E kemi rritur çmimin e miellit me 10%, e gjitha nga shtrenjtimi i grurit

Intervistë me Roland Hysa, president i “Miell Tirana”

 

Fabrikat e miellit kanë rritur çmimet e shitjes për furrat e bukës me afërsisht 10% që prej muajit gusht. Roland Hysa, president i kompanisë “Miell Tirana”, thotë për “Monitor” se rritja ka ardhur e gjitha nga shtrenjtimi i grurit në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, z. Hysa thotë se rritja e çmimit të bukës nuk ka ardhur vetëm nga shtrenjtimi i miellit.

Sipas tij, në këtë rritje ka ndikuar edhe shtrenjtimi i lëndëve të tjera të para, por sidomos rritja e kostos së punës për furrat e bukës, si dhe procesi i fiskalizimit.

 

Cilat janë shkaqet e rritjes së çmimit të miellit dhe a prisni të vazhdojë kjo tendencë?

Besoj se është e qartë që rritja e ccmimit të miellit ka ardhur si efekt i rritjes së çmimit të bursës së grurit. Nga ne, rritja e ccmimit u aplikua pas datës 20 gusht me nga 1 lek për çdo furnizim dhe ka arritur +4 lekë ose 10% nga fillimi i rritjes së çmimeve në bursë.

Rritja ka ardhur gradualisht sipas rritjes së ccmimit të grurit që kemi importuar. Më lejoni t’ua detajoj sasitë dhe çmimet e furnizimeve tona në muajt e fundit. Gruri i importuar nga Serbia në korrik ka qenë 1150 tonë x 176 EUR/ton; gruri i importuar nga Serbia në 16 gusht ishte 520 tonë x 196 EUR/ton; gruri i importuar nga Serbia në 31 gusht ishte 522 tonë x 209 EUR/ton; gruri i importuar nga Serbia, në 7 shtator, ishte 517 tonë x 222 EUR/ton.

Në këtë moment që flasim, gruri importohet nga Serbia me 226 EUR/ton. Ndërkohë, gruri i importuar nga Rusia, në datë 20 gusht, ishte 2419 tonë x 250 USD/ton; gruri i importuar nga Rusia, në datë 23 gusht, ishte 2333 tonë x 258 USD/ton; gruri që erdhi në datë 24 shtator nga Rusia ishte 3260 tonë x 344 USD/ton. Gruri që erdhi në datë 2 tetor nga Rusia ishte 5300 tonë x 344 USD/ton.

Nga 1 tetori 2021, taksa e eksportit në Rusi për çdo ton grurë nga 52.6 USD që ishte në shtator ka arritur në 63.9 USD për ton. Trendi i ccmimit të grurit është në rritje dhe çmimet më datë 7/10/2021 në burse janë CIF Durrës 365 USD, pra 21 USD më tepër se një muaj më parë, dhe 115 USD më tepër nga sa ishin më datë 20 gusht 2021.

Ne bazë të rritjes së ccmimit të miellit prej 5 lekë duhet të shtrenjtohet edhe buka në vlerën 2.2 lek/bukë 700 gramë. (1 kg bukë = 650 gramë miell). Por, ne mendojmë që nuk është mielli faktori i vetëm për rritjen e çmimeve të bukës dhe produkteve të tjera të brumit. Aty ka ndikuar edhe rritja e ccmimeve të produkteve të tjera, si vaji, margarina, gjalpi, sheqer dhe paketimi. Por, faktori kryesor i rritjes së çmimit të bukës mendojmë se është kosto e rritur e fuqisë punëtore dhe procesi i fiskalizimit.

Sot një furrxhi dhe një pastiçier nuk punojnë me pagat e para dy viteve, por kërkojnë dyfishin e pagës, pasi nuk ka fuqi punëtore të kualifikuar. Edhe kërkesat e jetës kanë ardhur në rritje. Gjithsesi, buka shitet poshtë çmimeve të vendeve të tjera fqinje pasi çdo produkt që blen furra importohet nga Italia ose Gjermania (pajisje, frigorifer, lëndë të para dhe materiale pastiçerie), ndërsa vendet fqinje i kanë prodhimet e tyre.

 

Çfarë masash nga qeveria mund të ndihmojnë në një amortizim, qoftë edhe të pjesshëm, të rritjes së çmimeve për bizneset dhe konsumatorët?

Një masë që mund të merret është ulja e TVSH-së së miellit dhe bukës në vlerën 6%, të paktën për periudhën kur çmimi i grurit është në nivele të larta. Një ndihmesë tjetër mund të jetë krijimi i mundësive për kredi për mjete qarkulluese, në mënyrë që të blejmë sa më shumë grurë, pasi tani për të njëjtën sasi importi, duhet dyfishi i mjeteve monetare. Gjithashtu, ne kërkojmë që nafta të subvencionohet për fabrikat e miellit dhe furrat e bukës.

 

A e shihni si rrezik për industrinë tuaj rritjen e mundshme të çmimeve të energjisë elektrike?

Patjetër. Një nga kushtet më të domosdoshme për të përballuar këtë situatë është mosndryshimi i tarifës së energjisë elektrike për fabrikat e prodhimit të miellit dhe furrave të bukës, pasi është element kryesor në industrinë e prodhimit të miellit dhe të bukës.

 

Një hetim i Autoritetit të Konkurrencës, që u mbyll vitin e kaluar, arrinte në konkluzion se prodhuesit kryesorë të miellit në vend kanë ndjekur një sjellje të bashkërenduar në përcaktimin e çmimeve. Cili është qëndrimi juaj ndaj rezultateve të këtij hetimi?

Në tregun shqiptar janë 8 fabrika me kapacitet prodhimi mbi 150 tonë/24 orë. Gjithashtu janë dhe fabrika që punojnë me kapacitet më të vogël, si dhe disa mullinj më të vegjël. Kapacitetet prodhuese në Shqipëri janë rreth 1800-2000 tonë/24 orë.

Kërkesa për produktin miell në Shqipëri është rreth 600 – 700 tonë/24 orë. Pra, kapacitetet prodhuese janë dy herë e gjysmë më shumë se kërkesa e tregut për miell. Përqindja e tregut që kompanitë kanë në treg lëviz sipas situatës së secilit operator, ka qenë në ndryshim të vazhdueshëm. Madje ka shkuar deri në falimentimin dhe ndryshimin e pronësisë për dy fabrika moderne dhe të rëndësishme për tregun shqiptar, të cilat mbulojnë rreth 30% të kapacitetit prodhues.

Fabrikat në Shqipëri janë fabrika moderne me teknologji bashkëkohore dhe impiante të instaluara pas viteve 2000. Kosto e përpunimit të grurit për këto fabrika është thuajse e njëjtë. Gruri si lëndë e parë nga këto fabrika përpunimi sigurohet nga importi dhe është mall burse.

Çmimi i shitjes përcaktohet nga tregu, kapacitetet prodhuese janë dyfish më të larta se kërkesa në treg dhe nuk mund të ketë marrëveshje mes prodhuesve për të fiksuar çmimet, sepse është fare e thjeshtë që klientët të gjejnë produkte zëvendësuese për çmime më të ulëta. Konkurrenca po bëhet me çmim dhe këtë e vërteton dhe norma e ulët e fitimit. Rritja e ccmimeve sot vjen si rezultat i rritjes së çmimit për lëndën e parë, grurin në të gjithë botën, rritjes së kostove të transportit, si dhe nga taksat për eksport, të vendosura nga vendet eksportuese, si Rusia.

Nëse nuk do t’u përgjigjemi këtyre rritjeve të çmimeve, bizneset tona do të shkojnë në falimentim të sigurt. Sot mbijetojmë vetëm duke ulur normën e fitimit dhe kapacitetet prodhuese. Gjithashtu, duam të theksojmë që nuk mund të ketë bashkërendim çmimi midis fabrikave të Shqipërisë për të siguruar më shumë fitim, pasi konkurrenca nga fabrikat e vendeve fqinje në Kosovë, Serbi, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Greqi është shumë e fortë.

Fabrikat e Serbisë, të cilat janë prodhues gruri me tokat e tyre dhe njëkohësisht përpunues, gëzojnë avantazh me fabrikat e vendit tonë, pasi jo vetëm që posedojnë tokat, por dhe subvencionohen për eksportin e produkteve të tyre. Këto fabrika kanë 40% subvencion për çdo investim që bëjnë në fabrikë, ndërsa ne i bëjmë investimet me kredi. Nga sa thashë më lart, është e qartë që nuk mund të ketë bashkëpunim për të fiksuar çmimet mes disa ndërmarrjeve në një treg me konkurrencë kaq të lartë.

 

A ka ndikuar rritja e çmimeve të grurit në performancën tuaj financiare?

Marzhi për një ton produkt të përpunuar nuk ka ndryshuar, por duhet pasur parasysh se marzhi i fitimit në këtë industri është shumë i ulët. Ndër vite, fitimi ynë është luhatur mes 1,4% dhe 2,6 % të xhiros. Për periudhën janar –korrik 2021 kemi një humbje prej rreth 25 milionë lekësh.

Për vitin e kaluar dhe më deri tani gjatë këtij viti, ne kemi pësuar rënie të të ardhurave dhe të pjesës së tregut. Me një marzh fitimi të ulët dhe me një pjesë të tregut të ndryshueshme në vazhdimësi, cili është qëllimi i bashkërendimit të çmimeve??? Kjo tregon se nuk ka marrëveshje për tregun dhe nuk ka përcaktim çmimi. Nëse rris çmimin më tepër se konkurrenti, humbas klientë. Nëse e ul çmimin poshtë kostove të mia, atëherë humbas para.

 

Sa e ndien industria juaj konkurrencën nga mielli i importit dhe a janë adresuar problemet e ngritura nga ju lidhur me abuzimet me cilësinë e miellit, konkretisht përdorimi i miellit me përqindje të ulët proteinike për prodhim buke?

Hetimi paraprak i hapur nga Autoriteti i Konkurrencës ishte pikërisht për këtë arsye: për importimin e miellit me vlera proteinike të ulëta, i destinuar për biskota, por që në Shqipëri është përdorur jashtë qëllimit të tij, duke ndryshuar destinacion dhe duke u përdorur masivisht në furra buke.

Ndryshimi i destinacionit për këtë produkt vërtetohet vetëm me krahasimin e sasisë së importuar të këtij lloj mielli dhe nevojat e vendit tonë për miell biskotash dhe ëmbëlsirash. Ne si fabrika nuk e dimë cilat janë arsyet e ndryshimit të objektit të hetimit nga Autoriteti i Konkurrencës, nga hetim i tregtarëve importues të miellit në Hetim të Fabrikave prodhuese të Miellit.

 

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet sot industria juaj dhe si e parashikoni ecurinë e tregut për pjesën e mbetur të 2021 dhe për vitin 2022?

Sfidat janë të shumta. Më e reja është rritja e vazhdueshme e çmimit të grurit dhe sigurimi i lëndës së parë. Problem tjetër është shtrenjtimi i naftës, që po rrit kostot e transportit, por edhe kostot e prodhimit, për shkak të efektit në çmimet e disa lëndëve të para ndihmëse.

Tashmë po përballemi edhe me rrezikun e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Një problem tjetër është vështirësia për të siguruar forcën punëtore dhe rritja e kostos së punës. Së fundmi, po vërejmë një qasje negative të institucioneve kundrejt një prej industrive më moderne të vendit.

Nëse kjo qasje vazhdon, do të na detyrojnë të mbyllim fabrikat dhe të kthehemi nga prodhues mielli në tregtarë, duke nxjerrë të papunë me qindra punëtorë dhe duke krijuar varësi për importin e miellit nga Serbia. Pastaj është sfida më normale për çdo biznes, që është konkurrenca e lartë nga brenda dhe jashtë vendit.Monitor.al

 

Read Previous

Mielli mund të shtrenjtohet më tej me 12%, makaronat deri në 40%

Read Next

Lëkundje tërmeti janë ndier në Tiranë