Debatet me dyer të “mbyllura” ne PD

Deputetët që i janë bashkuar “foltores”, përveç rezervave të procedurave që ndjek lidershipi, thanë se po distancohen qëllimisht dhe nuk po angazhohen në çështje të caktuara. Ndërkohë tashmë është e qartë se mosdakordësitë mes Bashës dhe Berishës e kanë ndarë edhe Grupin Parlamentar.

Teksa një pjesë ankohej, një pjesë tjetër e deputetëve kanë mbrojtur vendimmarrjen e kryedemokratit Lulzim Basha. Ky i fundit duket se këtë herë ishte përgatitur për t’iu përballur dallgës së sulmeve nga të tijtë brenda grupit dhe pasi doli për disa momente nga mbledhja për t’u rikthyer sërish, kreu demokrat sqaroi edhe një herë se përse e ndërmori vendimin.

Basha u shpreh para deputetëve të tij se vendimin e kishte marrë personal pikërisht për të shmangur atë që po ndodhte në Grupin Parlamentar: ndarjen mes mbështetësve të Berishës dhe të tij. Ndërkohë, këtë herë foli pa dorashka për ish-liderin demokrat. Basha akuzoi Berishën se po e kthen çështjen e tij personale të shpalljes “non grata” nga SHBA në çështje të PD-së. Ndërkohë, Basha ripërsëriti edhe një herë zotimin se ai nuk do të lejojë që të mblidhet asnjë forum i Partisë Demokratike për të marrë në shqyrtim një vendim të SHBA-së.

Ndërsa iu përgjigj edhe sqarimeve të Berishës, i cili thotë se forumi nuk do të shqyrtojë vendimin e SHBA-së, por të Bashës. Sipas kreut të PD-së, Berisha kërkon që ta bunkerizojë PD-në për interesat e tij personalë. Pasi mbajti këtë qëndrim, kreu i PD-së mbylli mbledhjen dhe u largua për t’u takuar me Ambasadorin e Gjermanisë.

Debati:

Edmond Spaho: Na thoni që do të çojmë të mërkurën ndryshime pa i ditur njeri se çfarë po çoni. Po firmosim një letër pa kokë pa asgjë. Kjo nuk është Partia Demokratike. Ky nuk është modeli që neve na çon në sukses. Ne nuk jemi këtu njerëz pa integritet dhe njerëz që nuk kanë ide. Duhet të jenë gjërat e peshuara mirë. Janë ndryshime kushtetuese dhe s’mund të bëhen sot për nesër. Nuk duhet të ndikoheni nga propozimet e Ramës për organet e vetingut dhe ju ta përdorni në formë shkëmbimi.

Lulzim Basha: Ndoshta jemi keqkuptuar. Këtu ne kemi rënë dakord që këto janë çështjet. Këtë nuk po e them për herë të parë. Ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut normal që duhet të zhbëhen. Për këtë edhe ju jeni dakord.

Tritan Shehu: Ndryshimet kushtetuese nuk bëhen për tri ditë. Ndryshimet kushtetuese duan një proces shumë të gjatë diskutimi dhe vendimmarrjeje. Edhe ne që nuk jemi juristë, duhet ta kemi draftin, sepse mund të konsultohemi me juristët tanë të besuar. Unë nuk firmos një letër që vjen këtu pa kokë, pa asgjë.

Lulzim Basha: Çështjen “Becchetti” e kemi diskutuar. Ata s’e ngritën dhe ne do ta çojmë në Kushtetutë. Në grup nuk do ta diskutojmë nen për nen, por në parim

Tritan Shehu: Jo, nuk bëhet kështu. Nuk mund të vendosni ju një grup dhe ne të firmosim kështu pa konsultuar.

Gazment Bardhi: Grupi Parlamentar është një trupë politike që miraton në parim dhe nuk do të ulemi nen për nen të bëjmë draftin e të themi shtoje këtë e hiqe atë. Teknikalitetet i bëjnë ekspertët, ne biem dakord në parim. I lexojmë dhe nëse kemi diçka në parim, e themi. Por nuk ka ndodhur që të thuhet pse s’na e solle neve. Edhe Mondi e di shumë mirë se ka qenë kryetar grupi se si kanë ardhur letrat këtu dhe si janë firmosur. Kjo u bë për lehtësim që deputetët të mos vijnë disa herë. Nëse ka ndryshime rrugës, firmosim sërish.

Oerd Bylykbashi: Jam dakord me z. Spaho që nuk ka urgjencë. Unë kam qenë pjesë e të gjitha reformave të mëdha që janë bërë dhe s’ka ndodhur ndonjëherë që ne të sillnim amendamentet para se të diskutonim. Nga eksperienca e reformave të mëparshme, në fillim krijohej një platformë dhe diskutohej dhe pasi ezauroheshin diskutimet, atëherë e finalizonim në draft. Kështu e kemi bërë me ligjin për dekriminalizimin, kështu e bëmë për Reformën në Drejtësi, kështu e bëmë me Reformën Zgjedhore. Edhe para tri javësh këtë kërkova, që të kemi një strategji të qartë për reformat. Reformat duhet të bëhen për reformat dhe jo për t’iu përgjigjur Ramës, sepse kështu e dëmtojmë.

Edmond Spaho: Gabim kam bërë që kam vepruar ashtu. Kërkoj ndjesë që kam vepruar ashtu dhe ju duhet të mësoni nga gabimet e mia.

Gazment Bardhi: Mirë bën që kërkon falje, por nuk është ndonjë gjë, sepse kjo bëhet për të lehtësuar punën dhe jo për të fshehur ndonjë gjë.

Dashnor Sula: Ça na tregoni përralla me mbret këtu. Ju keni ardhur me brekë nëpër këmbë në prill të 2008-ës për të votuar ndryshimet kushtetuese që kërkonte Sali Berisha. Dhe janë ato ndryshimet kushtetuese që na sollën këtu. Ndërkohë tani na tregoni jo s’jemi konsultuar jo të lexojmë. Po ku jetoni ju?! Tani këtu jemi në mbledhje grupi apo jemi në komitetin e ringritjes së partisë në sheshin e “foltores”. Tani unë e kuptoj ku e keni hallin, por nuk ka lidhje me temën. Unë kam qenë nga ata që dola kundër në 2008-ën dhe e pagova se nuk u zgjodha më. Dhe pastaj, në 2009-ën, mezi formuam qeverinë.

Ramadan Lika: Nuk duhet që deputetët të ndahen me njëri-tjetrin. Duhet të funksionojmë si një grup. Duhet të japim ide dhe mirëkuptim dhe të mos kërkojmë llogari. Bashkimi është i domosdoshëm që edhe ne të mos ndahemi jo të Berishës, jo të Bashës. Kush i fryn kësaj i bën një dëm të madh bazës së PD-së.

Lulzim Basha: Nuk e kam parë të arsyeshme të reagoj kundër spekulimeve, gënjeshtrave e shpifjeve të ulëta ndaj meje, me të cilat po bombardohet prej disa javësh anëtarësia e Partisë Demokratike dhe opinioni publik. E kam përjashtuar dhe vazhdoj ta përjashtoj nga axhenda ime investimin e kohës dhe energjive në shfaqje publike me “më the, i thashë, e më tha” brenda llojit, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndryshojnë natyrën e përballjes politike në Shqipërinë e sotme të njëmijë e një problemeve dhe halleve që kanë qytetarët e thjeshtë: nga përballje e opozitës me qeverinë, e shndërrojnë në hidh e prit të ish-kryetarit historik Sali Berisha me kryetarin e rizgjedhur vetëm para katër muajsh me parimin “një anëtar, një votë”, që jam unë.

Këtë kënaqësi apo dhuratë, Edi Rama me bandat e tij nuk do ta ketë kurrë nga unë. Unë e refuzoj arenën ku më ftojnë spekulimet dhe shpifjet e ricikluara të listës tetëvjeçare apo gjashtëmbëdhjetëvjeçare të kundërshtarëve të mi politikë në Partinë Socialiste, që sot i recitojnë të zemëruarit dhe të keqkuptuarit me vendimin tim për largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së me kërkesën e SHBA-së për shkak të shpalljes së tij “non grata” prej tyre. E kam shpjeguar kontekstin dhe barrën e këtij akti ditën që e shpalla. Dua të përsëris sot se sa të jem unë kryetar i PD-së, nuk do të pranoj të hedh në votim në asnjë forum të Partisë Demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie.

Edhe sikur të jem unë i godituri i këtyre vendimeve. Nuk do të pranoj e lejoj akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokratike nga aleati ynë strategjik dhe mirëbërësi më i madh në histori i Shqipërisë, i Kosovës dhe kombit shqiptar, që është SHBA. Izolimi nga SHBA është vdekja e Partisë Demokratike. Rrjedhimisht është vdekja për një periudhë jo të shkurtër e shpresës së shqiptarëve për rrotacionin e pushtetit dhe normalizimin e demokracisë në vend. Orientimi perëndimor, pro-amerikan, euroatlantik e pro-europian, janë për Partinë Demokratike më shumë se përcaktime në statutin dhe dokumentet e saj. Janë identiteti i saj, kanë lindur në një orë me të, janë e do të jenë ADN-ja e saj.

Vota e anëtarësisë së Partisë Demokratike me obligon mua, forumet, të zgjedhurit dhe gjithë anëtarët e PD-së të qëndrojmë në këtë orientim, ta mbrojmë atë. Po lëshuam këtë busull, nuk jemi më Partia Demokratike. Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Kam mbështetur e mbështes përpjekjet e tij për transparencë e drejtësi. Për fat të keq, ai po kërkon ta lidhë shpalljen e tij “non grata” me fatin e Partisë Demokratike. Në një anë ai po thotë nuk do të votojmë vendimin e qeverisë amerikane për shpalljen e tij “non grata”.

Nga ana tjetër po kërkon të votojë vendimin e Lulzim Bashës që është marrë në respekt të vendimit të SHBA-së. A nuk është e njëjta gjë në aspektin e pasojave politike për PD-në? Përtej tymnajave, plani i tij, nëse do të flitej për një plan, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij. Kjo është pa asnjë perspektivë qoftë për PD-në, qoftë për vetë Berishën. Dhe askush me një fije përgjegjësie ndaj sakrificës së demokratëve, duke nisur nga unë i pari, nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë./panorama

Read Previous

Amandamentet e PD/ vetingu politik dhe koalicionet

Read Next

Balla: të kënaqur që kemi këtë lloj opozite