Dyshimet/ Firmat e Damian Gjiknurit “lehtësuan” aferën gjigande të inceneratorëve (Dokumenta)

Rrjeti i kompanive të inceneratorëve dyshohet nga Prokuroria Speciale se kanë ngritur një rrjet gjigand korrupsioni dhe pastrimi parash, me dijeni dhe lejen e zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dyshohet se i ka hapur rrugën koncensionit 128 milionë euro të landfillit të Sharrës, nëpërmjet një nënshkrimi “naiv”, duke shpërfillur Këshillin Bashkiak dhe legjislacionin e pushtetit vendor.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dyshohet se ka paguar inceneratorin e Fierit edhe për kohën kur nuk ka pasur punime, duke i rënduar Buxhetit të Shteti një dëm prej rreth 2 milionë euro.

Kryetari i Bashkisë së Fierit, dyshohet se ka një rol vendimtar në shkeljet ligjore, për të cilat tashmë është në pranga Alqi Bllako. Megjithatë, SPAK ende nuk e ka hedhur vështrimin nga Armando Subashi.

Ish-ministri i Ekonomisë, ish-ministri i Financave dhe aktualisht zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, konsiderohet si “i dyshuari perfekt” në aferën e inceneratorëve.

Por, ky cilësim për Ahmetajt mund t’i atashohet edhe Damian Gjiknurit, ish-ministrit jetëgjatë të Infrastrukturës dhe aktualisht deputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste.

Firma dhe kontributi i Gjiknurit në aferën e inceneratorëve është i dukshëm dhe i gjerë. Për më tepër, të dhëna publike treguan se Damian Gjiknuri ka udhëtime jashtë shtetit të njëkohshme me ata që konsiderohen si “bosët e inceneratorëve”, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.

***

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar ka arritur në përfundimin se procedura e ndjekur për nënshkrimin e kontratës koncensionare për ndërtimin e inceneratorit të Sharrës, është zhvilluar në kundërshtim me ligjin.

Autoritetet kanë zhvilluar procedurën e “negociimit, pa shpallje paraprake”, ndërkohë që ligji e përjashton këtë lloj mekanizmi në kontratat koncensionare.

Për abuzimet me procedurën tashmë janë në burg ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, si edhe disa zyrtarë të Komisionit që përgatiti dokumentacionin e Koncensionit me vlerë 22 milionë euro dhe të fituar nga “Albtek Energy”.

Kompani është në pronësi të biznesmenes së shpallur në kërkim, Stela Gugallja, pjesë e rrjetit të kompanive me personazh të dukshëm Klodian Zoton.

Para se të finalizohej kjo procedurë, Lefter Koka, në cilësinë e autoritetit kontraktor, ka marrë paraprakisht opinionin e disa kolegëve të tij qeveritarë.

Damian Gjiknuri, në cilësinë e ish-ministrit të Infrastrukturës, është shprehur dakord me procedurën e paligjshme të caktuar nga Lefter Koka.

Në një komunikim zyrtar me Lefter Kokën në 17 nëntor 2014, Gjiknuri rezulton se është shprehur parimisht dakord.

Për më tepër, Gjiknuri është shprehur se përzgjedhja e procedurës negociim pa shpallje është përzgjedhur drejt nga Autoriteti Kontraktor pas vlerësimit të përmbushjes së kushteve të caktuara nga legjislacioni në fuqi, siç rezultoi nga dokumentat e publikuar gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar për Inceneratorët.

Në fakt, siç rezultoi nga hetimet e SPAK-ut, procedura e sugjeruar nga Koka ishte tërësisht në kundërshtim me ligjin, dhe kjo konfirmohet edhe nga një qëndrim i Drejtorit të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) të asaj kohe, Eduart Ahmeti.

Në foto: (Ish)-Drejtori i Agjencisë së Prokurimit Publik, Eduart Ahmeti, ka konstatuar se procedura “me negociim, pa shpallje paraprake” nuk parashikohet nga ligji për kontratat koncensionare

Por, pavarësisht shkeljeve të rënda ligjore, Gjiknuri është shprehur dakord me procedurën e Lefter Kokës, duke vendosur një gur të rëndësishëm në “aferën e inceneratorëve”.

Roli i Gjiknurit në impiantin e përpunimit të mbetjeve të Elbasanit vijon edhe më tej.

Ministri i Financave i kohës, Shkëlqim Cani, u tregua skeptik për mbështetjen financiare të procedurës koncensionare. Megjithatë, pas dy refuzimesh zyrtare, edhe Cani “u dorëzua me kushte”.

Në datën 10 Dhjetor 2014, Cani shpreh miratimin paraprak të tij, por deklaron se procedura duhet finalizuar pasi të merret më parë edhe visto nga Ministria e Infrastrukturës,  e cila ka në varësi KESH, lidhur me përballimin e riskut të çmimit të energjisë, duke qenë se inceneratori i mbetjeve parashikohej që të prodhonte energji elektrike.

Në foto: Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, kërkonte miratimin paraprak të Gjiknurit, para se të miratohej financimi për impiantin e mbetjeve të Elbasanit

Nënshkrimi i kontratës me “Albtek Energy” lë të kuptojë se Gjiknuri nuk ka qenë dakord thjesht në parim, por ka pasur edhe një rol aktiv në parashikimet e kontratës koncensionare, e cila u hartua mbi bazën e një procedure të paligjshme.

Mungesa e kontrollit mbi faturat

Në 9 nëntor 2016, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impiantit të mbetjeve në Elbasan, në bazë të një dokumenti të nënshkruar më herët nga Damian Gjiknuri.

Sipas Miratimit të Gjiknurit, impianti do të ndërtohej brenda 18 muaj nga miratimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave (9 nëntor 2016).

Në foto: Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, miraton Aktin për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impiantit të Elbasanit, në 31 Tetor 2016

Por, të dhënat zyrtare dëshmojnë se “Albtek Energy” është paguar duke nisur nga 8 muaj më herët, që prej Gushtit 2015, pra para miratimit të vendimit për nisjen e punimeve.

Në fakt, këto pagesa janë kryer nga Ministria e Mjedisit. Megjithatë, në 13 Shtator 2017, Këshilli i Ministrave i kalon kompetencën e mbikqyrjes së punimeve të inceneratorëve Ministrisë së Infrastrukturës.

Në foto: KLSH konstaton problematika me pagesat paraprake për “Albtek Energy”

Gjiknuri ka pasur të gjitha mundësitë për të kryer verifikimet për pagesat e kryera edhe më parë, si edhe ato më pas.

Por, nuk rezulton të jenë kryer verifikime dhe as amendime të mundshme të kontratës për çështjen e faturave të para, ndërkohë që palët janë investuar për ndryshimin e Marrëveshjes mes tyre për çështje të tjera.

Në vijim, Gjiknuri dyshohet se ka lejuar pagesat për kompaninë koncensionare të Elbasanit, pa kryer verifikimet zyrtare mbi punimet.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të kryer në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka konstatuar një seri problematikash lidhur me pagesat për kompaninë e Stela Gugalljas.

Rezulton se një pjesë e mirë e punimeve të kryera nga shoqëria “Albtek Energy” shpk në kuadër të ndërtimit të impiantit nuk janë të shoqëruara me faturat tatimore përkatëse nga operatori”, thuhet në raportin e KLSH-së.

Në të njëjtin Auditim vijohet: “Nuk ka një raport përmbledhës mbi punimet e kryera deri në periudhën raportuese nga mbikqyrësit, në rastin konkret nga njësia e zbatimit të projektit”.

Në foto: Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton problematika në mënyrën e pagesës së koncensionarit “Albtek Energy”

Pra, duket se shoqëria “Albtek Energy” shpk ka pretenduar kryerjen e punimeve të caktuara për ndërtimin e impiantit, por ndërkohë nuk dispononte asnjë faturë tatimore për të dëshmuar kostot e ndërtimit.

E, megjithatë, Ministria e Infrastrukturës, nën drejtimin e Damian Gjiknurit, ka vazhduar të lëshojë urdhër pagesat për mbulimin e kostove të punimit.

Situacionet e punimeve janë miratuar paraprakisht nga kompania supervizore, “Ave Consulting”, e njëjta që gjendet edhe tek inceneratorët e Fierit dhe të Tiranës, e përzgjedhur nga kompania koncensionare, në kundërshtim me ligji për prokurimet publike.

Ky ligj parashikon se supervizori duhet të jetë i pavarur, i paanshëm dhe raporton për situacionet e punimeve tek autoriteti kontraktor, pra tek institucioni shtetëror.

Dokumentat e publikuar në Komisionin Hetimor Parlamentar zbuluan se kompania mbikqyrëse e punimeve ishte përzgjedhur nga vetë koncensionarët e inceneratorëve në Elbasan, Fier e Tiranë dhe paguhej po prej tyre për të bërë kontrollin e punimeve.

Më së paku, kjo zgjedhje nuk shmang dyshimet legjitime për “konflikt interesi”.

Ministria e drejtuar nga Gjiknuri nuk rezulton të ketë marrë asnjë masë për shmangien e kësaj situate konflikti interesi në dukje.

Ndërkohë që dyshimet publike dhe zyrtare të SPAK-ut tregojnë që, më se paku në rastet e Elbasanit dhe Fierit, kompanitë koncensionare janë përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash, nëpërmjet faturave fiktive dhe bashkëpunim me zyrtarë publikë.

“Koncensioni” i dytë

Kontrata koncensionare ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe “Albtek Energy” parashikonte ndërtimin, operimin dhe më tej dorëzimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve pas përfundimit të periudhës 7-vjeçare.

Kontrata parashikonte vetëm dy momente, kur afati mund të shtyhej-në rastet e forcës madhore ose kur autoritetet shtetërore nuk kishin mundësi financiare për pagesat ndaj koncensionarit.

Në 31 Tetor 2016, ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, miraton Aktin për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impiantit me rekuperim energjie nga trajtimi i mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit.

Në foto: Akt-Miratimi i Gjiknuri për periudhën 25-vjeçare

Në pikën 7 të këtij akti, parashikohet se kohëzgjatja e këtij miratimi vlen për një afat 25-vjeçar dhe në këmbim shoqëria “Albtek Energy” shpk do t’i paguajë cdo vit ministrisë përgjegjëse për energjinë (Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës) një “royalty” të barabartë me 2% të sasisë vjetore të energjisë së prodhuar ose vlerën në lekë të kësaj sasie së bashku me cdo përfitim tjetër shtesë.

Ky akt i Gjiknurit krijon dyshimet se, në fakt, Ministria e Infrastrukturës i ka dhënë një “koncension të dytë” kompanisë “Albtek Energy”, me afat 25-vjeçar, duke shmangur të gjithë parashikimet ligjore.

-Marrë nga Boldnews.al/

 

Read Previous

Hapet pika e re e kalimit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë

Read Next

NGA ISHULLI I PROVERBAVE