngët kombëtare” nga Lef Nosi, “Hi dhe Shpuzë” nga Lumo Skendo, si dhe një sërë gazetash të kohës në gjuhën shqipe.

Përtej kësaj, Emil Krebs edhe vetë e kishte vërtetuar nivelin e njohurive të tij në shqip në një listë të përpiluar me dorë në vitin 1922 me gjuhët që ka zotëruar: “Shqipen e di mjaftueshëm, sa për të përkthyer nga kjo gjuhë, nëse do të kisha një fjalor.”

Emil Krebs vdiq më 31 mars 1930, pasi nuk i mbijetoi një sulmi në tru. Me qëllim të kërkimeve shkencore truri i Emil Krebsit që prej vdekjes së tij akoma ndodhet i konservuar në Qendrën Kërkimore në Jülich, në afërsi të Düsseldorf-it. 21 vjet pas vdekjes së Emil Krebsit shkencëtarët e kësaj qendre bashkë me gjetjet shkencore prezantojnë të publikuar një fotografi të trurit të hiperpoliglotit Krebs me të cilat vërtetojnë një zhvillim jashtëzakonisht të theksuar të lobit të përkohshëm “lobus temporalis” të trurit, funksionet kryesore të së cilit përfshijnë kuptimin e gjuhës, përvetësimin e kujtesës, perceptimin dhe përpunimin e informacionit dëgjimor, etj.

Deri në ditët e sotme, nuk është hulumtuar ende, nëse dhe çfarë ka përkthyer Krebs në dhe nga gjuha shqipe, apo nëse pas konsolidimit të njohurive të tij të shqipes ka ruajtur ndonjë komunikim për t’u veçuar. Pothuajse e pahulumtuar shkencërisht akoma, është posaçërisht metoda me të cilën është shërbyer Krebs për të vetëmësuar gjuhët e huaja. Vetë Emil Krebs, megjithë talentin dhe angazhimin e jashtëzakonshëm, nuk besohet të ketë shkruar ndonjë libër shkencor, dhe as qe treguar i interesuar ta bartte dijen e akumuluar përmes ndonjë angazhimi në ligjerim, apo mësimdhënie. Të publikuar deri më sot janë një sërë artikujsh dhe përkthimesh nga turqishtja nga fusha e drejtësisë, ndërsa duhet veçuar dy artikuj kritikë me tituj “Veprimtaria gjermane në Kinë” dhe “Politika e brendshshme dhe e jashtme kineze”, të publikuar në revistën “Der Neue Orient” në vitin 1920, si dhe përfundimi i përkthimit të përmbledhjes së shkruar me dorë i teksteve të arteve folklorike kineze, të njohur si “Teatri i hijeve”, apo “Loja e hijeve” në kinezishten moderne dhe më pas në gjermanisht, të cilin e kishte nisur, por nuk e kishte përfunduar para vdekjes, sinologu Vilhelm Grube.

Fatmirësisht Emil Krebs ka lënë një bibliotekë të pasur me rreth 5700 tituj në më shumë se 120 gjuhë të ndryshme, e cila përbën një thesar të çmueshëm për hulumtime ndër tjerash në fushën e gjuhësisë, përkthimit, por edhe të neurologjisë. Kërkimet e mëtejme në këtë aspekt jo vetëm që do të përbënin një kontribut dhe vlerë të shtuar në shkencë, por para së gjithash do të nderonin në mënyrë të merituar talentin e rrallë dhe mrekullinë vetë, Emil Krebs. /PanAlbanica/kumtari.al

Read Previous

Arjan Çani: Basha nuk do ta njohë mbledhjen e kuvendit!

Read Next

Ngjarje dhe informacione historike jashtëzakonisht interesante që, nuk do të gjeni në asnjë libër historie