Berisha: U them këtyre zyrtarëve (DASH) se ne jemi një komb i vjetër

Sali Berisha komentoi edhe vendimin e DASH gjatë fjalës së tij në Kuvendin e PD.

“Ne jemi dhe mbetemi parti e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, e parashikuar kjo në doktrinën e rilindësve tanë dhe e ushtruar nga zemrat dhe mendjet e rinisë shqiptare në vitin 1990. Shqipëria në Europë mbetet objektivi më madhor i programit tonë.

Ne u përballëm me një ndërhyrje brutale të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, SHBA. U them këtyre zyrtarëve se ne jemi një komb i vjetër. Në historinë tanë, pakkush më shumë se ne, ka pasur të bëjë me superfuqitë e kohërave nga lashtësia deri më sot.
Bashkimi Sovjetik, ashtu siç e cilësoi në mënyrë gjeniale presidenti Regan, ishte Perandoria e të Keqes. E kundërta e tij janë SHBA, Perandoria e Lirisë dhe e Vlerave. Vendi i madh i lirisë ka bërë për lirinë e shqiptarëve më shumë se çdo vend tjetër në botë.
Është e dhimbshme të shohësh ambasadoren e SHBA të sillet si guvernatore, njëlloj si dikur ambasadori sovjetik në Tiranë. Perandoritë ndryshojnë si nata me ditën, por burokratët dhe njerëzit ndonjëherë këtë. Presidenti i SHBA, në dekretin e tij, dekreton në këtë vend, një përfaqësuese të vlerave të kombit të tij të madh.

Por çfarë ndodh në këto vite? E paimagjinueshme. Në kulmin e mbulimit me drogë të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e policisë, përfaqësuesi i vendit të madh të lirisë përgëzon policinë për luftën e suksesshme kundër drogës. Në kulmin e korrupsionit, përfaqësuesi i vendit të madh mban ligjërata të tëra në mbështetje të narkoqeverisë dhe sulmon nga mëngjesi deri në darkë opozitën.

A nuk janë standardet më të dyfishta? A vijnë këto nga shteti ligjor i SHBA dhe vendi i lirisë? Jo, këto vijnë nga mafia e George Soros. Edhe më keq akoma, një ditë në maj të këtij viti, Departamenti i Shtetit shpall ‘non grata’ Sali Berishën, tetë vite pasi kishte dhënë dorëheqje, njeriu që ishte lavdëruar më shumë se kushdo tjetër nga SHBA për luftën kundër korrupsionit. Njeriun që nuk kishte asnjë akuzë ndaj tij apo familjes së tij për korrupsion. Njeriun që kishte bërë gjithçka kundër krimit dhe korrupsionit në opozitë. Shpall ‘non grata’ një njeri, që 31 vite më parë, nën drejtimin e kësaj partie, kishte përmbysur diktaturën më staliniste në Europë,” tha Berisha.

Read Previous

Artan Fuga: Fajtore e gjithë elita drejtuese e partisë demokratike, dhe kryefajtori…

Read Next

Rama çon RENEA-n për të marrë në mbrojtje Bashën