El Clasico dominohet nga madrilenët

Eksperienca e madrilenëve të Realit bëri diferencën përballë talenteve të Barcelonës, me Los Blancos që ia dalin të marrin tri pikët falë fitores 1-2, të vulosur nga një gol mjaft i bukur i austriakut David Alaba në pjesën e parë dhe një tjetër i Lucas Vasquez në shtesë.

Për herë të parë pas 16 vitesh, El Clasico luhej pa Messin e Ronaldon dhe të gjithë prisnin me interes se cili prej yjeve të rinj do të rrëmbente skenën në “Camp Nou”, teksa në fund ishte Reali i Madridit që u largua me tre pikë.

Pas një faze studimi në 20 minutat e para, sfida u ndez nga një depërtim i Vinicius Junior në zonë, i cili kërkoi edhe penalltinë për një kontakt me Minguezën, por nuk mendonte kështu arbitri, që pas konsultimit edhe me VAR, vijoi lojën.

Në minutën e 25-të erdhi edhe mundësia më e mirë e shënimit për Barcelonën, me Memphis Depay që zbriti shpejt dhe shërbeu në qendër të zonës, aty ku holandezi tjetër Sergino Dest humbi një penallti në lëvizje, duke shpërdoruar një rast të artë për gol.

Vetëm pak minuta më vonë ishte Reali që zbriti në kundërsulm, këtë herë me David Alabën, që si rrallë herë e pa veten në krahun e majtë të sulmit dhe pasi rregulloi topin, lëshoi një të majtë të hidhur, duke e dërguar në rrjetën e portës së Ter Stegen.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, katalanët zbritën në një tjetër kundërsulm të rrezikshëm, me Jordi Albën që shërbeu për Ansu Fati, por goditja e talentit të ri të Barcës u bllokua që në nisje.

Pjesa e dytë ishte më e vakët në raste, me Benzema që i shkoi pranë golit të dytë, por hasi në pritjen e gjermanit ter Stegen, ndërsa nga ana tjetër Barcelona tregoi dëshirë të madhe për të shmangur humbjen, por jo qartësinë e duhur.

Në minutat shtesë katalanët krijuan një tjetër rast të mirë shënimi, por nuk konkretizuan dhe nga kjo përfituan Los Blancos, që zbritën në një kundërsulm të shpejtë me Asension, i cili gjuajti, por grushtoi Ter Stegen, ndërsa topin e kthyer e shtyu në rrjetë Lucas vasquez, që mbylli llogaritë e ndeshjes.

Golin e nderit për katalanët e shënoi Sergio Aguero në minutat shtesë, megjithatë vlejti vetëm për kënaqësinë personale të argjentinasit, që mori duartrokitjet e para në “Camp Nou”. Me këtë fitore Reali i Madridit ngjitet në krye të renditjes me 20 pikë, ndërsa Barcelona mbetet në vendin e 8 me 15 pikë.

Barcelona – Real Madrid 1-2 Aguero 96’/ Alaba 32′, Vasquez 91′

Read Previous

COVID-19 në vendin tonë / Pësojnë rënie shifrat e koronavirus / Ja si paraqitet situata në 24 orët e fundit

Read Next

Kryeministri Rama në Egjipt; Si do ta presë “vëllai” i tij këtë vizitë?