Bie sistemi në zyrat e Aleat

Aplikimi për pasaporta dhe karta identiteti ende nuk mund të kryhet në zyrat e ALEAT. Shërbimi u ndërpre ditën e premte, pas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Brendshme, e cila tha se do të kryhen ndërhyrje në server për shkak të sulmeve kibernetike.

Ndonëse njoftimi për ndërprerjen e shërbimit ishte vetëm për të premten e javës së kaluar, këtë të hënë, dhjetëra qytetarë nuk kanë arritur të aplikojnë për pasaporta dhe ID-i, për shkak se nuk punon sistemi.

Gjithashtu, raportohet se shërbimi nuk ofrohet as në zyrat e gjendjes civile për shkak të rënies së sistemit online. Ndërkohë, në zyrat e policisë nuk jepen pasaportat dhe ID-të, të cilat qytetarët i kanë aplikuar më herët.

Kjo ka sjellë probleme për shumë qytetarë, të cilët jetojnë jashtë vendit dhe duhet të kthehen në vendet e tyre të punës. Probleme me radhë qytetarësh në pritje për aplikime janë raportuar në Vlorë, Fier, Gjirokastër, Korçë, por edhe qytete të tjera.

Policia, ndërkohë, ka ende probleme me sistemet që pas sulmit kibernetik të 9 Shtatorit.

Read Previous

Strategjitë e manipulimit mediatik

Read Next

Peticioni/ Studentët thirrje Ramës: Nuk mund të nisë viti akademik me xhepa bosh.