EMIGRANTI- “THE IMMIGRANT”, GAZETA QË ANATEMOI FAIK KONICËN

-26 SHTATOR 1925-26 SHTATOR 2021-96 VJET MË PARË

-AHMET ZOGU SI NAPOLEONI, I CILI E GJETI KURORËN E FRANCËS MBËRDHE DHE E MORI E VURI MBI KRYE….

DEBATI: A U KONVERTUA FAIK KONICA NË KATOLIK? MOTIVI? KU DHE NË CILËN KISHË TË PARISIT U KONVERTUA? NËSE U KONVERTUA, PËRSE NUK E PËRDORI EMRIN DOMINIK KONITZA?

NGA DALIP GRECA

Para se të nisim shfletimin e gazetës’The Immigrant’, e cila me 26 shtator mbush 96 vjet nga dalja e numërit të parë, është e nevojshme të hapim një parantezë: Nuk duhen paragjykuar drejtuesit dhe gazetarët e saj. ‘Immigranti’ u drejtua nga dy patriotë që kishin dhënë prova si luftëtarë e shërbestarë të Kombit, edhe si luftëtarë të pushkës, edhe të penës. Ata ishin: Peter V. Kolonja-Managing Editor, familjen e të cilit e masakruan bandat vorioepirote greke dhe – Qerim Panariti – Editor (i njohur edhe si sekretar i Nolit, sekretar i Vatrës, dhe Editor i Diellit për më shumë se dy dekada). Panariti luftoi me armë në dorë kundër bandave greke.
Pas mbylljes të Immigrantit, Peter Kolonja,reflektoi dhe pranoi se ai dhe grupi i Worcesterit kishte gabuar me Faikun. Qerim Panariti, pas vdekjes së Konicës, i bëri atij një shërbim të çmuar, i botoi librin ‘Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore’.
Botimi i kësaj gazete nuk e vë në dyshim patriotizmin e tyre, as të grupimit të vatranëve që qëndronin pas kësaj gazete-Dega nr. 5 në Worcester, Ma, së cilës iu bashkëngjitën edhe disa degë të tjera. Ndoshta shkaku i vërtetë i botimit të gazetës ishte ndarja e Konicës nga Noli, antizogizmi i Nolit dhe grupit të tij këtu në ShBA. Konica, duke zgjedhur rrugën e bashkëpunimit dhje pranimit të ofertës të kundërshtarit të Nolit, i kërkoi Nolit që për hirë të Shqipërisë të bashkohej me Zogun, por Noli nuk e gëlltiti ftesën dhe nisi beteja e gjatë mes të dyve, pjesë e së cilës ishte dhe gazeta Immigranti, si avokate e Nolit, ndërkohë që Faiku kishte avokat Dielli-n.
E falenderoj studiuesin Idriz Lamaj që ma vuri në dispozicion koleksionin personal të gazetës Immigranti, e cila tash është pjesë e arkivit të Vatrës.
Pas kësaj hyrjeje vazhdojmë shfletimin e Immigrantit.
***

Gazeta ‘Immigranti’, e përjavshmja që nisi të botohej me 26 Shtator 1925, në Worcester, Massachusetts, ishte një oponente e ashpër përballë gazetës Dielli, e cila kishte hapë frontin e luftës kundër themeluesit të vetë Diellit dhe bashkëthemeluesit të Vatrës,Fan s. Nolit, që ishte rrëzuar nga pushteti prej kundërshtarit të tij Ahmet Zogu. Humbja e Nolit kishte ndryshuar raportet brenda Vatrës dhe mes dy bashkthemeluesëve të saj Nolit dhe Konicës, por dhe grupimeve të tyre.Thirrjet e Konicës për bashkëpunim me Ahmet Zogun pas humbjes së Nolit, nuk u dëgjuan nga ish Kryeministri humbës. Në kushtet e reja Konica mbështeti Kryeministrin Ahmet Zogu për të bërë Shqipërinë, ndërsa Noli zgjodhi emigrimin në Europë dhe vijimin e luftës kundër Zogut dhe shtetit që ai drejtonte. Ahmet Zogu e vlerësoi qëndrimin e Konicës dhe e emëroi atë Ministër të shtetit shqiptar në Washington.
Faik Konica luftonte në dy fronte; të promovonte Republikën e Presidentit Ahmet Zogu dhe të mbante nën kontrollin e tij Vatrën me qëllim që t’i shërbente në mbrojtje të qeverisë. Në këto kushte gazeta Dielli, veçanërisht gjatë editimit të saj nga Aqile Tase, e më pas Refat R. Gurerazezi, ishte i suksesshëm në luftën kundër Nolit. Në faqet e Diellit Noli akuzohej se kishte abuzuar me paratë e vatranëve, kishte treguar paaftësi në qeverisje, shtronte gostira me paratë e vatranëve; më pas u akuzua për bolshevizëm, dhe u denigrua, duke ia mohuar edhe vlerat intelektuale, madje në faqet e Diellit botoheshin letra nga lexues’të porositur’- ku Noli akuzohej se kishte masakruar Shekspirin, se nuk dinte mire as shqip as englisht etj…etj.
Në këto rrethana përkrahësit e Nolit në SHBA, duke qenë se Dielli ua mbylli ‘derën’ për t’u kthyer përgjigje akuzave, vendosën që të hapnin një gazetë të re për ta mbrojtë idhullin e tyre.Numri i parë i gazetës’Immigranti’ doli me 26 Shtator nën drejtimin e një Pleqësie, pas së cilës qëndronin grupime pro Nolit.Pleqësia përbëhej nga:
Kristaq Polena -Kryetar
Ilo Pano-Arkëtar
Rexhep Koburi(Kryetar i Shoqërisë Çamëria për Worcester)-Sekretar
Rakip Suli-Manger
Ligor Th. Stefo-Inspektor
Peter V. Kolonja-Managing Editor
Qerim M. Panariti, Editor
Gazeta kishte këtë atë adresë: 233 P.O. BOX-Ëorcester, Mass-USA.
Në numrin e parë botohej një deklaratë e Pleqësisë, ku tregoheshin arsyet se pse po botohej ‘Immigranti’. Sipas Pleqësisë,Immigranti’ dilte në dritë me shpresën dhe vendosmërinë që të vazhdonte botimin derisa opinion publik ndërmjet shqiptarëve, në Amerikë dhe në Shqipëri, të arrihej në një bashkim të kuptuar, dhe derisa të vihej në udhën e respektimit tërë ata persona që janë mësuar të shkelin të drejtat dhe rregullat e shoqërive shqiptare. Gazeta synonte që të vinte në veprim lirinë e fjalës të gjithë atyre që u janë mbyllur kanalet e Vatrës, edhe pse ishin pjesë e saj.

PROGAMI I ‘IMMIGANTIT’

I gjithë program i gazetës’Immigranti’ përfshihej në katër pika:
‘Immigranti’ do të përpiqet që të ndritojë këndonjësit me arsim secular,shoqëror, fetar,dhe politik.
Do të përpiqet të stërvisë emigrantët shqiptarë që të njohin më kthjellët e më mirë nomet dhe detyrat e tyre kundrejt vendit t’adaptuar.
Do të përpiqet të kthjellojë e të ndritojë mendimet e gjithë shqiptarëve nga koha në kohë përmi çdo ngjarje të ngatërruar që dëmtojnë ose pengojnë për përmirësimin e përgjithshëm.
Dhe në pak fjalë: Do të përpiqet që të jetë, për së pari, një gazetë e lirë e Shqiptarëve të Amerikës dhe prej Shqiptarëve të Amerikës.
Gazeta botohej me 4 faqe. Që në numrin e parë ajo shpalli qëndrimin kundër qeverisë së Zogut dhe kritikon ashpër Kuvendin e fundit të Vatrës, që nën diktimin e Kryetarit Konica, adaptojë një politikë neutraliteti ndaj qeverisë shqiptare dhe i kujton Konicës se dikur e ka cilësuar Ahmet Zogun’Zogollovich’, ‘kriminal’, ‘analfabet’ etj etj…Cudi, shkruan Immigranti, sot zogollovici është bërë’njeri i mirë’, ‘i matur’, ‘i zgjuar’, mik i ngushtë i Faikut.
Përmes shkrimeve kuptohet edhe arsyeja tjetër se përse gazeta botohej dhe mbështetj nga vatranët e Worcester-it. Immigranti kritikon ashpër Faik Konicën dhe zyrtarët e Vatrës që kanë vendosur të shkrijnë degën n.r 5 të Worcesterit, e cila ishte kundër qendrës dhe kundër Konicës.
Immigranti zbulon se ndërmjetësi mes Ahmet Zogut dhe Faik Konicës, ishte i dërguari i Tiranës Fazlli Frashëri. Sipas gazetës, misionari i Zogut dhe kryetari i Vatrës- Konica, mbajtën sekret misionin e z. Frashëri,i cili sa kohë qëndroi në Boston, ishte nën shoqërimin e rreptë të Konicës. Qerim Panariti, shkruan një artikull kritik rreth misionarit të Zogut.As më pak as më shumë Frashëri trajtohet si -i burgosur-‘prisioner’ i Faik Konicës në Boston, që e mbylli aty dhe nuk e la të shkonte nëpër degët e Vatrës apo në kolonitë ku jetonin shqiptarët.

IMMIGRANTI: FAIK KONICA MBRON VRASËSIT E LUIGJ GURAKUQIT

Gazeta nuk e fsheh faktin se është në mbrojtje të Fan s. Nolit dhe kundërshtare e Faik Konicës. Në numërin 2 të saj që u publikua me 3 tetor 1925, ‘Immigranti’ ballfaqon Nolin dhe Konicën për qëndrimet ndaj Luigj Gurakuqit, që ishte vrarë me atentat me 2 Mars 1925 në Bari të Italisë.
Noli e kishte qarë mikun e tij i ’Vigan- Liberator’:
Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor….
Ndërsa Konica, me rastin e vrasjes, shprehte keqardhjen për vdekjen e Gurakuqit, por e akuzonte atë si njeri pa patriotizëm dhe armik i bashkimit!
’Immigranti’ sjell në fokus shkrimin e Faik Konicës, botuar në Diellin e 22 shtatorit, 1925, në të cilin Konica komenton gjatë letrën e Imzot Nolit për të ndjerin Luigj Gurakuqi. Konica e akuzonte Nolin si dorë-prapë dhe gënjeshtar, por për Immigrantin gënjeshtar ishte Konica dhe jo Noli. Për të vërtetuar akuzën gazeta e Panaritit dhe e Petro Kolonjës, sjell vlerësimet e Konicës për Luigj Gurakuqin në dy kohë- Me 5 Prill 1924 Konica kishte shkruar:’Sjellja e z. Luigj Gurakuqi, të cilin elementët e errëta u munduan ta tërhiqnin nga an’ e tyre -është një sjellje fisnike e cila meriton lëvdime. Ndërsa me 12 Mars 1925, në Gazetën Dielli, Faik Konica shkruan: ‘U hidhërova shumë duke marrë vesh vdekjen tragjike të Luigj Gurakuqit. Njeri pa patriotizëm dhe pa ndërgjegje, armik i bashkimit Kombëtar dhe i kuptimit modern të shtetit, intrigant, prapanik, dhe i errët, Luigj Gurakuqi qe tipi më i mbaruar i politikanit të shtrembër dhe nuk e meritonte aspak nderin dhe famën e një dëshmonjësi!
Immigranti pyet lexuesin: Ç’ti themi këtij kritikani të ‘çkëlqyer’? Vetëm dy fjalë: Është i vetmi person që e dreth dhe që gënjen, nuk gënjen Fan Noli! Në qoftë se Fan. Noli ka folur kundër Gurakuqit, kur foli?-pyet Panariti.

SHQIPËRIA KA NEVOJË EDHE PËR ZOGUN EDHE PËR NOLIN

Një tjetër kundërvënie është ajo mes Zogut dhe Nolit, të cilët Immigranti i mat me peshoren e avokatit të Nolit.
Ndryshe nga Dielli i asaj kohe, që Zogun e sheh si shpëtimtar të Shqipërisë dhe Nolin bolshevik të rrezikshëm dhe peshkop të gostirave, ‘Immigranti’ ua njeh meritat të dyve, edhe Nolit, edhe Zogut.Në artikullin-editorial’Zogu dhe Noli’, editori Qerim Panariti shkruan: Në Shqipëri, sot për sot, kemi dy udhëheqës natyralë e me influencë në popull:Ahmet Zogu, i cili sot është në fuqi dhe Peshkop Noli,i cili ndonëse rastet politike e refugosën, asnjeri s’mund të mohojë që Noli është një individ që gëzon simpathinë dhe dashurinë e një shumice shqiptarësh, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë, e vecanërisht këtu në Amerikë, ku ka’fanolistë’ në tërë kuptimin e fjalës….Peshkop Noli është një njeri i nevojshëm, i domosdoshëm për shtetin shqiptar.Këtë të vërtetë duhet ta dijë dhe Noli vetë, dhe Zogu.
Për kundërshtarin e Nolit, jepet ky vlerësim:’Ahmet Zogu ndodhet në krye të shtetit shqiptar.Pozitën që zotëron e fitoi me forcën e energjisë së tij.Gjithashtu, rastet politike i hapnë udhën e Napoleonit,i cili’ E gjeti kurorën e Francës mbërdhe dhe e mori e vuri në krye.’
Zogu ka kurajo Romani, patriotizëm Gjermani, dhe durim e gjakftotësi Inglzi…Këto cilësira e ngritën Ahmetin në krye të shtetit në një kohë shumë të shpejtë dhe në një moshë fare të re. Çdo shqiptar i mirë e i matur duhet t’i japë tërë ndihmën morale Kryetarit tonë të parë dhe jo t’i shtiem shkarpa udhës, pasi trimi i mirë duhet të ketë shokë shumë.
Por përballja nuk mbaron këtu, ‘Immigranti’ shkruan: Nëse lëvdojmë Ahmetin një herë për trimërinë, zotsinë, patriotizmën, dhe taktin e tij të çquar, Peshkop Nolin duhet ta lëvdojmë pesë herë.
Ja pse: Zogu është i lindur e i rritur në Shqipëri, populli e njeh për kryetar se vjen nga derë aristokrate, me fjalë të shkrutëra është”oxhak, i biri botës’. Po Noli i ngratë,i lindur e rritur jashtë Shqipërisë, nga një familje popullore, mundi me forcën e karakterit të tij, me zotërsinë e pashembullt, me oratorinë, me patriotizmin e rrallë, qe i zoti të fitojë simpatinë e tërë popullit shqiptar dhe të hipë në fronin e Kryeministrit megjithë që për një kohë të shkurtër.Po Noli jo vetëm që na nderojë brenda në Shqipëri, po me forcën oratorike dhe me diplomacinë e hollë, na bëri të njohur në botën e qytetëruar. Editoriali mbyllet me idenë se Zogu dhe Noli duhet të bashkëpunojnë për të mirën e Shqipërisë dhe se Kombi ka nevojë për të dy.

KONICA DHE VATRA NË SHENJESTËR

Në çdo numër të gazetës kritikohet ashpër Faik Konica dhe vetë Vatra. Ky binom është përherë në shënjestër. Herë në mënyrë të drejtëpërdrejtë e herë tërthorazi, herë me kritika të rrepta, e herë me humor, Konica akuzohet sepse:
Si kryetar i Vatrës paksoi numrin e anëtarëve nga 2500 në 1000.
Paksoi degët e Vatrës nga 80 në 30.
Shoi degët e madha dhe riorganizoi të vogla për të shmangur kundërshtarët…
E drejton Vatrën në mënyrë autoritare, vetë propozon e vetë vendos e vulos…
Atdhetarët i quan tradhëtorë dhe tradhëtorët i quan atdhetarë…
Paksoi numrin e vatranëve dhe ngriti rrogën e tij nga 50 në $60.00 në muaj….
Gazeta ‘Immigranti’ kishte rreth vetes një grup vatranësh të Worecesterit, dhe në emër të tyre i bënte jo vetëm oponencë Fedratës, por edhe thirrje degëve të tjera dhe cdo vatrani të ndershëm, për t’i thënë’ndal’ Faik Konicës, që ç’qeveriste Vatrën. Vetëm një kuvend i posaçëm do të ishte ilaç shërimi për Federatën ’VATRA’.
Në nr. 3 të emigrantit botohet një deklaratë e gjatë, ku u bëhej thirrje pleqësive të degëve të tjera të bashkoheshin me degën e Worcesterit dhe të shpëtonin Vatrën nga Konica.
Deklarata firmosej nga:
Ligor Th. Stefo-Kryetar
Dhimitër Minka -Arkëtar
Peter V. Kolonja-Sekretar
Kontrollorë: Stavre S. Sotir, Mina Stame dhe Gaqi Malo.
Gati në cdo numër të gazetës bëhej përballja’ Faiku dhe Noli’, ku merrnin përgjigje shkrimet kritike që botonte ‘Dielli’ i Faik-ut. Kur nuk kishte kritika të forta, gazeta e Usterit merrej me shkrime të arkivit të Diellit, ku s’linte rast pa kritikuar Faikun.
Shtylla editoriale godet në çdo numër Konicën, ku kryetari i Vatrës akuzohet si moralist pa moral, një njeri që kërkon lirinë e medias për të tjerët, por e shkel vetë me të dyja këmbët. Për Immigrantin në katër vitet e fundit, ku Faiku komandonte de facto Diellin, liria e shtypit ka qenë vetëm një ëndërr, shqiptarët e mirë e të ndershëm, anëtarë të vjetër të Vatrës janë marrë nëpër këmbë, dhe s’u është dhënë rasti, së paku të mbrohen në gazetën e tyre.Është kjo liri shtypi?-pyet Immigranti.
Gazeta që është në shërbim të Nolit dhe e drejtuar nga Qerim Panariti dhe Peter Kolonja, u kundërvihen shtyllave të Faik Konicës në Dielli dhe krijojnë rubrikën’Shtyllës gënjeshtare të Faik Konicës’. Immigranti e cilëson shtyllën e Konicës të ndërtuar prej pluhuri të ndotur. Kjo shtyllë komenton gazeta e Nolit, e cila kishte dhe përforcusen e saj në Gjenevë’Liria kombëtare’ akuzon Konicën se shtylla dikur e ndritur e Diellit, shtyllë që gënjeu shumë herë si ai’çobani’ që thërriste fshatarët e gjorë’Ujku në kope’ dhe ata-fshatarët linin punët dhe shkonin të jepnin ndihmën e tyre….’Shtyllë’ ti je sot për neve tipi më i mbaruar i’çobanit gënjeshtar’ dhe këtej e tutje, për ata që të njohin mirë, ti je një gënjeshtar…shkruante Immigranti i 17 tetorit 1925.

NË KËRKIM TË NJË ‘KRISHTI TË DYTË’ PËR TË NXJERRË VATRËN NGA VARRI

Në nr 5, të Immigrantit, që u publikua me 23 tetor 1925, nën titullin me shkronja të mëdha korsive’AMNISTI E PËRGJITHSHME’ me nëntitull tepër të gjatë në 5 rreshta, kërkon bashkim kombëtar të të gjithë shqiptarëve dhe akuzon Faik Konicën si shkaktar i të gjithë shkatërrimeve e përcarjeve-Heqja e tij, cilësohet si shpëtim i Vatrës. Duke komentuar dekretin e qeverisë shqiptare për amnistinë, Immgranti arrinë në përfundimin se nuk ka bashkim me Faik Konicën në krye të Vatrës sepse ai i plagosi Vatrën me përcarjet dhe cnderimin e njerzve të ndershëm, dhe plaga do të mbetet e hapur përsa kohë Vatra komandohet nga Konica.
Immigranti i bënte këto komente nën kabllogramin e dërguar nga shefi i zyrës së shtypit, z. Teki Selenica.Në njoftimin për dekretin shkruhej:’Kryetari i Republikës duke marrë parasysh qetësinë e stabilizuar dhe shpresën se të arratisurit jashtë shtetit kanë me u sjellë si nënshtetas të mirë e respektues ndaj statutit dhe ligjeve, sot nënshkroi dekretin për një falje pa asnjë përjashtim. Sipas dekretit, të arratisurit për veprat e tyre në kohën e revolucionit të Qeverisë Revolucionare dhe të kohës së arratisë nuk janë ndjekur e nuk ndiqen. Të gjithë të arratisurit jashtë Shqipnisë janë të lirë të kthehen pa asnjë pengim në Shqipëri.’
Krahas komentit të dekretit, ku shigjetohej Faiku, gazeta e Worcesterit botonte edhe shkrimin analitik”Vatra teshtinë dhe s’thonë dot -Shëndet’, ku analizohen veprimet e Konicës në krye të vatrës dhe mënjanimi apo heshtja e vatranëve, të cilët të zhgënjyer nga keqpërdorimi i timonit të Vatrës prej tij, po zhurmonin, por ishte vonë!
Në shtyllën editorial të nr 5 të Immigrantit, vajtohej fati i Vatrës, e cila ishte shpresë e shqiptarëve; ajo Vatër që shpëtoi Shqipërinë nga coptimi në Konferencën e Versajës; që organizoi Kongresin e Lushnjës; që nxori Italinë nga Vlora, ajo Vatër që tërhoqi vëmendjen e Sir Edward Grey-Lajmëroni shqiptarët e Amerikës të mos harxhojnë më të holla pasi ne e dimë se Korça është Shqipëri;- Sot , Vatra, praktikisht është e vdekur dhe e mbuluar në varr me duart e bardha të Faik Konicës!…Tash do të duhet një Krisht i dytë që të nxjerrë Vatrën tonë nga varri, ku e mbuloi Faiku, duhet t’i japë Vatrës shpirt të ri sikundër i dha Krishti Llazarit kur e ngriti nga varri.Po cili do të bëhet Krishti i Vatrës? Kush tjetër, përvec anëtarëve të Vatrës?
Editoriali mbyllej me përfundimin:Qëllimi ynë është shpëtimi i Vatrës nga vdekja prej dorës së prapë të Faik Konicës.
Lufta në distancë mes Konicës dhe Nolit, përcau dhe organizata të tjera, sic ishte ajo e Çamërisë. Në faqet e Immigrantit dhe të Diellit, përplasin’armët’ Musa Demi i camërve të Amerikës që ishin me Faikun dhe Rexhep Koburi, që ishte me Immigrantin dhe vatranët e Usterit. Të dy grupimet shkuan në gjyq ‘për mustaqet e Çelos’.
Për të krijuar situatë të vështira për Konicën emigrant krijoi edhe rubrika stairike, duke imituar Konicën tek Dielli.
Immigranti përpiqet të mos e godasë shumë qeverinë e Tiranës, madje bëhet edhe zëdhënse duke publikuar dekrete e lajme të zyrës së Shtypit të Qeverisë. Në nr.6 të gazetës botohet shpallja e qeverisë, e dërguar me kabllogram nga zyra e shtypit, ku njoftohet se amnistia për të arratisurit e qeverisë së Nolit kishte afat 1 muaj. Fakti që zyra e shtypit e qeverisë dërgonte informacionet zyrtare në redaksinë e gazetës tregon se ‘Immigranti’ e kishte fituar stausin e përfilljes zyrtare.
Ndërkohë në faqen e parë të atij numri, publikohej nga Presidenti i Immigrantit, Kristaq Polena, një bashëkbisedim me lexuesit, i hartuar në formatin e anketës: E Doni Vatrën siç ishte; siç është, apo siç duhet të jetë? Duke cituar letra të atyre që i shkruajnë Immigrantit për mënyrën se si duhet të ndreqet Vatra, Kristaq G. Polena shtron pyetjen për diskutim -si e doni Vatrën?
Ballfaqimet kundërvënëse, Noli & Konica; vijonë përgjatë të gjithë kohës të publikimit të Immigrantit. Shtylla editoriale vijon të trajtojë të këqiat e karakterit të Konicës. Në nr.7 të 31 tetorit publikohet editoriali me titull’E puthur e Jude Iskariotit’, në të cilin masakrohet jo vetëm, karakteri i Konicës por edhe i të dërguarit të presidentit të Republikës, Faslli Frashëri, i cili dikur humbi garën për deputet në Korcë sepse ishte përballë vatranit kombëtar Kolë Rodhe, por edhe pse nuk fitoi ai, sipas Immigrantit, hyri në Parlament tre muaj pas zgjedhjeve si deputet i Komitetit të fshehtë, me ndihmën e Zogut.
Immigranti nuk pushon së kujtuari Faik Konicës se cfarë ka shkruar për Zogun deri më 1924 dhe si e ka kthyer pllakën më 1925 e në vijim, duke i vënë në pikëpyetje karakterin dhe ndershmërinë.
Gazeta e Worcesterit bën rolin e avokatit për Nolin dhe në ballfaqime të tilla si’E vërteta, Fan Noli dhe Faik Konica” gjithmonë peshorja anon për mirë nga Noli.

VOTW MOSBESIMI PWR KONICWN

Kur Faik Konica fshikullonte Nolin në gazetën Dielli duke e akuzuar për Bolshevik, ‘Immgranti i kujton Faikut se ç’ka shkruar më parë- Në Diellin e 21 qershorit 1924, ai ngrinte Nolin në zenitin e tij dhe e pagëzoi me ‘ujin e gjallë’, si garant i rregullimit dhe qeverisjes së Shqiëprisë. Kur Noli nuk e përmbushi dot atë pritmëri, Konica sërish e shfajsoi. Në Diellin e 25 marsit 1925 shkroi’ Përfaqësonjësi juaj dhe i Vatrës Imzot Noli u përpoq të vazhdonte në vijë të demokracisë dhe të mos largohej nga idealet e Vatrës, por një njeri i vetëm me shokë të liq, s’mund të bëj dot gjësendi’. Ndërsa më pas ai nuk lë akuzë pa ia drejtuar ish mikut të tij, duke e akuzuar për bolshevizëm e komunizëm.
Grupi i vatranëve që mbështet ‘Immigrantin’ kërkon votë mosbesimi për kryetarin e Vatrës në numrin e 7 nëntorit 1925. Thirrja vjen pas problemeve që u shfaqën në degën nr.1 në Boston, të parën degë në historinë e Vatrës, që ishte dhe dega më e madhe. Dega nr 1 e Bostonit ishte mbledhur që të diskutonte me anëtarësinë e saj atakimet që i bënte Faiki Konica Nolit në gazetën Dielli. Në mbledhjen e degës, me përjashtim të dy zyrtarëve, që kishin mbajtë anën e Konicës, të tjerët kishin votuar për mosbesim ndaj kryetarit Faik Konica dhe shkarkimin e tij.
Natyrisht që Faiku mori masa dhe e riorganizoi degën nr. 1 me kryesi të re, e cila pas kësaj u vu në mbështetje të Federatës.
Konica është kthyer në tabelë qitje nga ‘Immigranti’. Në konturet e një faqeje të numërit të 7 nëntorit, në faqen 2 botohen tre shkrime kritike ndaj bashkëthemeluesit të Vatrës: 1- Let Go!- 2- Pikat mbi’i’ 3-Teori e marrjes Hak…Faikut i adresohen kritika të ashpra për bashkimin me Esat Pashën me 1913 për të proklamuar “Qeverinë e Shqipërisë së Mesme”…Për mohimin e Luftës së Vlorës, duke e cilësuar Lëvizja Turke etj…
Duket se Immigranti i ka vënë qëllim vetes dhe grupit të vatranëve që e mbështesin të nxisin vatranët të largojnë Faik Konicën sepse ai qenkish e keqja më e madhe. Në nr. 9, që u publikua me 21 nëntor 1925, i bëhet jehonë kundërvënies së degës së Vatrës nr 36. Numri hapet më titullin” Dega 36 Kërkon Kuvend Extraoridinar!”, me nëntitull: Faik Konitza humbet besimin e vatranëve-!
Degat nr 36 e ushtrontë veprimtarinë e saj në Atlantik City, Nju Xhersi.Informohet lexuesi se dega e Atlantic City ka dërguar protestë në qendër, duke i shkruar Komisionit Qendror, ku i kërkon të marrë masat e duhura kundrejt parregullsive të Z. Faik Konitza, dhe luten për Kuvend të jashtzakonshëm.
Në protestë kërkohej me këmbëngulje Kuvend i jashtzakonshëm, në rrethanat ku vatranët kanë humbur besimin tek Faiku. Në atë numër gazeta akuzon Faikun për përçarje jo vetëm të Vatrës por edhe të çamëve, ndërkohë që akuzhet Vatra se është në gjumë të thellë për çështjen çame. Konica këshillohet që të frenojë zemrimin e tij të pakontrolluar.
Po ç’mendojnë të tjerët për Immigrantin? Gazeta qëmton individë dhe grupime që i bëjnë ‘hosana’, por ndodhte që të botohej edhe ndonjë kritikë nga mbështetsit e Faik Konicës, sic ishte rasti i Hito Sadik, i cili në numrin e 21 nëntorit publikon “Letra e Hapur “. Në të shkruhej: Nga java në javë, një miku im më jep fletën tuaj skandaloze që kini nisur të botoni me emrin Immigranti. Qëllimi juaj kuptohet fare lehtë:Po përpiqeni që të çkatërroni Vatrën e Shqiptarëve të Amerikës dhe villni kundër patriotit të madh shqiptar, Faik Konica.
Keni paturpsinë të gënjeni shqiptarët e pafajshëm duke u thënë:-Faik Konitza nuk gëzon besimin e anëtarëve….Kurse Z. Konica çdo herë është zgjedhur me gjithë dëshirën e anëtarëve të Vatrës…Ai nuk ka paraqitë asnjëherë kandidaturën, por dëshira e anëtarëve e ka vënë që të kryesojë Vatrën që ka themeluar vetë…Ju keni paturpsinë të thoni se Faik Konica tradhëtoj shokët! E vërteta është se shokët e Konicës tradhëtuan besimin e popullit, dhe z. Konica qëndron duke mbrojtur jetën e Kombit, dhe interesat e Kombit, siç i ka mbrojtë nja 30 vjet e tëhu…Shqipëria është e plagosur rëndë ju hidhni valle.Mjeku që mundohet të gjejë ilacin shpresonjës, ju e pengoni. Ju qenkeni patriotë? Punoni si një grup çilimijsh që hedhin lule një statuje të lartë që shkëlqen së largu nga pamja e tij e ndricuar, që ta bëjnë të duket qesharak, se ashtu ua do instikti juaj foshnjarak….
Natyrisht që ‘Immigranti’ toleroi kritikën e ashpër z. Sadik, por i bëri oponencën në fillim, madje oponenca ia kalonte dhe vetë letrës të z. Hito Sadik, ku përmbysej letra dhe karikaturohej personaliteti i Konicës. Aq sa i mohohet edhe qenia bashkëthemelues i Vatrës: ”Z. Hito Sadik:Kush të paska thënë se Faik Konica qenka themelonjës i Vatrës? Qenke ‘misinformuar liksht’. Po të duash pyetna neve që të tregojmë, djemëve të rinj si ti, nga të cilët Shqipëria pret shumë…

EDHE NJË HERË PËR DOMINIK KONICËN

Është folur jo rrallë për konvertimin e Faik Konicës nga muslimanë në katolik. Edhe Immigranti nuk mund ta linte që t’i shpëtonte ky fakt.Në nr. 28 të gazetës që u botua me 10 Prill 1926, në faqen e praë, me shkronja të mëdha, nëntitulli i gazetës përmbante pikërisht lajmin, që pasigurimnë e konvertimit e shprehte me fjalinë pyetëse: Faik Konica Pagëzuar Katolik me emrin Dominik Konica?
Immigranti e akuzon Konicën se po përçanë Vatrën duke mbjellë ndasi fetare. Sipas Immigrantit, Konica po përcanë shqiptarët duke shkruar kundër të krishterëve dhe harron se dikur u ka bërë thirrje muhamedanëve që të ktheheshin në të krishterë. Sipas gazetës këtë thirrje Konica e ka bërë për të shkëputur ndonjë’metalik’ nga Peshkopi katolik i Parisit, të cilit i kishte pasë dhënë fjalën se do t’i kthente shqiptarët muhamedanë në katolikë.
Immigranti shkruante: Faik beu, gjarpëri lernaik, për të siguruar një burim ari, hodhi një çap më tutje: Që t’i mbushet mendjen Peshkopit Katolik të Parisit, se ishte i bindur n’atë mendim, i dha një provë konkrete:u pagëzua prej tij në katolik dhe iu dha emri i Shenjtit-Dominik Konitza.
Gazeta, që nuk i vendos autor shkrimit, vijon: Këtë emër dhe besimin e ri, sa di unë, Faik Konica nuk i ka shfaqur kurrë botërisht.Andaj iu lutem të gjithë shqiptarëve dhe vecanërisht z. Noli-në e pranoftë dhe Faik Konicës-të kenë mirësinë të më zgjidhin pyetjet që vijojnë:
Kur e në ç’kishë u pagëzua Faik Konica në Paris?
Si quhej Peshkopi që e pagëzoi?
Cili shqiptar u ndodh në pagëzim?
Ç’relacione pati më vonë Faiku a Dominiku me Peshkopin?
Pse nuk e ka përdoru emrin Dominik?
Sa të holla ka marrë prej Peshkopit të Parisit?
Në të njëjtin numër gazeta botonte edhe editorialin’Të Krishterët dhe Vatra’ ku kritikohet ashpër Faiku për tezën e tij të elaboruar në Dielli se të krishterët nuk janë aq të stërvitur në politikë sa muahmedanët.
Në numrin e 5 qershorit 1926, Immigranti i riboton sërish pyetjet pa përgjigje të Dominik Konicës me kërkesë të Dr. Xhevat Korcës.
Ndërsa në nr. 36, 12 qershor 1926, përvecse ribotoheshin 6 pyetjet, në vend të kryeartikullit botohej shkrimi’Dominik Konica’. Shkrimi është nënshkruar me pseudonim’Bato’. Duke se qëllimi është sërish denigrimi i Konicës, i cili ricilësohet me epitete dhe fyerje’për një metalik shet shpirtin’, dhelpër me fytyrë njeriu’, Jago i gjallë’, ‘Gjarpër lernaik’ etj.
Pyetja e autorit të pashfaqur të artikullit, është kjo:Përse nuk përgjigjet Faik Konica?
Sipas Ali Këlcyrës pagëzuesi i Faik Konicës quhej Dubois dhe se Konica i paska kërkuar 500 franga!
Në Immigrantin nr 41, 31 Korrik 1926, botohet në vend të editorialit’Letër e Hapur Zotit Faik Konica’ me autor Dr. Xhevat Korca, e cila mbanë në fund datën e dërgimit 10 Korrik 1926, shkruar në Zara. Profesori i shtron pyetjen: A është e vërtetë që jeni pagëzuar? Në qoftë se po,a keni mirësinë të më jepni përgjigje për të gjashtë pyetjet, apo nuk e gjeni opurtune? Sidot që të jetë, duhet ta dini se tema është me rëndësi, andaj nuk duhet të heshtni, po t’i shtroheni këtij bisedimi të ndershëm…Letra mbyllet me pyetje: Në u largofshit dhe ju prej pyetejes seme Z. Konica, tregon se cështja e pagëzimit s’është e pastër dhe se do t’më detyroni të sillem ashtu si thoni që po i bëni Nolit me shokë….

 

/kumtari.al/Gazeta Dielli/

Read Previous

Këngëtari i mirënjohur, Ilir Shaqiri, ka lajmëruar se do të vijë së shpejti për publikun me një libër të ri.

Read Next

Jens Stoltenberg reagon për situatën në kurfirin Kosovë – Serbi