Biden transferon kompetencat presidenciale Kamala Harris’it

Presidenti Joe Biden do t’ia transferojë pushtetin zëvendëspresidentes Kamala Harris të premten për një periudhë të shkurtër kohe kur ai është nën anestezi për një kolonoskopi rutinë, tha Shtëpia e Bardhë, raporton CNBC, përcjell Kumtari.

Sekretarja e shtypit Jen Psaki vuri në dukje në një deklaratë për gazetarët e Shtëpisë së Bardhë se i njëjti proces u ndoq në 2002 dhe 2007, kur presidenti i atëhershëm George W. Bush iu nënshtrua të njëjtës procedurë mjekësore.

“Zëvendëspresidentja do të punojë nga zyra e saj në West Wing gjatë kësaj kohe,” tha Psaki në deklaratën e së premtes në mëngjes.

Ish-presidenti Donald Trump, 75 vjeç, thuhet se refuzoi anestezinë për një procedurë mjekësore, pikërisht sepse nuk donte t’ia kalonte pushtetin zëvendëspresidentit të atëhershëm Mike Pence, sipas një libri nga sekretarja e tij e tretë e shtypit, Stephanie Grisham.

Shtëpia e Bardhë tha se do të ndajë publikisht një përmbledhje me shkrim të gjendjes fizike të 78-vjeçarit Biden të premten pasdite. Biden, presidenti më i vjetër që ka marrë detyrën, mbush 79 vjeç të shtunën.

Autokolona e Bidenit mbërriti në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare Walter Reed para orës 9 të mëngjesit ET.

©Kumtari.al

Read Previous

Ekstremistët po përdorin lojërat në internet dhe komplotet rreth Covid për të rekrutuar të rinj

Read Next

Covid-19 në vendin tonë / Ja si paraqitet gjendja në 24 orët e fundit