Biden akuzon Putinin për gjenocid, por Franca nguron

Presidenti amerikan Joe Biden ka akuzuar forcat ruse për kryerjen e akteve të gjenocidit në Ukrainë.

Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin po përpiqej të “fshinte idenë” e një identiteti ukrainas.

SHBA ka qenë historikisht ngurruese për të përdorur fjalën gjenocid për shkak të detyrës për të ndërhyrë nëse përdoret ky term.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha më vonë se ai hezitonte ta përdorte këtë fjalë. Kremlini i quajti komentet e zotit Biden “të papranueshme”.

Por zoti Biden këmbënguli të martën mbrëma se provat e akteve gjenocidale nga trupat ruse po shtoheshin.

“Më shumë prova po dalin nga gjërat e tmerrshme që kanë bërë rusët në Ukrainë”, tha presidenti. “Dhe ne do të mësojmë gjithnjë e më shumë rreth shkatërrimit. Ne do t’i lëmë avokatët të vendosin ndërkombëtarisht nëse ai kualifikohet apo jo, por sigurisht që kështu më duket mua.”

Duke folur për transmetuesin publik France 2, Presidenti Macron tha se do të ishte “i kujdesshëm me terma të tillë sot sepse këta dy popuj janë vëllezër”.

“Dua të vazhdoj të përpiqem, sa më shumë që të mundem, për të ndalur këtë luftë dhe për të rindërtuar paqen. Nuk jam i sigurt se një përshkallëzim i retorikës i shërben kësaj kauze,” shtoi ai.

Kremlini tha se zoti Biden po përpiqej të “shtrembëronte situatën” në Ukrainë.

“Kjo është vështirë e pranueshme nga një president i Shteteve të Bashkuara, një vend që ka kryer krime të njohura kohët e fundit,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë me gazetarët.

©kumtari.al

Read Previous

Përdorimi i armëve kimike në luftën në Siri ngjall frikën e Ukrainës

Read Next

A është copy paste raporti i DASH?