Donald Trump nën arrest, çfarë do të ndodhë në seancën e sotme

Ish-presidenti Donald Trump ka mbërritur në zyrën e prokurorit të qarkut të Manhattanit, ku tashmë është nën arrest dhe në paraburgim.

CNN raporton se Trump pritet t’i merren gjurmët e gishtërinjve si pjesë e arrestimit. Trump më pas do të hyjë në sallën e gjyqit dhe do të njihet me akuzat, e më pas do të shpallet fajtor ose i pafajshëm.

Kjo do të jetë një seancë e shpejtë dhe rutinë, por që përfaqëson një moment surreal dhe historik në historinë e SHBA.

Trump nuk pritet të vihet në pranga pas arrestimit të tij, pasi ai do të mbetet nën mbrojtjen e vazhdueshme të forcave të rendit.

Ndërkohë ish-Presidenti Donald Trump reagoi në rrjetet sociale, teksa ishte rrugës për në zyrën e prokurorit, duke shkruar: Duke u nisur për në Manhatanin, në Gjykatë. Duket kaq SUREALE – WOW, ata do të më arrestojnë. Nuk mund të besohet se kjo po ndodh në Amerikë.

Trump del para gjykatës

Ndërsa ish-presidenti amerikan Donald Trump doli para gjykatës në Manhattan, në pritje të nisjes së procesit ku do t’i bëhen të ditura rreth 30 akuzat penale me të cilat do të përballet, mbështetësit e tij u mblodhën jashtë gjykatës.

Si mbështetësit e ish-presidentit ashtu edhe kritikët ndaj tij ishin rreshtuar në rrugë përpara se ish-presidenti të mbërrinte në gjykatë.

Ndërkohë në godinën e gjykatës  ka mbërritur edhe Alvin Bragg, prokurori i cili ndjek çështjen.

Në një përmbledhje të asaj që po ndodh dhe që pritet të ndodhë, kujtojmë se sot po zhvillohet një seancë gjyqësore ku do t’i bëhen të ditura akuzat.

Më pas Trump do të pyetet se si deklarohet në lidhje me akuzat, veprim pas të cilit gjyqtari vendos nëse ai do të lirohet me kusht apo do të mbahet në paraburgim.

Në të njëjtën kohë, janë duke u zhvillua përgatitje në Mar-a-Lago për kthimin e Trump.

Janë vendosur karriget dhe flamujt për konferencën për shtyp që pritet të japë ish-presidenti kur të kthehet në Florida.

Shtëpia e Bardhë “kyç gojën” para ngjarjes së paprecedentë

Shtëpia e Bardhë ka zgjedhur të heshtë në lidhje me akuzën dhe arrestimin e Trump në Nju Jork.

Konferenca e sotme e përditshme për shtyp filloi me çështje të tjera – kryesisht pranimi i Finlandës në NATO.

Megjithatë, shpejt erdhi pyetja e parë në lidhje me aktakuzën e Trump.

“Ky është një rast në zhvillim dhe ne thjesht nuk do të komentojmë. Presidenti do të përqendrohet te populli amerikan, siç bën çdo ditë,” tha sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre.

Read Previous

Berisha i përgjigjet Yuri Kim: Po i bën shërbimin e fundit Ramës, fole njëlloj si McGonigal me fustan

Read Next

Transporti publik falas, Belind Këlliçi: Kam marrë mijëra mesazhe, entuziazëm i jashtëzakonshëm!