Dyshime për kokainë në kontejnerin e ‘Bana King’/ Jepet masa për të arrestuarit

Është dhënë masa për  20 personat e arrestuar ditën e Diel, 15 prej të cilëve punonjës të Sigurisë Portuale në Portin e Durrësit dhe një operator i Firmës “Marinier”, shoferi të cilët dyshohet se kanë hapur kontejnerët me banane përpara se ato të kalonin kontrollin.

Prej tyre 11 janë lënë në gjendje të lirë. Ndërsa për 9 prej të arrestuarve është dhënë masa “Arrest me burg”.

Sipas hetimeve, kontejneri me banane “Bana King”, ka mbërritur nga Ekuadori në portin e Durrësit në datën 8 Korrik 2022. Punonjësit portualë kanë konstatuar se kontejnerit i mungonin plumbçet e sigurisë.

Nuk dihet me saktësi nëse kontejnerit i janë hequr plumbçet në Durrës apo në ndonjë port tjetër. Por tashmë ajo që dihet është fakti se nga kontejneri janë hequr plot 49 kuti me banane.

Pikërisht në këto kuti, dyshohet se ka pasur pako me kokainë, ndaj dhe janë hequr dhe larguar nga kontejneri.

Ndërkohë nga kontrolli fizik dhe numerik i të gjitha arkave me banane, policia dhe prokuroria e Durrësit, nuk kanë gjendur asnjë kilogram drogë.

Në dosjen hetimore, thuhet se kontejneri vinte me 1200 kuti me banane dhe është konstatuar mungesë dhe zhvendosje kutish.

“Seksioni për hetimin e trafikut të paligjshëm dhe narkotikëve në drejtorinë vendore të policisë Durrës u vu në dijeni nga përfaqësues të Autoritetit Portual Durrës se gjatë kontrollit të kontejnerit u ishin hequr plumbçet e sigurisë gjatë kohës që ai ishte në mbikëqyrje dhe kontroll në vendin ku ruhen kontejnerët. Më pas, është hapur ky kontejner dhe është konstatuar se sipas dokumentacionit të dorëzuar në momentin e mbërritjes ishte i ngarkuar me 1200 kuti me mbishkrimin “Jumbo Bana King” të ndara në gjashtë rreshta. Gjatë kontrollit është konstatuar se rreshtat e mesit kishin mungesë dhe zhvendosje të disa kutive, ku mungonin 49 kuti me banane”, lexohet në dosje.

Në dosjen e Prokurorisë depozituar në gjykatë ,thuhet se kontejneri me banane, në të cilin mungonin 49 arka, është lëvizur nga kati i parë në katin e tretë, më datë 13 korrik. Kontejneri kishte mbërritur në Portin e Durrësit më 8 korrik, ndërsa parregullsia u zbulua nga policia më 17 korrik.

Read Previous

‘Kush e garanton trafikun e kokainës nga Porti i Durrësit?’

Read Next

Berisha përshëndet hapjen e negociatave: Do ta shpëtojmë shpejt vendin nga regjimi i Ramës