Ç’U BË FSHATI ME EMRIN ‘ZVICRA’ NË MALET E LESKOVIKUT?

Ndërtuesi i fshatit Herbert William Sams dhe zonjat nga Zvicra

Sot askush nuk di të thotë ndonjë gjë për fshatin me emrin “Zvicra” të ngritur nga britanikët pranë fshatit Radanj, në thellësi të maleve të Leskovikut, këtu e 95 vjet më parë. Askush nuk di të thotë kush ishin banorët e këtij fshati dhe ku gjenden sot ata vallë. Shumë prej banorëve të kësaj zone e kanë lënë fshatin e tyre dhe kanë ngritur shtëpi diku tjetër nëpër Shqipëri. Ata që kanë mbetur nuk dinë asgjë, ngrehin supet dhe thonë: Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë për këtë fshat me emrin “Zvicra”. Kanë kaluar shumë vite dhe tashmë asgjë nuk mbahet mend. Banorët I mundon edhe nje pyetje tjetër: Pse këtë fshat e quajten “Zvicra”

Vjeshtë e vitit 1927

Duhet të ketë qenë vjeshtë e vitit 1927 kur një grumbull njerëzish, burra, gra, fëmijë, nëna që mbanin foshnja në krah, të moshuar, disa krejt të rraskapitur, u panë të kalonin nëpër përrenjë, duke u përpjekur të ngjiteshin rrëpirave përmes rrugëve ku mund të kalonte vetëm dhia, për të mbërritur diku, ku u ishte premtuar një copë truall. Atje do të ngrinin shtëpinë e tyre, do të merrnin nga një pendë qe për të lëruar tokën e të mbillnin farën e misrit për të prodhuar bukën e tyre të përditshme.

Gjithsej ishin 20 familje. Ende nuk e dimë ku kishin jetuar më parë këta njerëz, përse kishin mbetur pa shtëpi? Kush i kishte përzënë vallë nga trojet e tyre? Mos ndoshta vinin nga Greqia apo nga ndonjë vend tjetër edhe më i largët? Ishin shqiptarë apo të huaj? Gjithë pasuria e tyre, tashmë ishte katandisur në disa çanta që ata i mbanin mbi shpinën e kërrusur nga lodhja. Asgjë nuk u kishte mbetur nga gjithçka që kishin patur. Tashmë ata ishin shndërruar në njerëz për të cilët thuhet shprehja: “të mbetur mes katër udhëve”, por në të vërtetë ata kishin mbetur mes ca maleve që vetëm rrugë nuk kishin.

Edhe shtigjet i kishin të frikshme. Shpresonin shumë ta nisnin jetën edhe një herë nga e para, duke u munduar të harronin gjithçka që u kishte ndodhur. E ndalnin herë pas herë udhëtimin e tyre, për t’u çlodhur sado pak, sa herë që gjenin një vijë uji apo burimi, ku të vegjlit njomnin buzën me ujë dhe i luteshin Zotit pa pushim që t’i ndihmonte. Ata ende nuk e dinin si do të ishte vendi që u ishte premtuar. Ende nuk e kishin menduar si do ta quanin fshatin që do të ngrinin. Që vendbanimi i tyre të do të quhej Zvicër nuk e kishin menduar kurrë. Për të gjitha këto do të fillonin të mendonin më pas.

Britanikët

Vargu i gjatë i 20 familjeve shoqërohej nga disa njerëz të huaj. Ishin britanikë, anëtarë të një shoqërie bamirëse. Ata kishin marrë përsipër, që në këto ditë të vështira, t’u gjendeshin pranë. Thuhej se fatkeqësinë e 20 familjeve e kishin marrë vesh edhe shoqëri të tjera bamirëse që gjendeshin në vendet më të largëta të globit. Fjala “emigrant” ka fuqinë të shpërhapet vetiu gjithandej dhe të ngjallë keqardhje te njerëzit. Ndoshta kjo ndjesi vjen nga thellësia e shekujve. Njeriut i është dashur kohë pas kohe të jetë emigrant në kërkim të një toke që jep shpresë. Madje njeriu ka lindur emigrant, i duhet të mërgojë nga një botë të një tjetër, qoftë kjo edhe një botë imagjinare. Dhe sado i madh të jetë planeti ynë, gjithnjë gjendet dikush që loton për hallin e tjetrit.

Megjithatë, britanikët nuk i kishin braktisur për asnjë çast. Kjo shoqëri drejtohej nga një njeri i quajtur Herbert William Sams. Emigrantët fatkeqë i besonin këtij njeriu. Ai njihte mirë hallet e tyre. Bashkë kishin kapërcyer shtigje të panjohura dhe humnera të frikshme. Tashmë nuk u duhej edhe shumë kohë që të mbërrinin. Pas një udhëtimi, që të gjithëve u ishte dukur sikur nuk do të mbaronte kurrë, ata u gjendën te vendi ku do të ngrinin banesat e tyre.

Që të gjithë qëndruan një çast më këmbë, vështruan rreth e rrotull gjithë kërshëri, pastaj nisën të ulen njëri pas tjetrit me një ufff, që u dilte nga shpirti i lodhur, të shoqëruar nga fjalët: “Më në fund mbërritëm!” Aty ku njeriu ka mundesinë të çlodhet, edhe sikur gjithçka të jetë skëterrë, ka dëshirën të qendrojë për të lehtësuar shpirtin e rënduar nga halli që u ka pllakosur. Kështu po ndodhte edhe me këta njerëz të pafajshëm. Gjithsesi edhe për ta ishte parashikuar një surprizë

Mbërritja

Ata u ndjenë të lehtësuar, kur panë se dikush kishte nisur të ngrinte disa ndërtesa që, ndoshta ata t’i gjenin gati kur të mbërrinin. Kjo e lehtësoi shumë shpirtin e tyre. Dikujt i rrëshqiti një pikë loti. Mikëpritja ka vlerat e një thesari, veçanërisht kur u ofrohet njerëzve të pashpresë. Nuk e besonin dot, nëse ato banesa ishin për ta, ose jo. “Për ne janë ngritur këto shtëpi?”- ishte pyetja e tyre. Para se të mbërrinin aty, drejtuesi i shoqërisë bamirëse britanike, Herbert William Sams kishte patur bisedime edhe me qeveritarët e vendit.

Qeveria shqiptare e kishte garantuar zotin Sams se do të bënte gjithçka për të ndihmuar 20 familjet, madje do t’u siguronte edhe bukën. “ Po ,- u përgjigj Herbert William Sams,- këto do të jenë shtëpitë tuaja” Dhe kur gjithkush prej familjeve hyri në banesën e vet, z Sams nisi t’u shpërndante një sasi misri. Drejtori i shoqërisë bamirëse kishte patur takim edhe me prefektin e Korçës, z. Zef Kadarja. Edhe prefektura e Korçës do të ofronte ndihmën e vet. Ai u bëri të ditur se shumë shpejt në këtë vend të largët mes maleve të Leskovikut do të vinte vetë edhe prefekti i Korçës që t’i shihte nga afër familjet e emigrantëve dhe të njihej me ta. Ata nuk duhej të ndiheshin kurrsesi të vetmuar.

Që të gjitha këto i gjejmë të publikuara te gazeta “Zëri i Korçës”, e shtunë, 12 nëntor 1927, ku thuhet: “Sikundër dihet në katundin Radanj të nënprefekturës Leskovik, janë instaluar prej shoqërisë mirëbërëse britanike 20 familje emigrantësh. Shoqërisë në fjalë, i qenë dorëzuar 5.180 killo misër, të cilën e përndau nëpër familjet e përmendura. Pas ftimit (ftesës) të Drejtorit të Shoqërisë Britanike, z. Herbert William Sams, vajti para pak kohësh në katundin Radanj, titullari i kësaj prefekture Zef Kadarja, i cili konstatoi se të gjithë emigrantët janë instaluar mjaft mirë nëpër shtëpitë e ngrehura për ta. Për ngritjen e këtyre shtëpive kishte kontribuar misioni britanik.

Emigrantët kërkojnë ndihmë

Që pas asaj dite, ato 20 familje nisën jetën e tyre atje në thellësi të maleve të Leskovikut. Ka mundësi që ata të kenë qenë banorë të ndonjë fshati, blegtorë ose bujq. Kur nuk kishin vetëm disa ditë që kishin mbërritur aty, ata i kërkuan prefektit të Korçës që të ndihmonte çdo familje me një pendë qe. Kërkesa e tyre nuk u refuzua, madje u bënë përpjekje që gjithçka të realizohej sa më parë që të ishte e mundur. Të paktën kështu shkruante gazeta e cituar më sipër:

“Tani mësojmë se emigrantët kanë nevojë për qe të lerojnë tokat e tyre dhe për këtë prefektura kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme çeljen e një kredie”. Kërkesa u realizua mjaft shpejt. Tashmë emigrantët kishin filluar të ndiheshin më të qetë. Kishin filluar të besonin se edhe atje në grykat e maleve mund të ndërtohej jeta. Megjithatë, gjithçka vazhdonte të ishte e mbuluar nga misteri. Shtypi i kohës nuk jepte shumë informacion. Ndaj edhe ne, ende nuk dimë nga ç’vend vinin dhe cilat ishin arsyet që i detyruan të emigronin drejt Leskovikut.

Ishin shqiptarë apo të huaj. Gjithsesi, duke kërkuar vazhdimisht në faqet e shtypit të kohës, arritëm të mësojmë diçka më shumë. Ato 20 familje i përkisnin besimit mysliman. Me të mbërritur në Radanj, ose më saktë pranë këtij fshati, ata kërkuan që t’u vihej në dispozicion një imam që t’u drejtonte lutjet në xhami. Ishin që të gjithë besimtarë. E njëjta gazetë shkruante:

“Gjithashtu këta (emigrantë) kanë shfaqur dëshirën e emërimit të një imami, i cili të bëjë dhe detyrën e mësuesit, mbasi shoqëria mirëbërse u ka meremetuar dhe xhamin pranë së cilës ndodhen dy dhoma të përdorshme për shkollë”. Drejtori i shoqërisë bamirëse britanike, vazhdonte të qëndronte ashtu si edhe më parë pranë tyre. Nga gazeta “Zëri i Korçës” mësojmë se, “më 6 të këtij muaji (nëntor 1927), z. Herbert Sams me gjith personelin e tij shkoi për në Greqi. Në këtë rast, prefekti i paraqiti në emër të qeverisë falenderjet dhe mirënjohjen për veprimet e tyre mirëbërëse”. Sipas të gjitha gjasave, britanikët i ndihmuan këto familje për një kohë mjaft të gjatë

Pse fshati i tyre u quajt Zvicër

Gjithçka duket e çuditshme, madje krejt e pabesueshme ajo që ndodhi më pas. Historia e 20 familjeve të emigrantëve (të panjohur edhe sot për ne), duket se ishte përhapur mjaft shpejt në shumë vende të botës, madje kishte mundur të mbërrinte deri në Zvicër. Disa zonja zviceriane kishin mbetur të mahnitura nga historia që kishin dëgjuar për këto familje që ishin ndihmuar nga shoqëria bamirëse britanike. Ishin drithëruar nga tregimet e tyre. Duket se ngjarja nuk ka qenë aspak e zakontë. Ndaj edhe ato kishin vendosur t’i ndihmonin emigrantët e ardhur në Radanj me gjithçka mundnin.

Nuk dimë saktësisht çfarë ndihmash dërguan, sa ishte vlera e tyre, por gjithçka është e kuptueshme. Ndihma e zonjave duhet të ketë qenë e veçantë. Banorët kishin mbetur të mahnitur nga ato që u ishin dërguar. Vlera duhet të ketë qenë tepër e madhe. Në jetën e banorëve duhet të ketë ndryshuar diçka. Ndoshta ata e kanë ndier veten si në Zvicër. Çfarë u ishte dhuruar vallë? Pak rëndësi ka, ato zonja kishin ofruar shpirtin e tyre të madh, ndaj kujtohen edhe sot e kësj dite.

Botën imagjinare ku përfundojnë njerëzit e bëjnë të vërtetë kronikat kur flasin për shpirtmadhësinë e tyre Lajmi ishte përhapur cep më cep të Leskovikut për gjithçka kishin bërë zonjat zviceriane. 20 familjet e emigrantëve nuk dinin si t’ua shpërblenin. Vendosën që fshatin e tyre ta quanin Zvicër në shenjë nderimi për zonjat nga Zvicra. Kërkesa e tyre u mor parasysh edhe nga qeveria. Gazeta “Zëri i Korçës”, në një artikull tjetër të saj e shpjegon kështu kështu pagëzimin e fshatit të sapokrijuar me emrin “Zvicër”: “Sipas vendimit të Këshillës ministriale, katundi i ndërtuar prej misionit britanik në Radanj të Leskovikut dhe i përbërë prej 20 shtëpish, u pagzua me emrin “Zvicër”. Ky emër iu dha për nder e kujtim të zonjave të Zvicrës që kanë dhuruar ndihmat e tyre për ngrehjen e këtij katundi”. (Zëri i Korçës, e shtunë, 3 dhjetor 1927)

Misteri

Që nga ajo ditë fshati me 20 shtëpi u quajt Zvicër. Nuk dihet saktësisht për sa kohë u quajt kështu, ashtu siç nuk dimë nëse 20 familjet e emigrantëve u larguan më pas nga ky fshat ose jo. Ajo që dihet ka të bëjë me faktin se më pas emri “Zvicër” u harrua. Sot askush nuk di gjë për këtë fshat, madje duket sikur nuk ka ekzistuar kurrë. (Mundet që vitet e monizimit ta kenë fshehur këtë emër).

Në afërsi të Radanjit ka mbetur vetëm një grumbull gërmadhash dhe asgjë tjetër. Ka mundësi që të jenë shtëpitë e tyre të rrënuara. Po ku shkuan banorët e fshatit Zvicër? Kush ishin e nga vinin ata? Pse historia e tyre u përhap aq shpejt në shumë vende të botës? Cila ishte ajo histori që drithëroi zonjat e Zvicrës? Nuk dimë asgjë më shumë. Gjithsesi, ato 20 familje mundën t’i shpëtonin fatkeqësisë së tyre, fal ndihmës së ofruar nga misioni bamirës britanik i kryesuar nga Herbert William Sams.

Pas 95 vitesh kemi rastin t’i falenderojmë edhe ne. Ata ndihmuan të mbijetonin shpirtra njerëzorë. 20 familjet besonin te Zoti, i luteshin pa pushim që t’i ndihmonte, dhe zoti vërtet ekziston, në këtë rast zot u bë Misioni Britanik

MISTERI

Viti 1927, përzënia e shqiptarëve nga Greqia

Përzënia e shqiptarëve nga Greqia nisi me përcaktimin e kufijve të Shqipërisë nga Konferenca e Londrës. Terrori ndaj tyre u bë edhe më i egër gjatë vitit 1914 e në vijim. Me Marrëveshjen e Lozanës, pas vitit 1922, nisi dëbimi masiv. Shqiptarët myslimanë dërgoheshin në Turqi në këmbim të ortodoksëve grekë të Anadollit dhe Thrakës. Këta të fundit zaptuan shtëpitë dhe tokat e shqiptarëve.

Qeveria shqiptare i kërkoi Marrëveshjes së Luizianës që shqiptarët të mos i njësonte me myslimanët turq, dhe as me ortodoksët grekë, por kjo kërkesë duket se nuk u mor parasysh. Tetë katunde të Edrenesë dhe tre të ishujve Marmara u përzunë. Banorët u vendosën ku mundën të shpërndarë nëpër Maqedoni, pa mundur të kthehen në katundet e tyre. Çështja vajti edhe në Lidhjen e Kombeve dhe në Komisionin Miks, por dëbimi nuk u ndal.

35 mijë shqiptarë të 24 katundeve të Kosturit dhe 14 të Follorinës, i hipën me dhunë në trena dhe vaporë dhe i çuan në Anadoll. Pjesa më e madhe tyre u dërgua në Marash. Pleqtë, foshnjat dhe gratë vdiqën për shkak se jetesa dhe klima ishte e keqe; vetëm një pjesë e vogël mundën të kthehen në Shqipëri, të tjerët mbeten në shkretëtirat e Anadollit, ku vdekja dhe mjerimi morën shumë jetë njerëzish. Të njëjtin fat patën edhe shqiptarët e Janinës, Prevezës e Pargës. Banesat dhe pasuria e tyre u zaptuan nga ortodoksët grekë të ardhur nga Anadolli. Nga 80 mijë shqiptarët e Epirit, mbetën vetëm 20 mijë në Çamëri. E njëjta gjë ndodhi edhe me kosovarët. Vetëm një pjesë e vogël e shqiptarëve të Greqisë erdhën nga Anadolli.

Edhe 20 familjet e fshatit Zvicër ishin pjesë e kësaj historie të dhimbshme/rrëfime nga Korça

Read Previous

Shkrimtari i njohur, Salman Rushdie, sulmohet me thikë në Nju Jork

Read Next

Mbyllet një port për të hapur konvikte.