Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Fjoralba Dizdari ka reaguar pas publikimit të një fotoje ku është edhe McGonigal.
Dizdari ka sqaruar rrethanat kur është bërë fotoja me ish agjentin e FBI-së.
“Për sqarim të opinionit publik, kjo foto është e datës 16 nëntor, i 5 viteve me parë, ku unë dhe ish partneri im, po darkonim për ditëlindjen time.
Pranë tavolinës tonë ishte një mik i joni me partneren e tij, të cilët na u bashkuan në mbrëmje.
Në përfundim të darkës, nëpërmjet një të njohurit tonë, na ftuan të dy çifteve për një pije dhe aty u prezantuam me zyrtarin e huaj.
Kjo foto është bërë me insistimin e tyre dhe pranuam pa asnjë kompleks.
Tavolinës i’u shtuan zyrtarë të Partisë Socialiste dhe ne nuk ndejtëm gjatë dhe u larguam. Ka qënë hera e parë dhe e fundit që unë jam takuar me këtë njeri, ndryshe nga zyrtarë të lartë të qeverisë Rama”, sqaron Dizdari në rrjetet sociale.
Ajo mohon të ketë qenë e përfshirë asnjëherë në interesa financiare me personat në fjalë, as si shtetase shqiptare, as si pjesë e Partisë Demokratike dhe asnjë aludim i këtij lloji.
Dizdari është shprehur me tone të ashpra ndaj Top Channel, media e e cila ka publikuar foton.
“Propaganda dhe lojrat e qeverisë, nuk mund të fshijnë aferat e tyre me lajme si kjo e ditës së sotme, apo foto rastësore, për të cilën duke qënë pjesë e medias prej vitesh, nuk arrij ta kuptoj, se si një media pranon të përdoret si mashë e qeverisë, për të zbehur aferat korruptive dhe për të relativizuar rrokullisjen e pashmangshme të pushtetit, me lajme të tilla.
Këto manipulime, thjesht më konfirmojnë frikën e njerëzve të perfshirë në akuzat e ditëve të fundit dhe e bën misionin tim politik akoma më të vendosur”, shkruan më tej Dizdari.