Berisha: Revolucioni jo i PD, por lëvizje e fuqishme shqiptare

Kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh këtë të Enjte nga protesta para parlamentit se revolucioni, që sipas tij ka nisur, nuk është i PD, por një lëvizje e fuqishme shqiptare.

Berisha theksoi se qeveria Rama po vjedh qytetarët, që siç u shpreh, i urren.

“Çfarë ndodh sot? Pse ky parlament, nga tempull i fjalës së lirë, është shndërruar në bunker të fjalës së ndaluar? E thjeshtë, çdo hajdut që të futet në Shqipëri për të vjedhur, nëse e kapin në flagrancë, tenton edhe të të vrasë po mundi. Këta në shtëpitë tanë nuk futen direkt si banda, por në xhepat tona, në taksat tona, në të gjitha pasuritë publike tuajat këta vjedhin natën, vjedhin ditën. Këta i urrejnë qytetarët. A i shihni të takohen me qytetarët? Asnjëherë. Ata vijnë njëherë në katër vjet me thasët e mbushura me eurot që u kanë vjedhur ju. Ata vijnë me thasët me narkoeuro të siguruara nga bandat e tyre për të blerë votat. Sepse ju konsiderojnë ju, demokratë dhe socialistë, qenie inferiore, qenie të dyta, qenie që janë për të duartrokitur dhe asgjë më shumë”, tha Berisha.

“Ky revolucion nuk është revolucion i PD. Në të vërtetë është një lëvizje e fuqishme shqiptare. Është një revolucion shqiptar, i çdo shqiptari, që nuk mund të pajtohet që për të vjedhur taksat tuaja, rruga në Shqipëri të ndërtohet me një çmim 6-10 herë më të shtrenjtë”, u shpreh ai.

Kreu i PD shtoi se Veliaj dhe Rama kanë vjedhur qytetarët e Tiranës 54 milionë euro, duke iu referuar kontratës së landfillit të Sharrës.

“Nuk ka kryeministër në botë që lejon taksë antikushtetuese në territorin e vendit. Po ky e lejon se nëse te shkolla Sami Frashëri 6 milionë euro, ai ka vjedhur të paktën 5 milionë. Ai i ka ndarë me Edi Ramën. Ndaj vazhdon dhe kalon në taksa të tjera. Po si ka mundësi që ky ditën e natën në çdo kohë, ky u vjedh qytetarëve të Tiranës 18 euro për ton mbetje, në një kohë kur kontrata e ka që do mblidhen me 11 euro nëse plehrat nuk digjen. Ka pesë vite që nuk digjet asnjë ton pleh. Veliaj dhe Rama kanë vjedhur qytetarët e Tiranës 54 milionë euro. Ai rrezitet në Surrel, tjetri në majë të Kodrës së Diellit, por kontot e tyre fryhen si derrat në kurriz tuaj. Pra, ky revolucion nuk është mburojë për deputetët e PD-së, as për PD-në, por ky është revolucion për interesat e çdo qytetari, çdo shqiptari. Ky është revolucion për shqiptarët dhe Shqipërinë. Edi Rama i ka si gangrenë vjedhjet me të cilat është kapur në flagrancë. Tani nuk guxon të duket dhe urdhëron Lindën e tij, Lindën e parlamentit të përjashtojë deputetët siç nuk ka ndodhur as në diktaturë”, deklaroi.

Berisha foli dhe për Charles McGonigal dhe thumboi ambasadorët.

“McGonigal, i cili tradhtoi vendin e tij, por tradhtarë ka kudo, u pagua si vrasës me pagesë për të shkatërruar opozitën me një qëllim të vetëm, me një qëllim të vetëm, për pushtetin e Edi Ramës, ku të përcaktonte licenca, ku të vidhte dhe vetëm vidhte pasanikët shqiptarë. Të gjitha këto për të salduar pushtetin e tij. Ai ishte armik i egër i opozitës shqiptare, por nuk punuan më pak për pushtetin e Ramës dhe McGonigalë të tjerë. Kujtoni deklaratat e McGonigalëve me pushtet diplomatik. Ata ishin pengje të korrupsionit të Edi Ramës. Që tani struken se mos u dalin lidhjet e McGonigalit. Mos u strukni u them, dilni se për shqiptarët, ju jeni McGonigalë të vërtetë. E thashë këtë se unë e di që shumë njerëz e marrin si një gjysmë fataliteti, por kurrë. Ne do u themi jo diplomatëve të korruptuar, të marrim fatet e vendit në duart tona, të ndërtojmë Shqipërinë mbi bazën e atyre idealeve që kemi ne”, tha ai.

Read Previous

Këlliçi: Brenda tri javësh jam përjashtuar dy herë nga seanca pa folur. Kjo është çmenduri!

Read Next

Meqë na u shty gjyqi dhe na u krijua pak kohë.