Berisha: Pse mafia e Ramës është më e rrezikshmja në botë

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Sali Berisha ndër të tjera ka akuzuar Edi Ramën, duke thënë se është i përfshirë në mënyrën më të pakontestueshme “në një nga aferat më të zeza të kohërave”, duke iu referuar “çështjes McGonigal”.

Berisha jep arsyet pse, sipas tij, mafia shqiptare është mafia më e rrezikshme e botës së lirë, se tentakulat e kësaj mafie, Neza, Duçka, Rama, janë të aftë të kryejnë çdo lloj operacioni të fëlliqur.

“Mblidhemi sot në një ditë kur Shqipëria është në epiqendër të një stuhie, e cila në memorien historike, nuk ka ekzistuar të paktën në 50 vitet e fundit. Shqipëria, Edi Rama, kreu i ekzekutivit është i përfshirë në mënyrën më të pakontestueshme në një nga aferat më të zeza të kohërave, në një akt që tejkalon çdo normë, çdo standard, çdo ligj, çdo moral, çdo imagjinatë. De fakto, ai ka përdorur si aset të tij, një nga njerëzit më të rëndësishëm të sistemit të sigurisë së SHBA, për definicion të botës së lirë, ish-shefin e kundërinteligjencës të FBI, një nga njerëzit më të besuar të asaj toke dhe atij vendi, Charles McGonigal.

Me qëndrimin e tij të papërgjegjshëm, Edi Rama përpiqet të hiqet duarjashtë. Në një kohë kur aktakuza e botuar nga Ministria e Drejtësisë e SHBA, në 16 faqet e saj, të paktën 15 i kushtohen fund e krye, Edi Ramës. Ish-oficerit të policisë sekrete, bashkëpunëtorit të SHISH, Agron Nezaj. Këshilltarit në hije të Edi Ramës, Dorian Duçkës.”. Kështu e nisi fjalën Berisha.

Edi Rama është sjellë në mënyrën më të pabesë, më jomiqësore ndaj partnerit tonë kryesor strategjik. Duke keqshfrytëzuar, duke trajtuar si aset, në mënyrë të fshehtë një njeri që nuk meritonte kurrë atë post që kishte. Charles McGonigal ka dy akuza kryesore. Njëra është kjo, i ngarkuar për të mbikëqyrur Oleg Vladimirovië Deripaskën, një njeri nga më të afërmit e Putinit. Në fakt u shndërrua në aset të tij.

Ajo që është akti më i rëndë, një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s, përdor mjete të paligjshme për të korruptuar këtë zyrtar.

Çfarë dëshmon për Shqipërinë dhe shqiptarët kjo aferë nga më tronditëset? Kjo dëshmon se mafia shqiptare është mafia më e rrezikshme e botës së lirë. Se tentakulat e kësaj mafie, Neza, Duçka, Rama, janë të aftë të kryejnë çdo lloj operacioni të fëlliqur. Duke shkelmuar interesat jetike të sigurisë të SHBA, por edhe të NATO-s dhe botës së lirë në tërësi.”. Kështu u shpreh Berisha.

Read Previous

Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI-së/ Berisha: Rama të shkojë para drejtësisë!

Read Next

Tedi Blushi: Erion Veliaj, armiku i gjelbërimit të Tiranës!