BIRN: Kompromisi i paligjshëm Balla-Alibeaj paralizon punimet e Kuvendit

Drejtuesit e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste kanë rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve që të ndërpresin punimet e Kuvendit për shkak të angazhimit të deputetëve në fushatën elektorale – një vendim i pabazuar në ligj, por që sipas tyre është bërë praktikë.

Nga Blerina Gjoka, BIRN 

Kuvendi nuk u mblodh të enjten në seancë plenare sipas programit të punës. Anulimi i seancës u njoftua nga zyra e shtypit e kryetares Lindita Nikolla, si vendim i mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të datës 30 mars, mbledhje ku u miratua Kalendari i Punës për periudhën 10-28 prill 2023.

Kjo ishte seanca e dytë e anuluar pas asaj të datës 20 prill, ndërkohë që ka pasur vetëm dy mbledhje të komisioneve parlamentare që prej datës 13 prill, kur ishte seanca e fundit plenare, duke shënuar një paralizim të jetës parlamentare gjatë muajit të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Mazhoranca dhe opozita kanë vendosur me dakordësi që të ndërpresin punimet e Kuvendit nga data 13 prill deri në mbajtjen e zgjedhjeve, duke pranuar madje se deputetët do të jenë të angazhuar në fushatë, edhe pse ky vendim është i pabazuar në ligj.

Në procesverbalin e mbledhjes së fundit të Konferencës së Kryetarëve, dy kryetarët e grupeve parlamentare, Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeaj bien dakord që të anulohen seancat e parashikuara deri në zhvillimin e zgjedhjeve.

“Duhet të keni parasysh që ne futemi në fushatë zgjedhore dhe për këtë arsye duhet bërë një balancim më i mirë i ngarkesës së seancave parlamentare, me ngarkesën që do të ketë fushata zgjedhore,” ka propozuar Alibeaj, i cili në fushatë futet si kryetar në detyrë i Partisë Demokratike.

Argumenti i tij lidhet me faktin që vëmendja e publikut dhe e mediave do të jenë fokusuar tek zgjedhjet. “Mund ta eklipsojë atë çfarë duhet të diskutojmë,” citohet ai në procesverbal, duke shtuar gjithsesi se “nuk do të doja që nëpërmjet propozimit tim të vendosej ndërprerja e veprimtarisë së parlamentit”.

Propozimi i Alibeajt gjeti mbështetjen e kreut të grupit socialist, Balla, i cili po ashtu mbështet arsyetimin se populli nuk e ka vëmendjen tek Kuvendi gjatë fushatës dhe se kjo praktikë pavarësisht se e pabazuar në ligj, është ndjekur dhe më parë kur ka pasur zgjedhje vendore.

“Gjithmonë ka pasur një dakordësi, sepse, në fund të fundit, të gjithë kolegët do të jenë në zonat e tyre zgjedhore, për të gjetur një ekuilibër,” ka thënë Balla.

Balla pranon se pavarësisht se nuk është parashikuar me ligj, praktika e mëparshme gjatë zgjedhjeve vendore sipas tij , ka treguar se punimet e Kuvendit janë pezulluar gjatë muajit të fushatës.

“Për rastin e zgjedhjeve të përgjithshme është e shkruar në Kushtetutë, kurse për rastin e zgjedhjeve vendore nuk ka shkruar gjë ligjvënësi, por kështu është gjithmonë praktika,” ka theksuar ai.

Shqiptarët do të votojnë më 14 maj për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në qeverisjen lokale, por dhe pse zgjedhjet nuk kanë karakter mirëfilli politik, deputetët e gjithë spektrit politik janë përfshirë në një fushatë të ethshme në krah të kandidatëve për kryebashkiakë në zonat e tyre elektorale.

Read Previous

Henri Kavaja, njësoj si Këlliçi, nga ‘Harry Fultz’, në lead design në Kaliforni: Akuzat në Tiranë, pa kuptim!

Read Next

Erion Veliaj, mashtrues me touchscreen