Bujqësia shënoi në vitin 2022 ecurinë më të dobët nga 1997-a, rritje afër zeros

Ekonomia e Shqipërisë u rrit me gati 5% vitin e kaluar, por dega më e madhe, bujqësia e cila kontribuon me rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) qëndroi në vend numëro.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT referuan se, dega e bujqësisë qëndroi në vend-numëro vitin e kaluar, me zgjerim afër 0.06%, teksa në vitin 2021 sektori u zgjerua me 1.8%. Kjo është ecuria më negative e bujqësisë, që prej vitit 1997, kur vendi ishte në kaos për shkak të trazirave të piramidave.

Për vitin 2022, të dhëna më të detajuara nga njësitë bujqësore referojnë se blegtoria përballet me rënie të fortë, në të kundërt pemtaria dhe prodhimet në sera kanë pasur një ecuri më të mirë.

Numri i krerëve të bagëtive në vitin 2021 pësoi rënie vjetore me mbi 7 për qind dhe është përgjysmuar përgjatë dekadës.

Ecuri pozitive kishin eksportet e produkteve bujqësore, që u rritën me rreth 16% në sasi. Rritja e prodhimit dhe eksporteve bujqësore është nxitur nga investimet në pikat e grumbullimit në magazina frigoriferike dhe në zinxhirët e eksportit.

Megjithatë, rritja e eksporteve nuk arriti të amortizonte ecurinë negative të prodhimit vendas, sidomos në blegtori. Fermerët u përballën në pjesën e parë të vitit edhe me rritje të ndjeshme të kostove të lëndëve të para, për shkak të krizës së shkaktuar nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, çka e ndikoi negativisht aktivitetin e tyre.

Bujqësia është sektori më madh në ekonomi që kontribuon me rreth 20% të PBB-së së vendit, por gjatë vitit 2021 mori nga buxheti i shtetit vetëm 0.7% të PBB-së.

Në vitin 2021 Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti një vlerë mbi 1.7 trilionë lekë, ndërsa në të njëjtit vit buxheti i ministrisë së Bujqësisë ishte 12,9 miliardë lekë ose rreth 0.7% e PBB-së.

Studimet kanë treguar se financimi i bujqësisë ka ndikim më shpejtë në ekonomi në raport me investimet e tjera kapitale. Ndërkohë që investimet në rrugë zgjasin me dekada dhe kthyeshmëria e investimit zgjat me vite, investimet në bujqësi përkthen në prodhim brenda vitit.

Organizata Botërore e Ushqimit, në një analizë që i bëri Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në vendin tonë rekomandoi se mbështetja financiare është shumë e ulët për të çuar sektorin në trajektoren e zhvillimit të qëndrueshëm.

FAO këshilloi që politikbërësit të kombinojnë mbështetjen financiare me informacionin dhe zhvillimin e kapaciteteve.

Skemat mbështetëse duhet të hartohen bazuar në një program afatmesëm për të paktën tre deri në pesë vjet. Numri dhe lloji i masave duhet të jenë e qëndrueshme brenda kësaj periudhe, në mënyrë që të mos dëmtohet parashikueshmëria e biznesit të fermerëve, këshillon FAO.

Nga ana tjetër fragmentimi i tokës, kostot e larta të ushqimit, por më kryesorja, braktisja e fshatit po çojnë në rënie të shpejtë numrin e bagëtive në vendin tonë dhe në prodhimin bujqësore në tërësi.

Burimi: INSTAT

Lajme të lidhura

Read Previous

Eurostat: Të rinjtë shqiptarë kanë privimin material dhe social më të lartë në Europë

Read Next

Merr fund arbitrazhi: Shqipëria t’i paguajë urgjent 110 mln euro Beketit