Mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë u zhvillua ndeshja mes boksierit shqiptar Robin Krasniqi dhe përfaqësuesit francez, Nadjib Mohammedi.
Krah ndeshjes, ishin ftuar të performonin edhe disa këngëtarë e në mesin e emrave që ishin ftuar të performonin ishte edhe Dafina Zeqiri, e cila nuk u shfaq në skenë.
Në një sqarim për këtë në Instagram, artistja ka fajësuar kushtet atmosferike.
Ajo shkruan se ndonëse kishte bërë shumë përgatitje për performancën në stadium, stafi i saj dhe organizatorët ranë dakord që ajo të mos merrte pjesë.
“Qytetarë të nderuar, veçanërisht publiku im i dashur, po ju drejtohem me një sqarim për mosprezencën time të datës 5 gusht, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Stafi im bashkë me organizatorët duke parë kushtet atmosferike, kanë ardhë në një përfundim të përbashkët për mosprezencën time në stadium. Aq shumë jemi përgatitur për këtë event, saqë edhe po të paraqitesha në skenë, do ta kisha të pamundur të zhvilloja të gjithë performancën e parapërgatitur. Ju kërkojmë mirëkuptim për këtë gjë dhe mirë u pafshim në organizimet tjera të radhës”, ka shkruar Dafina në postim.