Burg Ramazan Rrajes në Belgjikë/ Si e mbrojtën Rama dhe Balla nga policia

8 vite burg ka kërkuar Prokuroria belge për Ramazan Rrajan, nipin e deputetit të Partisë Socialiste të Fushë-Krujës, Rrahman Rraja. Së bashku me kushëririn e tij, Fioralb Rraja dhe një letonez, ata akuzohen për drejtimin e një organizate të trafikut të kokainës, që sipas mediave belge lundronte në para.
Rraja jeton në arrati, pasi mundi të largohej nga Belgjika, por sipas dosjes së prokurorisë belge theksohet se banda trafikonte kokainë nëpërmjet Antëerp-it dhe më pas e shpërndante në të gjithë Evropën Perëndimore si dhe në Turqi e deri në Australi.

Gjithashtu, kjo organizatë kriminale sipas medies së huaj kishte filluar pastrimin e parave përmes një zinxhiri restorantesh në shuma që shkojnë deri në 11 milionë euro.

Si filluan hetimet

Hetimi i Antëerp është pjesë e një hetimi të nisur në Bavari të Gjermanisë. Në vitin 2018, policia atje mori një denoncim nga një supermarket, ku përveç bananeve, në kuti u gjet edhe kokainë. Ai që kishte themeluar kompaninë e bananeve ishte Kaspars N. nga Letonia i cili jetonte në Berçem, afër Antëerpit të Belgjikës. Letonezi ishte një trafikant ndërkombëtar, që kishte udhëtuar në 14 vende, kryesisht brenda Evropës, por edhe në Kolumbi, Ekuador dhe Republikën Domenikane.

Policia kishte vendosur aparate përgjimi në banesën e tij në Berçem, ndërsa i përgjonte rregullisht edhe telefonin. Nga përgjimet doli se kjo bandë ka shitur 450 bukë (buka përdorej si gjuhë e koduar për 1 kg kokainë) në Evropë, me një vlerë neto prej më shumë se 11 milionë euro. Të gjitha bisedat e përgjuara kishin të bënin me futjen e ngarkesave të kokainës, ku banda përdorte GPS për të gjetur kontejnerët e kokainës, makina me vendngarkimet e caktuara, punonjës të portit të korruptuar që nxirrnin kokainën, madje edhe një oficer policie të korruptuar.

Kreu i bandës Kaspars N. investoi një pjesë të të ardhurave në Ké Group, një zinxhir dyqanesh perimesh, duke përfshirë Pokerrito në Nationalestraat në Antëerp.

Policia sekuestroi një kontejner me 57 kg kokainë mes bananeve. “Vetëm në bazë të përgjimeve, kjo bandë ka shitur 450 bukë (gjuha e kodit për 1 kg kokainë) në Evropë”, tha prokurori. “Një kilogramë kokainë llogaritej për 26 mijë euro duke prodhuar një pasuri kriminale prej më shumë se 11 milionë euro. Vetëm kini kujdes nëse mendoni se do të hani perime të shëndetshme. Kjo bandë e trafikut të drogës ka biznese të ndryshme që pastrohen paratë”, u shpreh prokurori.

Ora 665 mijë dollarë në dorën e Ramazan Rrajës

Në telefona, policia i gjeti qindra foto të stilit të jetesës luksoze të bandës. “Shqiptari Ramazan R., një figurë famëkeqe në vendin e tij, ishte veçanërisht i njohur: me një orë Richard Mille 665,000 dollarë në dorë, duke lëvizur me Ferrari dhe Lamborghini dhe duke ekspozuar paratë. Kutitë e parave ishin grumbulluar në banesën e tij”, shkruan media e huaj.

Sipas medies së huaj prokuroria kërkoi 9 vjet burg për Kaspars N. dhe 8 vjet për dy drejtuesit e tjerë, Musa G. dhe Ramazan Rrajën, ndërsa për anëtarët e tjerë të bandës pritet të përballen me dënime nga 4 deri në 6 vjet.

Përplasja e Ramazan Rrajes me policin Emiljano Nuhu në Fushë-Krujë

Emri i Ramazan Rrajes rikthen në kujtesë një histori që tronditi opinionin publik disa vite më parë. Bëhet fjalë për dhunimin e Xhisiela Malokut dhe kërcënimit të policit që regjistroi kallëzimin e saj, Emiljano Nuhu. Ky u kërcënua nga Ramazan Rraja dhe kushërinjtë e tij. “Ata e kanë filluar karrierën e tyre me vrasje me pagesë dhe kanë kaluar tek trafiku i drogës” tha Nuhu në një intervistë në mediat shqiptare pak pasi Ramazan Rraja u arrestua në Belgjikë.

Nuhu e pa veten nën një sulm të vazhdueshëm nga fisi Rraja, gjatë kohës që shërbeu në Fushë-Krujë. Sipas tij ata ishin vazhdimisht në kontakt me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Sipas policit të Fushë-Krujës, Ramazanin ai e takoi në Tiranë. Në bisedë e sipër ai i kishte thënë se “ligjin në Krujë e bënin ata dhe nëse donin mund të shkrinin edhe Komisariatin e Krujës”.

Kërcënimet, Emiljano Nuhu i raportoi pranë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu nëpërmjet dy email-eve, por nuk mori kurrë përgjigje. Në këto emaile, Nuhu i përshkruante nipat e deputetit Rraja si “Të pushtetshëm, impulsiv, lëvizin gjithmonë të armatosur dhe që nuk goditen nga strukturat e Policisë lokale”.

“Shtetasi Ramazan Rraja (djali i vëllait të deputetit) është i dënuar për dy vepra penale “Vrasje e mbetur në tentativë, plagosje e lehtë, mbajtje e armëve luftarake”, dhe i dyshuar për disa vepra penale në zonën e Krujë “vendosje lëndëve eksplozive”, nga informacionet e marra nga burime kofindenciale ky shtetas lëviz gjithmonë me armë në zonën e Krujës” shkruante polici, pa e ditur se shefat e policisë i kishte kundër.

Përfshirja në zhdukjen e Enver Stafukës

Një nga ngjarjet ku është përfshirë Ramazan Rraja dyshohet se është edhe zhdukja e Enver Stafukës. Shfaqja e Ramazan Rrajes në takimin e fundit me Stafukën ishte një fakt i panjohur deri kur u publikuan pamjet e takimit të fundit të viktimës para se të rrëmbehej.

Nipi i deputetit të Krujës, Rrahman Rrajes, është i njohur për problemet me drejtësinë. Pak kohë më parë në media doli një video ku një grup personash të armatosur hyjnë në një bilardo dhe largohen sepse nuk gjetën personin që kërkonin. Policia tha se njëri prej tyre ishte Ramazan Rraja dhe se qëllimi ishte vrasja e një personi. Rraja është denoncuar edhe për filmimet e dhunës ndaj një vajze në ambjentet e jashtme të QSUT.

Mbështetja politike për Ramazan Rrajën

Që Ramazan Rraja kishte mbështetje nga nivelet më të larta politike, kjo u duk pas denoncimit që bëri polici Emiljano Nuhu. Sapo përmendi Rrajat, polici u vu menjëherë nën shënjestrën e kryeministrit Rama, që e përshkroi si një horr dhe si një njeri që kishte gënjyer me qëllim përfitimin e azilit politik jashtë vendit.

“Një horr i kthyer në hero, ka sabotuar hetimin dhe ka përdorur rastin për të marrë azil. Nuk do t’i ndahemi këmba këmbës atij horri”ishin fjalët e Edi Ramës në lidhje me Emiljano Nuhun, që përveç të tjerash i kishte shërbyer policisë së shtetit në disa aksione si i infiltruar kundër grupeve kriminale. Pasi u largua nga Shqipëria, Nuhu u hetua nga prokuroria, pas një denoncimi nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Rasti i Emiljano Nuhut është i dyti, pas atij të Dritan Zaganit, kur policët përplasen me njerëz të krimit dhe jo vetëm lihen në baltë, por edhe sulmohen nga politika. Nuhu u konsiderua “një horr“, një njeri “në shërbim të opozitës” apo një polic që “kishte sabotuar hetimet” për të përfituar azil politik. Duke sulmuar policin, kupola e Partisë Socialiste i doli në krah Ramazan Rrajës, që sot u dënua me 8 vjet nga drejtësia belge./lapsi.al

Read Previous

Nard Ndoka: Lulzim Basha është i pa besë, prej tij nuk jam në parlament

Read Next

Njoftimi skandaloz i Këshillit të Lartë Gjyqësor/ Mban ‘sekret’ emrat e gjyqtarëve dhe magjistratëve të rinj