Droga në Durrës përsëri në kontenierët e Bana King- media hesht

Konteineri i dyshuar se ishte ngarkuar me kokainë, i kapur sot në Portin e Durrësit, ku u arrestuan 20 persona, është në pronësi të firmës së bananeve “Bana King”. Por arkat e dyshuara me drogë u zhdukën përpara se agjentët e policisë të binin në gjurmët e autorëve, mëson Newsbomb.al.

Kjo nuk është hera e parë që kompanisë “Zico Sh.a” që ka brendin “Bana King” , i del emri për sasitë e mëdha të kokainës që janë transportuar përmes konteinerëve që sjellin banane nga Amerika Latine në Shqipëri.

Por  mediat në Shqipëri heshtin dhe nuk e përmendin emrin e kompanisë “Bana King”. Po të shikosh me vëmendje kompania “Bana King” është më prezentja në mediat shqiptare nëpërmjet reklamav. Është kompania që ka më shumë reklama në emisionet dhe mediat kryesore të vendit tonë.

Newsbomb.al mëson se skema e trafikantëve për të kaluar kokainën pa u pikasur nga autoritetet portuale por edhe agjentët e anti-drogës, është e ngjashme me mënyrën e trafikimit të kokainës në portet e Hollandës.

Konteineri ka mbërritur nga Ekuadori dhe me t’u shkarkuar nga anija, u depozitua në zonën e sheshit portual, ku ndodhen edhe shumë konteinerë të tjerë në pritje të firmave përkatëse për të kryer procesin e zhdoganimit.

Të gjithë konteinerët kanë vulosjen me plumb si dhe numrin përkatës serial, por konteineri i “Bana King” nuk i kishte këto elementë të sigurisë. E teksa ka qëndruar në pritje të zhdoganimit, autorët kanë arritur të heqin prej konteinerit plot 49 kuti, të dyshuara me një sasi të madhe kokaine.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar në konteinerin e “Bana King”, autorët morën një pjesë të kokainës por nuk arritën ta transportojnë të gjithën duke lënë pas 7 arka me 119 kilogramë kokainë. Sipas kësaj llogarie, nëse një arkë mban diku te 17 kilogram kokainë, në 49 arkat që mungonin dje në Durrës mund të ketë patur deri në 833 kg kokainë.

Policia e Durrësit vazhdon të mbajë të arrestuar plot 20 persona, 18 prej të cilëve janë punonjës së doganës. Kjo ka shkaktuar edhe paralizimin thuajse të plotë të punës në portin më të madh të vendit. Dy personat e tjerë të arrestuar janë shoferi që priste konteinerin dhe një punonjës i kompanisë.

Vlen të theksojmë se sheshi portual ku depozitohen konteinerët para se të nisë procesi i zhdoganimit është i monitoruar me kamera. Për këtë konteiner raportohet se policia ka patur dyshime dhe e ka mbajtur nën vëzhgim prej disa ditësh, por trafikantët janë treguar më të shpejtë duke e hequr drogën përpara se të kalonte në skaner./CNA.al

Read Previous

Scholz: nuk mund të përballojë më që vendet e tij të kenë të drejtën e vetos kur vendoset për politikën e jashtme

Read Next

Ku e lamë? Nga Ylli Manjani