E quajti monstër/ Ish-gjyqtarja i përgjigjet Edi Ramës: Do të kthem sërish në drejtësi

Ish-gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha u arrestua më 11 shkurt të vitit 2021 për korrupsion, pasi akuzohet se ka liruar nga burgu disa persona me të shkuar kriminale.

Asokohe, Hoxha u etiketua nga kryeministri Edi Rama si një monstër, teksa thoshte se reforma në drejtësi po jepte rezultatet e para.

Në një rrëfim për emisionin “SOT” në “Euronews Albania”, Hoxha i ka kthyer përgjigje për herë të parë kryeministrit Rama, duke thënë se nuk është monstër dhe se do të kthehet më e fortë.

“Më kanë etiketuar me një etiketim monstër, ndërkohë që kurrsesi nuk më përket ai etiketim, nuk jam e tillë.

Sigurisht që dalja nga këtu apo rifillimi i jetës sime do jetë i vështirë, por jam gati të përballem më gjithçka, për sa kohë jam e bindur në gjykimin dhe në ushtrimin e një detyre nga ana ime ashtu siç duhet.

Nëse do kthehem përsër, pasi është një gjë që do ta kërkoj deri në fund që të kthehem si gjyqtare, do të kthehem më e fortë se më parë”, u shpreh Hoxha.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) e ka dënuar Hoxhën me 3 vite burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar, do të kryejë 2 vite burg.

Ish-gjyqtarja ndodhet në paraburgim dhe çështjen e saj e ka dërguar në apelin e GJKKO.

Hoxha rrëfeu edhe se si e ka pritur familja e saj arrestimin që iu bë.

Hoxha tha se policia ia kishte kthyer shtëpinë përmbys, ndërsa aty ndodheshin djali, prindërit, vajza dhe vëllai i saj.

Ajo tha se fëmijëve u ka thënë se do të kthehet në shtëpi shumë shpejt, ndërsa tregoi se djali, vajza dhe i ati u mërzitën shumë nga ngjarja.

“Djali ishte në një gjendje të mjerueshme, vajza po ashtu, prindërit e mi pa fund dhe nuk po arrinin të kuptonin se çfarë kishte ndodhur”, tha ajo.

Hoxha tha se i ati donte ta shoqëronte në paraburgim, por një gjë e tillë nuk lejohet.

Ajo u qendron vendimeve që e çuan në burg.

“Po t’u kthehesha çështjeve të mia në gjykatë, do të merrja të njëjtat vendime”, shprehet ajo.

Hoxha thotë se vendimet i ka marrë me gjykimet dhe bindjet e saj, në raport me zbatimin e ligjit.

“Janë vendime, gjykime të cilat janë gjykuar mbi bindjen time të brendshme dhe mbi një bindje profesionale gjithmonë në zbatim të ligjit. Janë çështje, të cilat janë trajtuar, janë shqyrtuar drejtë dhe edhe nëse i kthehem prapë këtyre vendimmarrjeve patjetër do të merrja të njëjtat vendime”, u shpreh ajo.

Hoxha beson se nga ana e saj nuk ka çaluar diçka në vendimmarrjet e saj, pavarësisht natyrës së punës.

“Nuk besoj se nga ana ime ka çaluar diçka në vendimmarrjet e mia, absolutisht jo, për shkak të punës që bëja, për shkak të ngarkesës, për shkak të një produktiviteti në punën time, e cila ishte maksimale ne shkallën e lartë në çdo analizë vjetore e bënte kjo gjykatë”, tha ajo.

Read Previous

Një shaka presidenciale? PS fton për këshillim, gruan e kryeministrit, Ylli Ndroqin dhe konsullatën greke

Read Next

Oligarku rus kritikon ‘masakrën’ në Ukrainë