‘Ç’më duhet mua’, kjo e ka marrë në qafë këtë popull!

Nga Hysni Gurra
Kaq e shkurtër ishte fjala që aktori i mirënjohur Mehdi Malka mbajti në një takim të organizuar nga kryetari i opozitës, Sali Berisha, me shoqërinë civile, para disa ditësh.
Fatkeqësisht kjo shprehi, e cila shpreh indiferentizmin popullor është mëse aktuale në Shqipërinë tonë sot.
Por, fatkeqësia më e madhe është se kjo nuk është vetëm shprehi popullore shqiptare, por është pak më e gjerë se aq, është e provuar në perandori e shtete të konsoliduara shumë kohë para nesh.
Kur pushteti degradon, qytetarët e përgjegjshëm lënë menjëanë rehatinë personale dhe indiferentizmin dhe përfshihen.
Në internet qarkullon gjerësisht historia e mëposhtëme:
 Si shkatërrohen shtetet?
Sundimi i sulltanit Sulejmani, sipas mendimit të historianëve, konsiderohet si epoka e artë e Perandorisë Osmane. Kufijtë e Perandorisë ishin zgjeruar si asnjëherë më parë dhe shumë vende kishin hyrë nën administrimin e saj. Mirëqenia ishte shtrirë në të katër cepat e perandorisë.
Megjithatë, sulltanin e shqetësonte diçka. Nga studimi i historisë, ai kishte vënë re se çdo shtet i fuqishëm fillonte ligështimin pas një farë kohe.
Çdo popull e kishte një fund.
Po fundi i Perandorisë Osmane kur mund të vinte?
A ishte e mundur që të shmangej diçka e tillë?
Këto pyetje e shqetësonin sulltanin dhe i shfaqeshin edhe në ëndërr, pa mundur t’u japë një përgjigje dhe duke mos e lënë të bëjë gjumë të qetë.
Kur mendimet rreth kësaj çështje filluan ta shqetësojnë realisht, ai vendosi të këshillohet me një nga dijetarët e kohës, Jahja Efendi.
Ai ishte vëlla gjiri i sulltanit.
Kështu, sulltan Sulejman Kanuni i shkroi një letër, në të cilën i bëri pyetjen që e shqetësonte natë e ditë.
Dijetari në fjalë banonte në lagjen Beshiktash në Stamboll. Në letër, ai i kishte shkruar:
”Ju keni dije rreth shumë sekreteve, prandaj uroj të vini dorën në zemër dhe të më tregoni kur bien shtetet dhe cili është fundi i Perandorisë Osmane!”
Përgjigja e Jahja Efendiut ishte shumë e shkurtër dhe e mistershme.
Ai i shkruante:
”E ç’më duhet mua kjo o Sulltan? Ç’më duhet mua?”
Sulltan Sulejmani u çudit nga kjo përgjigje, e cila ia shtoi dhe më shumë pështjellimin. Patjetër që kjo përgjigje fshihte një mister, një kod, të cilin ai nuk po e deshifronte dot.
Prandaj, një ditë u nis drejt banesës së Jahja Efendiut vetë sulltani.
Pasi u takua, ia përsëriti dhe një herë pyetjen me një retorikë disi kritike:
“Dua prej jush që t’i përgjigjeni pyetjes time dhe ta merrni këtë çështje seriozisht! Më trego, çfarë deshe të më thuash me atë përgjigje të mistershme?!”
Jahja Efendi, e pa në sy dhe i tha:
”Sulltan i nderuar! Kur të përhapet zullumi dhe korrupsioni në vend, kur secili që e sheh dhe e dëgjon këtë zullum dhe korrupsion thotë: ”E ç’më duhet mua” duke u fokusuar tek hallet e veta, kur barinjtë të shqyejnë kopenë dhe ata që e shohin këtë heshtin, kur të ngrihet në qiell britma, ankesa dhe e qara e fukarenjve dhe nevojtarëve të cilën se dëgjon tjetër kush përveç pemëve e gurëve, atëherë shteti është në buzë të greminës. Në raste të tilla, thesaret e shtetit boshatisen, populli e humbet besimin dhe respektin për shtetin dhe minimizohet ndjesia e bindjes ndaj autoritetit të shtetit. Në këtë rast, rënia dhe shkatërrimi është alternativa e vetme për një shtet të tillë.”
Kjo është pak a shumë historia që pesonifikon indiferentizmin popullor shprehur me frazën “e ç’më duhet mua”.
Kushdo do që pati durimin dhe e lexoi deri në fund këtë histori, le ta marrë dhe ta ballafaqojë atë me situatën e sotme të Shqipërisë dhe t’i bëjë pyetjen vetes: Çfarë duhet të ndodhë më shumë që ne të dalim të protestojmë më 7 korrik?!©kumtari.al

Read Previous

Vejsiu: Nxënës i dobët fare… më tha u regjistrova për Matematikë, desh më ra tavani në kokë

Read Next

Historia e dy misërshitësave!