nga KARLO KUADROJA
Duhej të dilte skandali “McGonigal”, që shqiptarët të dëgjonin shumë emrin e Dorian Duçkës.
Ky i fundit nuk është një emër i padëgjuar, ish-zëvendësministër i energjetikës, i cili shpesh është përfolur në qarqet politike dhe mediatike të Tiranës për lidhjet e tij të forta me kryeministrin si këshilltar i tij, por edhe lëvizjet që ai bënte për çështjet tregtare.
Duke qenë privat ai nuk luan thjesht dhe vetëm me negocimet.
Influencon gjithë kapacitetet që ai ka në tregti, duke ndërhyrë sa në pjesën zyrtare e sa të biznesit për të shpejtuar, lidhur apo zgjidhur çështje të ndryshme politike dhe tregtare.
Nuk është e çuditshme në rastin McGonigal, Dorian Duçka.
Bëmat e Dorian Duçkës
Ata që qarkullojnë lehtësisht në tregun e Tiranës e dinë shumë mirë. Është i lidhur fort dhe me mediat, paguan deri te portalet.
Dorian Duçka hyn te njerëzit që bëjnë gjithçka. Është këshilltar i jashtëm me Ramën, por e keni edhe në fluturime me Ramën.
Mjafton të shikoni udhëtimet e kryeministrit te çarterat e famshëm dhe aty do të gjeni edhe Dorian Duçkën.
Do ta gjeni pas Edi Ramës në vizita të tij mjaft të rëndësishme, siç është rasti i Ukrainës.
Një këshilltar i jashtëm pa pagesë nuk merret me Ukrainën, ai është thjesht dhe vetëm për të dhënë ndonjë mendim.
Kurse Dorian Duçka nuk është një i tillë. Nuk është një oborrtar i thjeshtë që hyn dhe pi një kafe me Ramën një herë në gjashtë muaj.
Është prezent çdo ditë, është aktiv në politikën shqiptare.
Dorian Duçka është njeriu që krijon lëvizje politike, sulme dhe goditje mediatike, jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë të Edi Ramës, por edhe për çështje të caktuara tregtare dhe biznesi.
Për interesa që lidhen me investime.
Rama dje në media e mohoi lidhjen me tendera, por ne fakt, nën rrogoz, e di apo nuk e di Rama, nën tokë, kalojnë tubacione të pandalshme dhe lidhjesh të Dorian Duçkës me biznese dhe institucione politike shqiptare ku ai troket si gjithmonë në “autoritetin”, e këshilltarit të kryeministrit.
Dorian Duçka zëvendësoi Ramën në jo pak raste.
I jashtëm apo i brendshëm, në Shqipëri lehtësisht paraqitesh në institucione si këshilltar i Ramës dhe besojmë se tashmë të gjithë e dinë se çfarë do të thotë një prezantim i tillë.
Dorian Duçka nuk është spektator, por është aktor i rolit të parë. Nuk është kryesori ndoshta në filmin e politikës shqiptare, pasi atë rol e luan Rama, por është zëvendësuesi i Ramës në jo pak raste.
Ndoshta Engjëll Agaçi i kryeministrisë mbahet si eminenca gri, sekretar i përgjithshëm për firmat dhe procedurat ligjore.
Ndërsa eminenca tjetër gri e Edi Ramës në negociata me lëvizje spektakolare nëpër takime, jo vetëm me McGonigal, por që janë me dhjetëra dhe qindra, në tryezat, në negociatat, në pazaret dhe influencat që Duçka kërkon në emër të Ramës apo shërbimet që ai i bën kryeministrit dhe nga ana tjetër bizneset dhe aktivitetet që ai ka i shtrin përtej Shqipërisë.

Dorian Duçka nuk është një emër i rastësishëm për ta quajtur thjesht dhe vetëm nipi i Ilir Metës apo dikur Iliri ia ka kërkuar një nder. Nga këto frazat qesharake dhe banale që përpiqen t’i hedhin në treg së bashku me foton e dy të rinjve që takonin McGonigalin.
Të gjitha këto kanë dorën dhe firmën e Dorian Duçkës dhe lidhjeve të tij të nëndheshme. Shumë janë edhe të errëta. Shkojnë përtej asaj që duket, fasadës së një këshilltari të papagesë të kryeministrit Rama.
Është një personazh kompleks që në errësirën, të cilën e ndërton vetë kërkon të ndezë fije drite për interesa personale klienteliste qoftë edhe korruptive.
Gjithçka kemi parë 48 orët e fundit në lidhje me gazetarë që deklarojnë, në lidhje me foto që dalin në “Top Channel” e të tjera si këto mbajnë emrin dhe firmën e Dorian Duçkës, të këtij këshilltari rastësisht pa pagesë të kryeministrit që ndoshta nuk i duhen fare pagesat e Edi Ramës, pasi mjaftojnë influencat, mjaftojnë zgjidhjet, kontratat dhe marrëveshjet që krijohen.
Dhe Dorian Duçka nuk ka nevojë të ketë një post zyrtar, mjafton emërimi si këshilltar pa pagesë dhe të tjerat shkojnë e vijnë.
Kontratat bëhen mal, bizneset rriten kudo e përqindjet e Duçkës shtohen e shtohen dhe shpërblimi është politika dhe marrëdhënia që duhet t’i krijojë kryeministrit Rama kudo nëse ai mundet me kapacitetet që ka.
Investimet që kryhen pastaj duhen parë gjatë fluturimeve apo dhe takimeve ku ka qenë Duçka, apo ku ka munguar ky i fundit sepse shumë i kanë bërë edhe të tjerë.
Rrjeti nuk është vetëm Duçka, ai një nga kryesorët, ka edhe shumë të tjerë.
Rrethi është i gjerë, por Duçka është nga më ekzemplarët, siç e theksuam më lart. Mjafton të shikoni reagimet e tij të ditëve të fundit për të kuptuar se kush është ky eksponent i Edi Ramës, i cili ka qenë zëvendësministër dhe tani e quan këshilltar të jashtëm pa pagesë.
Në fakt, pagesat i merr nga punë të tjera./ CNA.al