Berisha: Kumbaro largon nga puna, për bindjet politike, mësuesen në Libohovë

Qytetarët e Libohovës janë ngritur në protestë kundër largimit nga puna të një mësueseje të gjimnazit të qytetit, largim me urdhër të deputetes socialiste të Gjirokastrës, ministres Mirela Kumbaro.

Kryetari i PD-së Sali Berisha e ka bërë publik këtë diskriminim që i është bërë mësueses dhe kërkoi rikthimin e saj të menjëhershëm në detyrë.

Drama e zbrazjes së shkollave dhe e largimit të profesionistëve nga sistemi arsimor.

Zbrazja e Shqipërisë nga emigracioni masiv i viteve të fundit, largimi i të rinjve dhe i familjeve, po sjell një dramë të madhe sociale. Shkollat po zbrazen gjithmonë e më shumë, vit pas viti, dhe klasat po ngelen bosh, pa nxënës, pa fëmijë e të rinj.

Bashkë me këtë, paralelisht, një tjetër dramë po zhvillohet; ajo e largimit të mësuesve dhe profesionistëve të arsimit nga sistemi arsimor.

Mësues me 20 apo 30 vjet eksperiencë dhe kontribut në shkollimin e fëmijëve shqiptar po pushohen nga puna me motivacionin e uljes së orëve të mësimit nga pakësimi i numrit të nxënësve dhe klasave nëpër shkolla.

I tillë është edhe rasti i mësuese Erena Çobanit në gjimnazin “11 Shkurti” në Libohovë.

Mësuese Erena ka filluar të japë mësim që në vitin 1992 në këtë shkollë, në shkollën ku ajo vetë kreu studimet e shkollës së mesme. Shkollë të cilën ajo e drejtoi, në cilësinë e drejtoreshës, në vitet 2010-2014. Shkolla e vendlindjes së saj, të cilës i kushtoi jetën e saj profesionale dhe në të cilën kontrobuoi në arsimimin e brezave të tërë.

Pak ditë më parë, pas 25 viteve mësimdhënie në lëndët biologji-kimi, mësuese Erenës i erdhi njoftimi për pushim nga puna dhe nxjerrjes nga sistemi arsimor kombëtar.

Motivacioni që iu parashtrua ishte pakësimi i orëve mësimore si pasojë e pakësimit të numrit të nxënësve në shkollë.

Në këtë mënyrë mësuese Erena u hodh në rrugë, pa marrë parasysh asgjë nga kontributi i saj shumëvjeçar në arsim.

Atë e vunë përballë, në mënyrë të padrejtë, me kolegun e saj, mësues Mejdi Metaj.

Edhe mësues Mejdiu është gjithashtu mësues i lëndëve biologji-kimi, dhe është drejtori aktual i gjimnazit “11 Shkurti”, duke zëvendësuar mësuese Erenën në këtë detyrë që prej vitit 2014; ai ka qenë pjesë e këtij gjimnazi që prej vitit 2007.

Dy kolegët, Erena dhe Mejdiu, mësues të të njëjtave lëndë, i vunë përballë njëri tjetrit. Pa treguar asfarë respekti e mirënjohje për punën dhe kontributin e tyre shumëvjeçar në arsim, dy mësuesve u bënë të ditur se lëndët e biologjisë dhe kimisë që prej këtij viti do të duhet që t’i zhvillonte vetëm njëri prej tyre. Ky ishte mësues Mejdiu.

Mësuese Erena u pushua nga puna. Kaq thjeshtë! Pa asnjë lloj ndërgjegje e morali.

Që sot mësuese Erena mund të shkojë të bëjë çfarë të dojë. Ne nuk paskemi më nevojë për të! Shqipëria nuk paska më nevojë për profesionistët e vet të arsimit!

Ndërkohë, qytetarët e Libohovës, të indinjuar nga shkarkimi i mësuese Erenës nga puna dhe largimi i saj nga gjimnazi i vetëm i qytetit dhe gjithë bashkisë Libohovë, po kërkojnë që ajo të rikthehet prapë në detyrën e saj.

Ata e kujtojnë me respekt mësuesen e tyre apo të fëmijëve të tyre, dhe gjithë kontributin e saj të vyer përgjatë 25 viteve.

Përmendin pasionin e saj për edukimin, marrëdhëniet e mira që krijonte me nxënësit, dëshirën për zhvillimin e mëtejshëm të shkollës dhe të nxënësve gjatë viteve që ishte drejtuese, duke krijuar një shkollë model në të gjithë qarkun e Gjirokastrës, me futjen e uniformave për nxënesit, me zhvillimin e aktiviteteve mësimore e kulturore, rajonale e kombëtare, të cilat i afronin nxënësit më tepër me shkollën dhe zhvillonin talentet e tyre, me punën e saj të përditshme të zhvilluar me nxënësit problematikë, për t’i afruar më tepër me shkollën dhe për t’i bërë pjesë të aktivitetit mësimor.

Qytetarët e Libohovës, nëpërmjet një sondazhi të zhvilluar mes tyre, 90% e tyre i kërkojnë Drejtorisë së Arsimit që të rikthejë në punë mësuese Erenën në gjimnazin e Libohovës dhe nëse në këtë shkollë nuk ka orë të mjaftueshme për të dy mësuesit, atëherë ata kërkojnë që mësues Mejdiu, i cili është nga Golëmi i Gjirokastrës dhe udhëton përditë për të dhënë mësim në Libohovë, të transferohet në një tjetër shkollë më afër banesës së tij.

Qytetarët e falenderojnë mësues Mejdiun për kontributin e tij në gjithë këto vite në gjimnazin e Libohovës, por ata mendojnë se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë.

Read Previous

Berisha do të mbledhë sot grupin parlamentar të PD

Read Next

Si dilnin zgjedhjet sikur opozita të dilte me një platformë kështu?