Çudira nga Ekuadori: Kandidati i vrarë zgjidhet kryetar bashkie

Një kandidat për kryetar bashkie në Ekuador, i cili u vra vetëm disa orë para hapjes së qendrave të votimit ka fituar zgjedhjet në qytetin e Puerto López. Omar Menéndez, 41 vjeç, u qëllua për vdekje nga persona të armatosur që hynë në dhomën ku ai ishte me punonjësit e fushatës të shtunën. Në sulm u vra edhe një adoleshent. Policia po heton ende për motivin e kësaj ngjarjeje.

Një anëtar i partisë së Menéndez pritet ta zëvendësojë si kryetar bashkie politikanin e vrarë. Zgjedhjet komunale u mbajtën në një valë të përshkallëzuar krimi të lidhur me ndikimin në rritje të bandave të dhunshme të drogës në këtë vend.

Menéndez nuk ishte i vetmi politikan që u vra në prag të zgjedhjeve. Dy javë më parë, u qëllua për vdekje edhe kandidati për kryetar bashkie të qytetit bregdetar të Salinas, Julio César Farachio. Policia ka arrestuar një të dyshuar për vrasjen, i cili e kishte kërcënuar më parë kandidatin 45-vjeçar.

I dyshuari ishte liruar së fundi nga burgu pasi kishte vuajtur dënimin për trafik droge, njoftuan mediat lokale. Asnjë arrestim nuk është bërë deri më tani për të shtënat fatale të Omar Menéndez, sulmuesit e të cilit u larguan me një motoçikletë. Presidenti Guillermo Lasso dënoi vrasjet.

Presidenti, një bankier konservator, është përballur me rritjen e numrit të vrasjeve në Ekuador. Ai ka propozuar një sërë ndryshimesh në kushtetutë të cilat u hodhën në votim. Një prej tyre ishte lejimi i ekuadorianëve me lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar që të ekstradoheshin jashtë vendit nëse ata përballen me një gjyq në një vend tjetër ose janë dënuar tashmë në mungesë.

Me shumë burgje të mbingarkuar në Ekuador nga vala e fundit e krimit, disa zyrtarë argumentojnë se ekstradimi i kriminelëve të dënuar në burgjet e sigurisë maksimale në Shtetet e Bashkuara do të ishte një opsion më i sigurt dhe më i lirë për sistemin e drejtësisë ekuadoriane.

Kolumbia fqinje amendoi kushtetutën e saj në 1997 për këtë qëllim dhe që atëherë ka dërguar shumë bosë famëkeq droge në SHBA. Zyrtarët kolumbianë thonë se ashpërsia me të cilën baronët e drogës luftojnë kundër ekstradimit të tyre tregon se ata e shohin një dënim në një burg amerikan – ku nuk kanë lidhje dhe nuk ndikim mbi rojet dhe drejtorët e burgjeve – si një dënim veçanërisht të ashpër.

Por propozimi për të ndryshuar kushtetutën e Ekuadorit për të lejuar ekstradimin e ekuadorianëve dështoi me 51% të votuesve që e refuzuan atë. Presidenti Lasso tha se e pranon rezultatin, duke thënë se “kur njerëzit flasin, është detyra jonë ta analizojmë, kuptojmë dhe pranojmë”. / LAPSI.al

Read Previous

Shqipëria e treta në Europë për çmimet më të shtrenjta të apartamenteve, në raport me të ardhurat

Read Next

Vodhi librin “Gjuetari i balonave”, gjykata dënon 19-vjeçarin