Berisha: Pa votë të lirë s’do të ketë stabilitet

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar protestën që opozita do të mbajë mesditën e 3 marsit në qendër të Tiranës. Kreu i demokratëve tha se ky është “një moment të rëndësishëm” jo vetëm për demokratët. Më pas bëri një paralajmërim për kryeministrin Rama se “nuk do të mund të ketë kurrë stabilitet pa votë të lirë”.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe për Edi Ramën, stabilitet me Edi Ramën. Teza e revolucionit. Ata të cilët na sugjerojnë ne, apo shprehen se po lëkundet stabiliteti u themi haptas se nuk mund të ketë kurrë stabilitet pa votuar shqiptarët të lirë. Iku koha kur shqiptarëve u diktohej që të ulnin kokën, nuk e ulin më kokën ata, para askujt, ata do të ecin deri sa qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë” – tha Berisha që më pas u ndal tek zgjedhjet. Në këtë pikë nuk i kurseu akuzar edhe për ambasadoren amerikane Yuri Kim.

“Në kulmin e zgjedhjeve më të këqija në histori, besoj se ju kujtohen zgjedhjet e 25 prillit. Armata e patronazhistëve për herë të parë e nxjerr, e organizuar duke vjedhur të gjitha të dhënat tuaja personale që në mirëbesim ja kishit dhënë qeverisë, si në çdo vend tjetër normal.

Armata e bandave në të katër anët e vendit, tonelatat e narkoeurove, buxheti i shtetit, shteti elektoral u vërsulën mbi popullin opozitar. Çdo gjë ishin, por vetëm zgjedhje nuk ishin. Do të mbahet në mend në histori, se si guvernatorja shkoi natën e zgjedhjeve për të përgëzuar zgjedhjet.

Se si Mathju Palmer të nesërmen do të shprehte padurimin për të bashkëpunuar me Edi Ramën, duke shkelur rregullat më elementare që asaj që thotë ‘urime për zgjedhjet’ gjë që të cilën e bëri ambasadori i SHBA në Vjenë. Por ai ishte i lirë, ishte një shërbëtor i vendit të vet, pa lidhje “McGonigal-ike.

Ndaj dhe duhet ti njohim këto. Nuk e kemi shesh me lule këtë betejë, por e kemi betejë fisnike, për idealet tona, për të ardhmen tonë dhe ne jemi të pathyeshëm në këtë betejë”tha Berisha.

Në 3 mars opozita ka njoftuar një protestë. Po atë ditë pritet edhe një vendim i Gjykatës së Apelit për çështjen e vulës së PD-së. Në 7 mars është edhe afati që ka lënë KQZ-ja për regjistrimin e partive në zgjedhjet e 14 majit.

Read Previous

Aksident i rëndë në Milot-Thumanë/ Plagosen 6 persona, mes tyre tre të mitur

Read Next

Pse ish-miku Basha është kapitull i mbyllur