Burime ekskluzive për “JOQ Albania” kanë zbuluar detaje tronditëse në lidhje me ngjarjen e raportuar më herët për një vajzë 2-vjeçare të shtruar në Pediatrinë e QSUT. E mitura ishte paraqitur në datë 15 nëntor në Urgjencën e Pediatrisë në QSUT me diegie cigareje në trup, por për shkak të gjendjes së rënduar, ditën e sotme është transferuar në reaminacion.
Sipas burimeve, ndaj të miturës është ushtruar një dhunë e pamendueshme. Ajo ka djegie me cigare kudo nëpër trup, madje edhe pranë organeve gjenitale. Sipas burimit, e mitura është abuzuar edhe seksualisht.
Por ajo që është më e rëndë, është se abuzimet kanë kohë që kanë ndodhur, pra e mitura është abuzuar sistematikisht. Fotot e dërguara pranë redaksisë sonë janë tepër të rënda.
Ato do të publikohen vetëm në këtë artikull në faqen web, për një arsye të vetme. Që autoritetet të marrin menjëherë masa për arrestimin e personave përgjegjës dhe për të larguar këtë fëmijë të pafajshëm nga një familje që nuk ka ditur ta mbrojë dhe që ka lejuar që ndaj saj të bëhën këto dhunime fizike të pamendueshme, shkruan JOQ.
Kumtari nuk po i publikon fotot, për shkak të pamjeve tejet sensitive dhe ruajtjes së privatësisë.