Çmimet e shtrenjta dhe rënia e prodhimit, efekte edhe te konsumi i bulmetit

Këtë vit, prodhimi i qumështit të lopës ka hyrë në krizë nga shtrenjtimi i lëndëve të para ushqyese të kafshëve, mungesa e subvencioneve dhe largimet në emigracion të fermerëve.

Rënia e prodhimit solli mungesën e produkteve të magazinuara gjatë stinës së pranverës, duke dëmtuar balancat e kërkesës në treg për muajt e verës.

Piku i prodhimit të qumështit shfaqet gjithmonë në stinën e pranverës, ndërsa në verë, prodhimi i qumështit nga kafshët është më i ulët. Kompanitë nuk po arrijnë ta plotësojnë kërkesën e shtuar të verës vetëm nga prodhimet ditore, pasi mungon bulmeti që magazinohet deri në fillim të muajit qershor.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7,4% krahasuar me 2020-n, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë paraqitet me rritje përkatësisht me 26,3% dhe 8%.

Ndërsa importet e qumështit për 2021 shfaqen me rritje, rreth 43% më shumë se në vitin 2020. 56% të totalit të qumështit me jashtë e zënë importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnjë-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe shtete të tjera të Europës. Në vitin 2021, rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia 71% më shumë se në 20Drejtuesi i një prej kompanive më të mëdha të përpunimit të qumështit, Saimir Begaj, tha për “Monitor” se magazinat e tyre janë bosh, ndërsa prodhimi ditor nuk arrin të plotësojë kërkesën e lartë të tregut.

Përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni” tha se tkurrja e prodhimit të qumështit të lopës është ndikuar nga shtrenjtimi i lëndëve ushqyese, duke e kthyer blegtorinë të paleverdishme.

“Shumë fermerë të vegjël që rrisin 3 apo 4 lopë po largohen në emigracion, pasi nuk arrijnë të përballojnë koston e lartë të mbajtjes së kafshëve. Fermat e mëdha po përballen me kosto të larta, pasi pothuajse të gjitha ushqimet për bagëtitë importohen nga jashtë.

Për këtë arsye, edhe këtë vit ka rënie të prodhimit të qumështit të lopës, ndërsa për qumështin e dhisë dhe të deles, mungesat janë më të pakta.

Gjatë stinës së pranverës, fabrikat e përpunimit të qumështit nuk mundën të magazinonin produktet e bulmetit, pasi mungon prodhimi vendas.

Situata është e ngjashme edhe në vendet fqinje. Çmimi i qumështit është rritur 40% këtë vit, teksa një valë rritjesh ka ndodhur për të gjitha lëndët e para, që nga energjia elektrike, çmimi i së cilës është 3-fishuar, produktet e paketimit dhe kostot e tjera që erdhën nga ndryshimi i taksimit.

Nëse fermerët nuk subvencionohen nga qeveria për shtrenjtimin e çmimeve të lëndëve ushqyese të kafshëve, si dhe të reduktohet TVSh-ja në shitje me qëllim uljen e çmimeve të konsumatorit, do të thellohen vështirësitë në sektorin e blegtorisë”, pohon ai.

Situata është e ngjashme edhe për operatorë të tjerë. Taulant Pupa, nga kompania “Vita”, thotë se në këtë periudhë, konsumi për produktet e bulmetit është në stanjacion.

Sipas tij, është rritur kërkesa, kryesisht për djathë nga qytete të largëta si Sarandë apo Fier, për shkak të mungesës së produkteve, por si pasojë e mungesës së qumështit është e pamundur të garantohet furnizimi për të gjithë.

“Konsumi aktualisht është i qëndrueshëm. Në ditë të caktuara mund të ketë një rritje të lehtë. Kjo vjen për shkak të rritjes së çmimeve, jo vetëm te produktet e bulmetit, por edhe në produktet e tjera ushqimore. Për këtë arsye, konsumatori është kufizuar në blerje, ndryshe nga një vit më parë.

Ndërkohë në këtë periudhë është rritur kërkesa nga qytetet e largëta si Saranda dhe Fieri që ne nuk i kemi furnizuar më parë, pasi kemi përparësi dyqanet e zonës së Juglindjes së Shqipërisë. Kërkesa nga këto qytete ka ardhur për shkak të mungesës së produkteve.

Fabrikat aktualisht në të gjithë vendin janë bosh, nuk arrijnë të magazinojnë dot produkte bulmeti, pasi ka mungesë qumështi. Pritet që kjo të shkaktojë “luftë” mes fabrikave për të grumbulluar qumësht, pavarësisht kostos në çdo zonë. Kjo situatë dëmton ekuilibrat e tregut, pasi për të garantuar qumështin, çdo fabrikë ka një kontratë.

Pas përmirësimit të situatës, përpunuesit largohen nga fermerët me të cilët nuk kanë një kontratë, pra ata braktisen. Por kjo do të dëmtonte planet e prodhimit, pasi nuk do të jemi të sigurt kur do të gjejmë qumësht. Ne po e pranojmë qumështin me çdo çmim nga fermeri, me qëllim që të mos largohen në emigracion”, nënvizon ai.

Pas 15 korrikut, fabrika “Vita” po furnizohet nga fermerët me qumësht lope 7,5% më të shtrenjtë se muaji prill, qumështi i dhisë është shtrenjtuar 15% dhe qumështi i deles, 8%.

Taulant Pupa thotë se shtrenjtimi i qumështit ka ardhur nga rritja e çmimit të bazës ushqimore, pas përfundimit të sezonit të korrjes së grurit.

Pupa thotë fabrikat janë të detyruara të blejnë qumësht, pavarësisht çmimit të lartë, pasi aktualisht e kanë të pamundur të përballojnë kërkesën, por edhe të magazinojnë produkte.

“Situata ishte paralajmëruar edhe më parë. Ishte e pritshme të kishte një tjetër rritje të çmimit të qumështit pas përfundimit të sezonit të korrjeve të grurit. Për shkak të rritjes së çmimit të naftës, por edhe të inputeve bujqësore, lënda ushqyese e kafshëve është rritur 60%.

Nëse më parë, çmimi për lidhjen e topit të kashtës ishte 50 lekë, këtë vit arriti në 80 lekë. Për këtë arsye, çmimi i qumështit është rritur deri në 15%. Konkretisht, çmimi i qumështit të lopës nga 54 lekë, u rrit në 58 lekë për litër pas 15 korrikut (rritja 7,5%).

Deri në fund të muajit gusht parashikohet të arrijë në 63 lekë për litër. Qumështi i dhisë nga 65 lekë arriti në 75 lekë për litër (rritja 15%) dhe qumështi i deles, nga 115 lekë në 125 lekë për litër (rritja 8%). Për qumështin e deles, parashikohet të ketë mungesa, pasi është drejt përfundimit”, pohoi ai.

Shtrenjtimi i qumështit ka shtuar kostot e prodhimit, ndaj për këtë arsye kompania “Vita” ka shtrenjtuar çmimet e bulmetit 5% më shumë se muaji prill.

Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që kompania rrit çmimet e produkteve të bulmetit, pas shtrenjtimit deri në 10% që u zbatua në fund të muajit prill. Situata është e ngjashme edhe për operatorë të tjerë.

Për këtë vit, shumë fabrika të përpunimit të qumështit kanë rritur 2 apo 3 herë çmimet e bulmetit. Kosi “Morava” është shtrenjtuar ditët e fundit nga 220 në 260 lekë, ose 18% më shumë.

Në fillim të qershorit, edhe kompania “Erzeni” shtrenjtoi çmimet me 15% dhe në gusht do të reflektojë dhe rritjen e fundit të kostove.  /Monitor/ 

Read Previous

Ngjarje e rëndë në SHBA/ Aktori shqiptar dhe gruaja u hodhën nga ballkoni

Read Next

Më shumë bukë, më pak mish/ Çmimet e larta ulin konsumin