“Bilbilfryrësit”, rastet e sinjalizimeve në administratë, kryeson Bashkia Tiranë

Bashkia e Tiranës është institucioni që kryeson listën e rasteve që janë sinjalizuar në kuadër të ligjit për “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i ndryshuar sipas Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.

Ligji i vitit 2016 ngarkon institucionet me detyrën e ngritjes së njësive përgjegjëse të sinjalizimit pranë institucioneve publike, në nivel qendror dhe vendor, që kanë të punësuar mbi 80 punonjës dhe pranë kompanive private që kanë mbi 100 të punësuar.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2021 ishin 362 njësi përgjegjëse në sektorin publik, si dhe 527 njësi përgjegjëse në sektorin privat të cilat duhet të raportonin pranë ILDKPKI.

Pikërisht nga këto raporte Inspektorati ka nxjerrë edhe konstatimet për insitucionet ku ka më shumë sinjalizime që mund të lidhen me shkelje të ndryshme brenda institucionit.

“Në këtë kuadër, Inspektorati i Lartë ka marrë dhe administruar 199 raporte vjetore nga Njësitë Përgjegjëse pranë autoriteteve publike, ku nga analizimi i tyre konstatohet se në 3 Njësi Përgjegjëse janë sinjalizuar dhe trajtuar raste, në kuadër të Ligjit nr. 60/2016, i ndryshuar, si më poshtë:

Banka e Shqipërisë. Gjatë vitit 2021 është adresuar elektronikisht prezantimi mbi këtë funksion për të gjithë nëpunësit e Bankës së Shqipërisë për të rikujtuar, ndërgjegjësuar dhe stimuluar raportimet e rasteve të mundshme të korrupsionit. Në rrjedhim të kësaj, për vitin 2021 është raportuar pranë adresës së dedikuar, rast apo veprim i dyshuar, për të cilin është vendosur mosfillimi i procedurës së hetimit administrativ, si rrjedhojë e tërheqjes së sinjalizimit.

Bashkia Tiranë. Raportohen të jenë regjistruar 6 raste sinjalizimi, për të cilat janë kryer veprimet procedurale, në zbatim të Ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i ndryshuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Raportohen 2 raste sinjalizimi, për të cilat janë marrë masat për nxjerrjen përpara përgjegjësive të personave të gjetur në shkelje të përmbushjes së detyrave funksionale, deri në referim të çështjes pranë organit të prokurorisë” thuhet në raportin e Inspektoratit” thuhet në raport.

Inspektorati raportoi gjithashtu, se gjatë vitit raportues (2021), “në ushtrim të kompetencave ligjore, si mekanizëm i jashtëm raportimi për sinjalizimin dhe kërkesat për mbrojtje nga hakmarrja, Inspektorati i Lartë ka regjistruar dhe trajtuar në total 11 raste sinjalizimi dhe 1 kërkesë për mbrojtje nga hakmarrja, të ardhur nga sektori publik. Në analizim të rasteve të paraqitura, rezulton se 10 raste sinjalizimi të jashtëm kanë ardhur nga sektori publik dhe 1 rast i përket sektorit privat”./Monitor

Read Previous

“Ishte keqkuptim”/ Berisha flet për incidentin në Kuvend: “Unë do merresha me çështje madhore e jo personale.”

Read Next

Mbretëresha mbush 96 vjeç sot, ndërsa bombat më të fundit televizive të ‘të vërtetës’ së Harry-t errësojnë ditëlindjen e saj