Bregu: krimi kibernetik, qasje rajonale, dhe standarde të BE-së

Bruksel: RCC organizon konferencën e nivelit të lartë mbi sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), organizoi në bashkëpunim me DG NEAR (Komisioni Europian) në 28-29 qershor 2023 në Bruksel, një konferencë dyditore, të nivelit të lartë, mbi sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor.

“Sulmet kibernetike nuk njohin kufij – ndaj një qasje e përbashkët rajonale për të garantuar sigurinë kibernetike në rajon, në përputhje me standardet e BE-së është bërë tashmë domosdoshmëri. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë korniza të forta ligjore që lehtësojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit mes tyre por edhe me BE-në. Megjithatë, ajo që është më e rëndësishme është përkushtimi në nivele të larta politike ndaj reformave për sigurinë kibernetike. Rajoni duhet të punoj së bashku në këtë drejtim. Edukimi dhe ndërgjegjësimi janë komponentë jetikë të një strategjie gjithëpërfshirëse për sigurinë kibernetike. Programet dhe strategjitë që mbështesin digjitalizimin e biznesit, përfshirë tregtinë elektronike, janë ato që ne duhet t’i zhvillojmë me shpejtësi”, tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu, në fjalën e saj, mbajtur gjatë panelit kushtuar progresit, sfidave dhe nevojave për arritjen e një hapësire kibernetike elastike në Ballkanin Perëndimor.

Krahas znj. Bregu, fjalimin kryesor e ka mbajtur Drejtori i Përgjithshëm i BE-së pranë Drejtorit të Përgjithshëm, Gert Jan Koopman, ndërsa në panel ishin Azir Aliu, Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës së Maqedonisë së Veriut; Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë; Bardhyl Dobra, zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Kosovës; Milan Dobrijeviq, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Informacionit dhe Telekomunikacionit të Serbisë; Marija Hajdukoviq, Drejtoreshë e Përgjithshme në Ministrinë e Administratës Publike të Malit të Zi; Predrag Simović, Shef i Departamentit të TIK-ut në Agjencinë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Nëse do të matej, atëherë krimi kibernetik që parashikohet të shkaktojë dëme të cilat arrijnë në 8 trilionë dollarë globalisht në vitin 2023, do të ishte ekonomia e tretë më e madhe pas SHBA-së dhe Kinës. Nëse studimet dhe parashikimet janë shkencërisht të sakta, një rritje prej 15% në vit gjatë 3 viteve të ardhshme të kostove të krimit kibernetik, do të jetë transferimi më i madh i pasurisë ekonomike në histori. Rritja e qëndrueshmërisë kibernetike në rajonin tonë mbetet një themel i fortë dhe shtylla kurrizore për të gjitha ndryshimet transformuese, duke përfshirë integrimin e përshpejtuar në tregtinë elektronike dhe tregun e vetëm Europian. Ballkani Perëndimor ka nevojë për tu përfshirë në të gjitha organet, rrjetet, kornizat e BE-së – në çdo kapacitet të mundshëm”, përfundoi Bregu.

RCC i është bashkuar së fundmi 110 anëtarëve të Forumit Global për Ekspertizën Kibernetike (GFCE) për të vazhduar forcimin e ndërtimit të kapaciteteve rajonale dhe evropiane të sigurisë kibernetike. RCC po nxit proceset për të mundësuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në punën e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA). Kjo do të shënojë një tjetër hap drejt përafrimit të përshpejtuar të BP me standardet dhe praktikat e Tregut të Vetëm të BE-së. Për më tepër, përfshirja e Ballkanit Perëndimor në Mekanizmin e Rishikimit të Incidenteve të Sigurisë Kibernetike të BE-së për të vlerësuar dhe rishikuar incidente të veçanta të sigurisë kibernetike do të mundësonte një përgjigje të përforcuar ndaj sulmeve kibernetike në Ballkanin Perëndimor dhe do të krijonte kapacitete për reagim në kohë.

Pjesëmarrësit e konferencës diskutuan mbi avancimin e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes më të madhe kibernetike ndaj kërcënimeve kibernetike. Ministrat dhe përfaqësues të tjerë të qeverive dhe institucioneve publike të Ballkanit Perëndimor, donatorë, organizata ndërkombëtare, partnerë zbatues, sektori privat, OJQ-të dhe akademia shkëmbyen mendime mbi sfidat dhe nevojat e jashtëzakonshme në fushën e sigurisë kibernetike dhe hulumtuan se si t’i trajtojnë ato më së miri përmes një qasja më bashkëpunuese mes qeverisë dhe gjithë shoqërisë. Shkëmbimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit, njohurive dhe përvojës midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe brenda komunitetit kibernetik global.

Read Previous

Pensioni nuk del, rreth 16% e personave mbi 65 vjeç vazhdojnë të punojnë

Read Next

Parisi si “tenxhere me presion”. Prapa trazirave që po e çojnë Francën drejt gjendjes së jashtëzakonshme