Borxhet e papaguara, vihet në sekuestro kompania e fluturimeve “Air Albania”

Kompania Air Albania, flamuri dhe krenaria e Shqipërisë siç e quan kryeministri Edi Rama, është vendosur në sekuestro për shkak të borxheve të papaguara. Në Qëndrën Kombëtare të Biznesit është depozituar një shkresë ekzekutimi nga zyra përmbarimore Bailiff Services Albania për vendosjen e sekuestros konservative mbi aksionet e Air Albania, me qëllim mostjetërsimin e tyre deri në shlyerjen e borxheve.

Sekuestro mbi kuotat është vendosur për llogari të Sinan Isik, ish numrit 2 të Air Albania. Isik ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Air Albania nga gushti i vitit 2018 deri në fund të vitit të kaluar.

Nuk dihet se sa është shuma e borxheve që Air Albania ka ndaj Isik, por në urdhrin e sekuestrimit të aksioneve thuhet se kompania nuk ka paguar detyrimin edhe pas njoftimit zyrtar.

“Në bazë të nenit 517 të Kodit të Procedurës Civile, kompanisë i është komunikuar njoftimi për ekzekutimin vullnetar. Duke qenë se nga ana e palës debitore nuk është kryer asnjë veprim dhe duke qenë se afati ligjor i ekzekutimit vullnetar ka përfunduar, ekzekutimi i titullit ka kaluar në ekzekutim të detyrueshëm. Në këto kushte urdhërojmë vendosjen e sekuestros konservative mbi aksionet e palës debitore si dhe mbi të drejtat që rrjedhin nga zotërimi i tyre,” thuhet në urdhër.

Një kompani në terr

Gjendja financiare e Air Albania, një kompani ku 10 për qind e aksioneve zotërohen nga shteti shqiptar, mbetet e panjohur për publikun.  Bilanci i fundit i publikuar i Air Albania është ai i vitit 2018, ndërkohë që nuk dihet se me çfarë financohet kompania dhe kush janë pasojat financiare, për aksionet publike të mbajtura nga Albcontrol.

Financat e Air Albania u vunë në qendër të debateve publike, pas marrëveshjes së kompanisë me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për charterin personal të kryeministrit. Nuk dihet se sa paguajnë shqiptarët për avionin kryeministror që drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka marrë hua nga Air Albania.

Opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje mes disa çështjeve të tjera të nxehta, por nisma u bllokua nga maxhoranca.

Financat e krenarisë dhe flamurit janë në terr të plotë, veçanërisht me vullnetin e qeverisë. Dhe tani mbi të po bien urdhrat e sekuestrove.

/Kapitali.al

Read Previous

Mund të jetë ajo prezantuesja e “Big Brother VIP 3” ?/ Ja si përgjigjet Bora Zemani

Read Next

8 perime jeshile të dobishme që duhet të hamë