Vlera e dollarit amerikan ka arritur nivelin më të lartë në 20 vite.
Dhe ndryshimet në vlerën e valutës më të rëndësishme në planet, sigurisht që do të ndjehen në çdo cep të globit.
Shumë i kanë akuzuar këto fushata të Rezervës Federale si kontribuuesit kryesorë të rritjes së inflacionit në SHBA, por në të njëjtën kohë, sa më të larta të jenë normat e interesit në një vend, aq më atraktiv bëhet ai shtet për investitorët e huaj të cilët kanë kontribuuar direkt në rritjen e vlerës së dollarit.
Përfituesit
Që nga viti 1945, nafta shitet dhe blihet vetëm me dollar amerikan. Dhe një dollar më i fortë ndikon drejtpërsëdrejti në çmimet e naftës.
Kjo sepse një dollar më i fortë do të thotë se sasi më të mëdha nafte mund të blihen për të njëjtën vlerë dhe kjo do ta ndihmojë çmimin e një fuçie naftë të bie.
Në të njëjtën kohë, importet e huaja bëhen me të lira për konsumatorët amerikanë, gjë që pritet të ndihmojë edhe në uljen e inflacionit në vend.
Turistët amerikanë gjithashtu përfitojnë. Kur dollari amerikan ngrihet në krahasim me valutat e tjera, amerikanët mund të blejnë më shumë produkte/shërbime gjatë udhëtimeve të tyre jashtë vendit.
Bizneset e huaja ku këta turistë amerikanë do të shpenzojnë dollarët e tyre do të përfitojnë gjithashtu.
Rezerva Federale: Një dollar më i fortë përkthehet në çmime më të ulëta për importet që vijnë në SHBA – gjë që kontribuon direkt në uljen e inflacionit.
Humbësit
Kosto e eksporteve amerikane do të ngrihet – sidomos për produktet industriale – duke i bërë ato shumë më të shtrenjta për blerësit e huaj, gjë që do të ndikojë në uljen e shitjeve dhe si rrjedhim fitimeve, sidomos për fabrikat vendase.
Europa dhe shtetet me shumë borxhe: Ndërkohë që një dollar më i fortë ndihmon në uljen e inflacionit në SHBA, ai ka një efekt tërësisht të kundërt në shtetet e tjera, ku zhvlerësimi i valutave ka kontribuar në rritjen e kostos së importeve – sidomos naftës.
Amerikanët përtej oqeanit: Kompanitë amerikane që operojnë në shtete jashtë SHBA-së do të dëmtohen nga forcimi i dollarit. Kjo sepse produktet ose shërbimet e tyre do të bëhen më të shtrenjta në këto shtete, dhe si rezultat, më pak konkurruese. Kompani si Microsoft, Apple apo Costco që kanë shumë klientë të huaj jashtë SHBA-së kanë parashikuar ulje në fitimet e tyre këtë vit.
Burime sugjerojnë se Rezerva Federale Amerikane do të vazhdojë të ndërmarrë fushata të tjera agresive në javët që vijnë, duke i rritur edhe më tej normat e interesit, dhe duke e forcuar dollarin edhe më shumë.
Këto manovra po ushtrojnë presion edhe mbi Bankat Qendrore të shteteve të tjera për t’i rritur normat e tyre të interesit në mënyrë që të mund të zhbëjnë sadopak nga humbjet e tyre kundrejt dollarit. /Euronews.al