BSH: Inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë

Konflikti në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, disbalancat midis ofertës dhe kërkesës pas reduktimit të masave kufizuese për kontrollin e pandemisë, si dhe problemet me zinxhirët e prodhimit e të tregtisë, janë pasqyruar në rritje të shpejta të çmimeve të ushqimeve, produkteve energjetike, kostove të transportit dhe lëndëve të para.

Kjo mori faktorësh, sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ka sjellë rritjen e shpejtë të inflacionit, që kulmoi në muajin korrik me 7.5 për qind, ndikuar nga rritja e çmimeve për produktet e shportës dhe karburantet.

Nisur nga kjo situatë e krijuar, BSH vendosi të rrisë normën bazë të interesit me 0.5 për qind, nga 1.25 për qind në 1.75 për qind, niveli më i lartë që prej 2015-s.

“Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka sjellë një rritje progresive të inflacionit në gjashtëmujorin e parë. Në këtë kontekst ekonomik, Banka e Shqipërisë vendosi të hedhë një hap tjetër në rrugën e saj të normalizimit të politikës monetare. Në përfundim të diskutimit të analizave të paraqitura në këtë raport dhe të parashikimeve që e shoqërojnë atë, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të rrisë më tej normën bazë të interesit. Kjo lëvizje e jona synon të krijojë kushtet e duhura monetare që inflacioni të kthehet në objektiv, brenda një horizonti të arsyeshëm kohor dhe pa cenuar perspektivën e ritmeve pozitive të rritjes ekonomike në vijim. Ne jemi të bindur se kursi i politikës monetare është ai i duhuri, i përshtatshëm e i mjaftueshëm për kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti dyvjeçar dhe për nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit”, vihet në dukje në fjalën hyrëse të guvernatorit Sejko.

Inflacioni sipas raportit tremujor të politikës monetare, pritet të mbetet relativisht i lartë gjatë vitit 2022 dhe më tej të vijë në reduktim gjatë vitit 2023, për të qëndruar në objektivin 3% në gjysmën e parë të vitit 2024.

“Kushtëzuar nga këto zhvillime, ritmi i rritjes ekonomike është ngadalësuar gjatë tremujorit të dytë. Sakaq, rritja e faturës së importeve, nivelet relativisht të larta të inflacionit, shtrëngimi i kushteve financiare dhe rritja e pasigurisë, do të frenojnë më tej ritmet e rritjes ekonomike. Ndikimi i inflacionit të lartë në fuqinë blerëse, zbutja e rritjes së ekonomive partnere dhe reduktimi i stimulit fiskal pritet të kenë një efekt frenues në ekonomi.

Megjithatë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vijojë të mbështetet nga rritja e konsumit dhe e investimeve, si dhe nga një aktivitet i mirë turistik. Bilancet e shëndetshme financiare të ekonomisë, rritja e punësimit, e pagave dhe e kredisë, pritet të mbështesin rritjen e shpenzimeve dhe planeve të investimit të familjeve dhe bizneseve shqiptare.

Gjithashtu, kërkesa e huaj, ndonëse në ngadalësim, pritet të kontribuojë pozitivisht në rritje, duke pasqyruar kryesisht trendin pozitiv të turizmit.

Inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta deri në fillim të vitit pasues dhe të vijë në reduktim më tej, për të qëndruar në objektivin 3% në gjysmën e parë të vitit 2024”, theksohet në raportin e BSH-së.

Read Previous

Dyshohet se ra në kontakt me energjinë elektrike, gjendet e vdekur në oborr 29-vjeçarja në Durrës

Read Next

Burri rreh dhe tenton të mbysë gruan në shatërvanin publik